Përfshihet parimi one-stop-shop. Kompanitë, zgjidhje problemeve të bartjes së numrit brenda 8 orëve.
AKEP, konsultim publik: Ndryshimet për efekt të konkurrencës.
Bartja e numrit celular në kalimin nga një kompani në një tjetër, si procedurë relativisht e re për shqiptarët, sikurse ka sjellë të mirat gjatë kësaj periudhe, mund të ketë shfaqur edhe pikat e dobëta të tij. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dukë iu referuar ecurisë së deritanishme të portabilitetit të numrit, ka ndërhyrë në rregulloren që sanksionon mënyrën e funksionimit duke bërë ndryshime në disa nga nenet e saj. Qytetarit tani i jepet më shumë prioritet, duke përcaktuar qartë limitet kohore në të cilat kompanitë duhet të kryejnë bartjen e numrit. AKEP përfshin në këtë rregullore parimin one-stop-shop, që shkurton kohën e shërbimit për pajtimtarin. Kështu, neni 17 i rregullores që përcakton se si do të veprohet, ka marrë këtë formë: “Nëse kërkesa për bartje nuk mund të zgjidhet nëpërmjet shkëmbimit të mesazheve standarde elektronike, personi i kontaktit i operatorit marrës do të kontaktojë drejtpërdrejt personin e kontaktit të operatorit dhënës që të diskutojë një zgjidhje të mundshme. Duke respektuar parimin “one-stop-shop” të bartjes së numrit, operatorët duhet të gjejnë një zgjidhje brenda 8 orëve pune, duke shkëmbyer dhe përditësuar të dhënat e sakta në interes të pajtimtarit dhe vazhdimit të procesit të bartjes”, thuhet në rregullore. Një tjetër pikë që qartësohet në ndryshimet e rregullores për bartjen, është edhe ajo e mënyrës se si do të procedojnë kompanitë celulare në rastet kur ka gabime në procesin e bartjes së numrit. Ndryshimi në rregullore sanksionon se: “Operatori marrës është i detyruar që në bashkëpunim me operatorin dhënës dhe pajtimtarin të kryejnë brenda një afati sa më të shkurtër korrigjimin e gabimit të konstatuar në kërkesën për bartje”. AKEP në ndryshimet që ka nxjerrë për konsultim publik deri në datë 23 janar, thekson se këto ndryshime vijnë në kuadër të konkurrencës në treg, por edhe përmirësimit të procedurave në interes të qytetarëve. “AKEP ka për qëllim të realizojë zgjidhje që do të kontribuojnë ndaj konkurrencës, në veçanti duke e bërë të lehtë dhe të shpejtë për bartjen e një numri nga një rrjet tek tjetri; sjellin përftime më të mëdha për abonentët dhe mbrojnë interesat e abonentëve e përdoruesve të tjerë fundorë, në veçanti në lidhje me transparencën e tarifave; janë neutrale nga pikëpamja e teknologjisë dhe që funksionojnë si në rrjetet klasike të telefonisë (PSTN) dhe në rrjetet e gjeneratës tjetër (VoIP, NGN); janë plotësisht në përputhje me legjislacionin aktual të BE-së”, argumenton AKEP.
Ç’është bartja e numrit
Bartja e numrit u mundëson të gjithë qytetarëve, që kanë një numër celulari të një prej kompanive celulare në vend, të ndryshojnë operator duke mbajtur të njëjtin numër. Qytetarët kanë mundësi në këtë mënyrë të zgjedhin operatorin që mendojnë se u përgjigjet më mirë kërkesave dhe nevojave të tyre.
Kompanite celulare
Aktorëve të përfshirë në këtë rregullore, siç janë kompanitë celulare, u është lënë një muaj afat për të parë ndryshimet në rregulloren për bartjen e numrit dhe për të dhënë opinionin e tyre lidhur me këtë ndryshim. Pas kësaj, Këshilli drejtues i AKEP merr edhe vendimin për miratimin sipas konkluzioneve të dala gjatë këshillimit publik.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











