YLBER LILI
Papunësi, varfëri, mjerim, ikje-migrim, korrupsion, mungesë investimesh, izoli-m, diskriminim, cinizëm, populizëm, fyerje, tallje, poshtërim, nëpërkëmbje, vandalizëm, vasalitet, krekosje, despotizëm, hipokrizi, amatorizëm, injorancë, servilizëm, sharlatanizëm, butakëri, pseudonacionalistë, e palo patriotë, me dhe pa histori, me dhe pa identitet, me dhe pa emër, me dhe pa identitet social, padurueshmëri, urrejtje, jetë paralele, krizë institucionale, politike, etnike, fqinjësore, pronarë e çirakë etj. Ky është pak a shumë realiteti social, ekonomik, kulturor, politik, institucional dhe etnik që është rrasur e ngjeshur brenda një kornize që mbahet me këmbë të qelqta e që quhet FYROM, dhe që paradoksalisht para pak ditësh kremtoi 20-vjetorit të pavarësimit (betonoi shtetin njënacional maqedonas). Ky përvjetor, sërish dëshmoi edhe njëherë se shqiptarët janë të margjinalizuar dhe të përjashtuar nga e vërteta historike si popull shtetformues.
Ndonëse e përmbledhur me pak fjali, sidoqoftë, është e mjaftueshme për gjithkënd që kërkon të informohet rreth asaj ku karambolohet e vërteta me mashtrimin, apo aty ku rrëfimet shtrihen si dy shina paralele që nuk gjejnë askund pikëtakime. Realiteti i mësipërm, në ndryshim nga konferencat false dhe retorika gënjeshtare e aktorëve politikë, është e bazuar në dritën e projektorëve të një realiteti të prekshëm dhe të matshëm.
Meqë jemi tek 20-vjetori i pavarësimit, qysh prej asaj kohe ekzistojnë dy rrëfime: i pari është i bazuar mbi gënjeshtrën, ka të bëjë me diskursin, retorikën, populizmin dhe komunikimin politik që bombardon opinionin publik me propagandë kinse për mirëkuptim, tolerancë, diversitet kulturor, barazi institucionale dhe për të drejta kolektive të etniteteve.
Pishtarët e kësaj propagande mashtruese janë elitat politike, të cilat sa herë e ngjyejnë gishtin në tortën e pushtetit, përhapin duhmën e “sukseseve” (gënjeshtrës). Sipas rrëfenjave të këtij soji politikanësh dhe elitash, bashkëjetesën multietnike, gjuhësore, kulturore e religjioze do ta kishin zili edhe shtete të përparuara demokratike, siç, bie fjala, Zvicra apo Belgjika.
Ndonëse ky trill është sa qesharak, aq edhe neveritës, gjithsesi, diskursi dhe ligjërimi politik nuk duhet përbuzur të paktën nga pikëpamja e një studimi krahasues. Kur i dëgjon pushtetarët shqiptarë pa pushtet në qeverinë e maqedonasve, mendja të shkon në kohën e monizmit. Ka një ngjashmëri deri në përsosmëri nga mënyra e strategjisë së propagandës.
Asokohe propaganda e pompuar nga duhma ideologjike e kohës mbante të “burgosur” popullin, i cili shtrigjej në shtrat me barkun bosh dhe gdhihej me kokëdhembje nga bombardimi i trurit me gënjeshtra të tipit: realizime detyrash dhe direktivash, për tejkalim planesh afatshkurtra dhe afatmesme, duke e ilustruar me përqindje maksimale. Pothuajse e njëjta situatë është aktualisht në hapësirat shqiptare në FYROM. Politikanët shqiptarë, sa herë ngrohen me diellin e pushtetit, propagandojnë në konferenca shtypi e tryeza të rrumbullakëta se Marrëveshja e Ohrit është realizuar 95%. Jo vetëm kaq. Hipokritët politikë tentojnë të na mbushin mendjen me dokrra të llojit se në FYROM, tashmë jo vetëm janë relaksuar marrëdhëniet ndëretnike…, por, sipas shashkës së Ali Ahmetit, pas ca vitesh shqiptarët do të jenë presidentë e kryeministra. Nuk do të jetë e largët dita kur sërish Ahmeti t’i drejtohet opinionit shqiptar me broçkulla të tipit: bëni durim sepse pas ca vitesh të gjithë do të hani me “lugë floriri”.
