
Rrëmbehet për t’u martuar 11-vjeçarja, familjarët denoncojnë zhdukjen e saj. Policia e gjen në familjen e 15-vjeçarit me të cilin do të martohej. Një e mitur nga qyteti i Bilishtit është bërë pre e një rrëmbimi nga dy persona për qëllime martese. E mitura është marrë në makinë të dielën, pak para mesditës, nga çifti i bashkëshortëve Dritan dhe Entela Ajredini, përkatësisht 25 dhe 23 vjeç, të cilët kanë pasur si qëllim martesën mes të miturës dhe nipit të tyre. E mitura nga komuniteti rom është rrëmbyer teksa ka qenë duke luajtur me shoqet e saj para shtëpisë dhe, sipas të dhënave të Policisë, është çuar në drejtim të fshatit Rëmbec, ku jetonte djali me të cilin ajo do të martohej. Ka qenë denoncimi i familjarëve, të cilët të shqetësuar për humbjen e saj, kanë kërkuar ndihmën e policisë për të gjetur vajzën. Sipas versionit të dhënë fillimisht nga familjarët, vajza ka qenë duke luajtur me bashkëmoshataret e saj, ndërsa nuk është kthyer në shtëpi deri në mbrëmje. Të shqetësuar nga kjo vonesë, prindërit e saj kanë kontaktuar me vajzat e tjera, me të cilat ajo ka qenë duke luajtur. Rrëfimi i këtyre të fundit dhe dyshimet e familjarëve e kanë vënë policinë në gjurmët e së miturës, e cila është gjetur në fshatin Rëmbec të Korçës në banesën e 15-vjeçarit G.A. Burime të rezervuara nga Policia thanë se rrëmbimi i të miturës dhe mbërritja e saj në familjen e djalit është shoqëruar me elemente festive apo disa prej riteve të martesës, pasi qëllimi i 15-vjeçarit dhe familjes së tij ka qenë ajo e një lidhjeje martesore mes çiftit. Rikthimi i vajzës pranë familjes është bërë i mundur menjëherë pas mbërritjes së policisë në banesën e rrëmbyesve të saj. Deklarimet e “dhëndërit” dhe familjarëve të tij tregojnë se vajza është larguar nga banesa me dëshirën e saj, pavarësisht se nuk ka pasur miratimin e prindërve. “Ne jemi njohur në Bilisht rreth një vit më parë, por ajo erdhi me dëshirën e saj. Pasi u lidhëm, vazhdimisht më kërkonte që të martoheshim dhe kështu bëmë. Nuk e kam marrë me forcë, ne lamë një orar për t’u takuar dhe ajo doli vetë nga shtëpia e saj. E kishim caktuar që të takoheshim në orën 11:30 dhe unë shkova me të afërmit e mi. E. doli vetë te rrugica, u takuam së bashku dhe hipëm tek makina e xhaxhait tim. Gjithçka ndodhi me dëshirën e saj”, ka rrëfyer për gazetën “Panorama” “dhëndri” 15-vjeçar. Rrëfimi i tij konfirmohet edhe nga nusja e xhaxhait, e akuzuar për implikim në rrëmbimin e vajzës. Entela Ajredini tregon se vajza nuk është detyruar në asnjë moment për t’u martuar, por ka shkuar në familjen e tyre me dëshirën e saj.

“Nuk e detyroi askush për asnjë gjë, erdhi te makina, hapi derën dhe hipi vetë. Kishte lënë orarin kur do të largohej me Gentianin dhe ai na tha ne që të shkonim së bashku për ta marrë. Kaq bëmë ne, kurse planet i kishin bërë ata të dy së bashku”, është shprehur 23-vjeçarja. Pasi ka rikthyer vajzën pranë familjes, Policia ka nisur hetimet për rastin. Zyrtarisht është njoftuar se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për xhaxhain e 15-vjeçarit dhe nuses së tij, të cilët kanë qenë personat që kanë transportuar me automjetin e tyre dy minorenët nga Bilishti në fshatin Rëmbec. Ata po ndiqen në gjendje të lirë për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë”. Policia ka kërkuar edhe ekspertimin mjekësor të vajzës, për të parë nëse me të është abuzuar seksualisht, por rezultati i kësaj të fundit ka qenë negativ. Mjeku ligjor ka arritur në përfundimin se me vajzën e mitur nuk janë kryer marrëdhënie seksuale.
Njohja mes të miturve
G.A, 15-vjeçar, duke i rënë daulles shpesh drejtohej nga njëri fshat në tjetrin apo edhe në qytetin e Bilishtit, kryesisht në ditët e festave. Njohja mes vajzës 11-vjeçare dhe djalit ka ndodhur thuajse një vit më parë, kur djali kalonte nga njëra rrugë në tjetrën. Duke qenë festa e Bajramit, djali kishte shkuar në qytetin e Bilishtit për të siguruar disa të ardhura përmes daulles më të cilën luante. Pëlqimi i ndërsjellë mes dy të miturve ka bërë që ata të nisin një marrëdhënie dhe 11-vjeçarja të pretendojë martesën. Pas një viti, dy të vegjlit kanë vendosur të martohen dhe vajza pa dijeninë e prindërve e të afërmve të saj është larguar së bashku me 15-vjeçarin G.A.
Denoncimi
Familjarët e vajzës kanë ngritur pretendimin se vajza e tyre është rrëmbyer kundër vullnetit të saj. Ata kanë pohuar se ka qenë një prej shoqeve të saj, ajo që ka bërë njohjen mes dy të miturve, ndërsa asnjëri nga prindërit e vajzës nuk ka pasur dijeni për një lidhje të sajën. Sipas rrëfimit të gjyshes, vajza në asnjë moment nuk ka shfaqur dëshirën për t’u larguar nga banesa. “Nuk kam se çfarë të them, ajo është e vogël dhe e rrëmbyen kur doli të luante jashtë. Ka vetëm 4 klasë shkollë dhe është e padjallëzuar, kështu që përfituan prej saj. Vajzën na e sollën, por ky është një turp për familjen tonë. Tani e çoi i ati tek gjyshërit në Korçë, që të rrijë disa ditë atje sa të qetësohet”, tregon gruaja.
DEVOLL/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











