Rreziku nga kaosi i vlerave

Jan 25, 2012 | 10:34

AGIM BAÇI

Çfarë ndodh kur në shtëpi fëmijët nuk dëgjojnë prindërit? Po në shkollë, kur mësuesja nuk vë dot autoritet? Po në punë, kur është e pamundur të fusësh në hulli ata që paguhen për një punë? Afërmendsh që të gjithë e dimë koston që ka një situatë e tillë në shtëpitë tona, në shkollat e fëmijëve tanë dhe në punët e përditshme. Mirëpo, kjo është një nga ato situata që e kuptojmë kollaj. Më e vështira e një kundërshtimi të tillë është ajo e krijuar pak e nga pak në 20 vitet e fundit në Shqipëri, derisa kemi ardhur në një moment të tillë që nuk mund të flasim më për praninë e autoriteteve publike. Flas për ato autoritete (duke analizuar shoqërinë), të cilat të bëjnë që të ngrihen grupe pune, të rishikohen ligje, të detyrojnë dorëheqje apo edhe të ndryshojnë qeveritë. Edhe pse sot paguajmë akademikë, njerëz me grada e tituj, jemi sërish përballë një situate ku mungon mendimi imponues. Madje, edhe më keq, ku titulli akademik nuk ka autoritet, e ku një pjesë e mirë e shoqërisë e sheh si një mundësi për një pagesë më të mirë se të tjerët, por jo për misionin e vërtetë që ka mbrojtja e një titulli akademik. Zhvlerësimi i kësaj pjese të shoqërisë fillon, në fakt, qysh tek ata që e kanë trashëguar këtë titull pas viteve ’90, kryesisht me vijë partishmërie. Duke mbështetur edhe më pas “partishmërinë në fuqi”, ata kanë hequr një lloj shenjtërimi që duhet të ketë shoqëria për gradimin profesional, moral dhe atë etik. Ajo pjesë akademikësh që ka fshehur emra të shquar të dënuar nga sistemi, madje edhe duke i sakatuar edhe duke bërë plagjiat me veprat e tyre, duket se e ka pasur fare të lehtë të gjejë të tilla modele siç ka ardhur vetë në fuqi. Ndaj dhe heshtja e tyre nuk lidhet me të sotmen, por me të djeshmen, të cilën ende nuk kemi guxuar ta lexojmë. Janë emra të tërë që u janë vjedhur veprat, u janë sakatuar trashëgimitë, duke i paraqitur më pas si punët e tyre. Të tillë njerëz nuk kanë më fuqinë morale të pranojnë të vërtetën, por duan të mbështesin “sojin e tyre”, duke garantuar kështu mbijetesën e tyre.
Dhe jemi sot “me këmbë në ujë”, pasi nuk kemi mundur të themi të vërtetën. Këtu duhet sqaruar mirë një pjesë e shoqërisë, se hapja e dosjeve nuk është për të dënuar dikë, por për t’i thënë të vërtetën brezave, që të mos ndërtojmë histori të gënjeshtra.
Po të shohim sot rezultatin, nisur nga politika, do të shohim se, nëse në fillim të tranzicionit kishte një tendencë për të propozuar për në institucione të tilla si: Kuvendi, bashki apo këshilla të nivele të ndryshme, persona që vinin nga arsimi, mjekësia apo profesione të nderuara, sot ndeshemi me faktin se një pjesë e atyre që kandidojnë i përkasin biznesit apo një grupi të mbështetur nga biznesi. Mjafton të analizojmë këshillat e fundit bashkiakë apo komunalë në mbarë vendin, për të parë se rreth 70 për qind e të zgjedhurve janë njerëz që vijnë nga biznesi, apo të mbështetur prej tij, por jo njerëz me një të kaluar shoqërore në favor të publikut.
Kur kam parasysh këto zgjedhje, natyrisht që nuk jam kurrsesi kundër biznesit apo biznesmenëve. Sipërmarrja e lirë është forca më e madhe në një sistem demokratik. Por të zgjedhurit, të cilët janë edhe të mandatuar për të menaxhuar taksat dhe problemet sociale në bashki e komuna, duhet më së pari të japin një garanci, se angazhimi i tyre do të jetë në favor të qytetarëve. Ne jemi dëshmitarë të një dyndjeje për marrje titulli akademik kur qeveria inkurajoi financiarisht njerëzit me tituj. Por, afërmendsh, kur një gjë e tillë ishte përtej limiteve, qeveria u tërhoq, duke ndëshkuar ndoshta këtu me pa të drejtë atë pjesë që e meriton mbështetjen financiare për shkak të vlerave që përçon përmes punimit të tij shkencor. Ne duhet të gjejmë rrugët për të shmangur inflacionin që kemi me fjalët, me titujt shkencorë, me botimet. Duhet t’u kthejmë autoritetin atyre institucioneve që paguhen për të orientuar shoqërinë. Ka ardhur koha të distancohemi nga titujt e marrë për “rolin e partisë dhe të Enverit” në atë kohë, por edhe të “titujve vetëm për tituj”, sepse nga degradimi i këtij sistemi, kemi më pas pasojën e një reaksioni zinxhir në raportin moral të shoqërisë, që sjell një model të gënjeshtërt për fëmijët tanë që nesër do të jenë zgjedhës dhe të zgjedhur, apo edhe orientuesit e shoqërisë. Ministritë përkatëse, ato të arsimit dhe të kulturës, duhet të botojnë veprat e plota të atyre që u është sakatuar vepra në kohën e diktaturës, si dhe të ngrenë institucion verifikimi për ata që aplikojnë në fushat shkencore, me qëllim që ajo që të mbështetet, të jetë e vlefshme, por, mbi të gjitha, edhe e moralshme. Pasi nuk mund të pretendojmë për edukim, kur nuk ecim vetë përmes një udhe të tillë. Për aq kohë sa nuk e kemi bërë, nuk do të kemi autoritete të besueshme, e, për pasojë, nuk do të kemi as edhe zgjidhje të besueshme. Por do të kemi vetëm njerëz që aprovojnë pa kuptim, si dhe mbështesin pa kuptim, duke rrezikuar kështu rritjen e një brezi pa personalitet. Dhe kjo sjell pajtimin me të keqen, që është edhe fatkeqësia më e madhe që mund të pllakosë një shoqëri. Pasi nuk është dramë të ndodhesh në situatë të vështirë – por dramë është të mos përpiqesh ta ndryshosh dhe të vijosh çdo ditë të futesh edhe më thellë në dështim, me “po”-të apo “jo”-të e pavlefshme.

© Panorama.al

Te lidhura