Rregullorja e Kosovës, stop avokatëve të huaj

Dec 24, 2011 | 10:17

PRISHTINE- Nga 1 janari i vitit 2012 asnjë avokat ndërkombëtar nuk ka të drejtë të mbrojë klient në Kosovë, në qoftë se nuk plotësohet kushti që shteti prej nga vijnë, të pranojë avokatët kosovarë që të licencohen dhe të zhvillojnë veprimtarinë në atë vend.

Ky “bojkotim” për avokatët ndërkombëtarë është vendosur gjatë mbledhjes së Odës së Avokatëve të Kosovës, ku me vota unanime është ndryshuar rregullorja për avokatët e huaj në Kosovë.

Kësaj rregulloreje i janë modifikuar e i janë shtuar pika të reja. Edhe avokatë të huaj që aktualisht mbrojnë klientët e tyre në Kosovë, këtë gjë mund ta bëjnë më 1 janar të vitit 2012.

“Me kushtet e reciprocitetit, ashtu që me rastin e aplikimit për licencim, avokati i huaj duhet Odës t’i paraqesë dëshmi nga autoriteti kompetent për regjistrimin e avokatëve, sipas të cilit avokatët e Republikës së Kosovës mbi baza të njëjta mund të pajisen me licencë të avokatit në vendin nga i cili është aplikanti”, thuhet në pikën A, e cila është shtuar në paragrafin 3.2 të nenit 3 të rregullores së OAK-së për avokatët e huaj. (Zeri)

© Panorama.al

Te lidhura