2-
Rrëfimi i dytë është i prekshëm dhe i matshëm: sot e gjithë kohën ekziston një distancë e rrezikshme etnike, mosdurim deri në urrejtje mes dy komuniteteve më të mëdha, aq sa mund të themi pa nguruar se, de fakto, mes shqiptarëve dhe maqedonasve ekziston jetë paralele. Nga ana tjetër, Marrëveshja në fjalë (MO), ka dhënë shpirt qysh në vitin 2004, atëherë ku skadoi dhe afati i implementimit praktik të saj. Nga ajo kohë kanë ndodhur shumë ngjarje dhe fenomene që bien ndesh me përmbajtjen e kompromisit mes palëve. Edhe në këtë rast karambolohet e vërteta me gënjeshtrën.
Pra, megjithëse e vërteta është e hidhur dhe e dhimbshme, ajo duhet rrëfyer ashtu siç është realisht. Përtej fasadës që e kemi peshqesh nga elitat e dhjamosura dhe kokë boshe politike, të drejtat kolektive të shqiptarëve nëpërkëmben dhe përdhosen.
Si për ironi, një grusht pushtetarësh dhe shtetarësh pa emër, identitet dhe gjuhë, diskriminojnë deri në asht dhe poshtërojnë pa ndërprerë një popull me emër dhe mbiemër, me histori, kulturë, gjuhë e traditë të lashtë. Për ilustrim, në arkën e buxhetit të shtetit maqedonas, shqiptarët derdhin mbi 50% të shumës. Fatkeqësisht, shqiptarët përfitojnë vetëm 1 deri në 2% të buxhetit total. Pjesa tjetër harxhohet për projekte monoetnike, monofetare dhe për falsifikim të historisë dhe identitetit nga ana e maqedonasve.
Në këtë kontekst, askush të mos kruajë kokën nga sikleti për poshtërimin e radhës që u bëhet shqiptarëve nga ana e sllavomaqedonasve. E kam fjalën për librin e Historisë së klasës së gjashtë, në kapitujt e së cilës, gjithnjë sipas specialistëve pa emër, histori, gjuhë e identitet, ilirët na paskan qenë popull kusar dhe që nuk janë paraardhës të shqiptarëve.
Duke marrë shkas nga rasti në fjalë, maqedonasit tashmë e kanë shndërruar në traditë pune qasjen poshtëruese dhe fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
Përtej diskriminimit, politik, etnik, kulturor, historik, ekonomik e social, nuk është e largët histeria maqedonase, e cila turr për të përvetësuar figurën emblematike të kombit shqiptar, Nënë Terezës, apo kur akademikët maqedonas prodhuan një palo enciklopedi ku shqiptarët i quanin kaçakë e shpellarë. Është i freskët fare skenari ku Parlamenti maqedonas vendosi që simbolin e kombit shqiptar ta rrudhë dhe ta shndërrojë si një leckë pa vlerë krahasuar më flamurin shtetëror maqedonas, sikundër është taze përçudnimi i gjuhës shqipe. Në këto rrethana, të gjithë ata që shqetësohen për fatet e një pjese të kombit në mënyrë të habitshme mund të shtrojnë pyetjen: ku buron çalltisja e elitave maqedonase që diskriminojnë dhe poshtërojnë një komb tjetër?
Pa hyrë në detaje, “trimërimi” i maqedonasve ndodh së paku për dy arsye: së pari, pushtetarët shqiptarë sillen dhe veprojnë si kuislingët e dikurshëm. Ata pranojnë çdo kusht e diktat, thjesht dhe vetëm të qëndrojnë në pushtet. Kjo është njëra anë e medaljes; nga ana tjetër, elitat maqedonase shfrytëzojnë maksimalisht injorancën e përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e sistemit. Së dyti, ata trimërohen kur shikojnë se askush nuk shqetësohet për fatet e një pjese të kombit shqiptar në ato hapësira.
Le të guxojnë maqedonasit të veprojnë ndaj etnive të tjera siç veprojnë me shqiptarët dhe sa hap e mbyll sytë do të ndeshen me shuplaka surratit. Ata e provuan të “gudulisin” bullgarët, por brenda natës u ulën në gjunjë, natyrisht, kanë tentuar t’i provokojnë edhe të tjerët, por tashmë përkunden në djep, në kërkim të emrit. Vetëm ne shqiptarët nuk e prishim terezinë, jemi të urtë e të butë…, si i thonë: ne me pambuk, ata me gurë… ne ofrojnë dorën e tolerancës dhe të bashkëpunimit, ata ofrojnë gjuhën e urrejtjes dhe të poshtërimit.
Në këto kushte, nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtetin maqedonas nuk mund të pritet asgjë. Ky përfaqësim është njëlloj si vetë koncepti maqedonas për shtetin. Duke iu referuar formulës së elitës maqedonase, rezulton se FYROM ngjan më një tullumbace, e cila merr formë si rezultat i frymëmarrjes së komunitetit ndërkombëtar, por në brendi nuk ka materie (identitet, gjuhë, histori, kulturë e traditë). Ndërkaq, përfaqësuesit shqiptarë të përfaqësuar nga Ahmeti, karakterizohen nga deficite të mëdha: paaftësi, mungesë autoriteti, integriteti dhe dinjiteti përballë maqedonasve. Me një fjalë, askush nuk i bën hesap.
3-
Ata që nuk i njohin mirë prapaskenat në FYROM, mund të thonë se kësaj radhë shqiptarët arritën të marrin këtë, apo atë ministri. Kot fare, thjesht kanë çelësat e kashtës! Për kushtet dhe rrethanat specifike ku jetojnë shqiptarët atje, kultura, arsimi, shëndetësia, financa, doganat, të ardhurat publike, puna dhe çështjet sociale janë domosdoshmëri, madje jetike. Ndërkaq, oferta për Ministrinë e Mbrojtjes, apo integrimet më shumë është djallëzi e maqedonasve sesa dobi për shqiptarët.
Ta konkretizojmë. Një nga problemet madhore që e karakterizon Maqedoninë është mbetja jashtë strukturave veri-atlantike. Sipas të gjitha gjasave, kështu do të ndodhë edhe për shumë kohë, Gruevski nuk ka ndër mend të dorëzojë armët e nacionalizmit të shpifur. Tashmë kur pritet që gjakrat mes Shkupit dhe Athinës të ndizen akoma më shumë, maqedonasit, faturën e fajit do ta hedhin te përfaqësuesit shqiptarë, të cilët nuk e kuptojnë se po përdoren si letër me një përdorim. Fundja, shqiptarët nuk kanë problem me identitetin që marrin përsipër të shërbejnë si tellallë: të tjerë e shkruajnë tekstin dhe të tjerë e lexojnë nëpër konferenca shtypi apo takime kortezie.
Ata (shqiptarët), kanë nevoja emergjente për forcimin e identitetit kombëtar, social, kulturor, për mbrojtjen e trashëgimisë etno-kulturore, për biblioteka dhe shkolla bashkëkohore, për mbrojtje dhe mirëqenie social -ekonomike, për përfaqësim dinjitoz në administratën shtetërore dhe publike, për investime, për integritet dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar. Kështu duhet të jetë, por kujt t’i shkruash dhe t’i thuash.
Pushtetarët pa pushtet e kanë mbledhur mendjen: duke shërbyer si çirakë në oborrin e Nikolla Gruevskit, i cili qeveris si pronar pushteti dhe shteti, ata sigurojnë mbijetesën politike. Për pasojë, nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtet nuk mund të pritet asgjë, por mekanizmat nuk janë shterur. Shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë për të vepruar, gjithnjë në përputhje me standardet dhe vlerat demokratike.
Tirana zyrtare duhet të ndryshojë kursin e qëndrimeve të saja pacifiste dhe të reagojë në përputhje të plotë me normat, dhe standardet demokratike, mbi të gjitha, në kuadër të kushtetutshmërisë. Sa më shumë e rrisim dozën e pacifizmit, aq më shumë trashet zullumi i palës maqedonase ndaj etnitetit shqiptar. Ndër të tjera, mbetem ithtar i unifikimit të teksteve. S’do mend, ky duhet të jetë vetëm fillimi i shqetësimit të kombit për fatet e tij.











