Është njëra nga konkurentet e “Vip Shpia”, një reality show që do të fillojë me 1 prill në një nga kanalet televizive të Kosovës dhe që është konceptuar me pjesëmarrës vetëm fytyra publike, njëra nga të cilat është edhe këngëtarja e njohur Rovena Stefa. Vitin e kaluar Rozana Radi, pjesëmarrëse në këtë program e fyu rëndë Rovenën dhe është pikërisht kjo arsyeja mbase që e shtyu Rovenën ta pranojë këtë ftesë, ose më saktë njëra nga arsyet, pasi ajo tashmë do të ketë mundësi të tregojë se kush është në të vërtetë jashtë skenës dhe sa të pabaza kanë qenë fjalët e koleges së saj.
Çfarë ju shtyu të merrnit pjesë tek “VIP SHPIJA 2”?
Arsyeja që më bëri ta pranoja ofertën e stafit organizues të reality show-t më të madh në Kosovë, “Vip Shpija” ishte tepër komplekse, së pari ai është një spektakël që vitin e kaluar mori vemendje shumë të madhe si nga publiku ashtu edhe nga media, së dyti unë e shoh veten në këtë spektakël si një Rovenë tepër reale dhe që publiku nuk e ka parë asnjëherë, pasi mua do më jepet mundësia për herë të parë të tregoj vlerat e mia si njeri, si humane, si artiste që jeton e frymon njësoj si të gjithë, gatuan, fle, komunikon e debaton mbi argumente të ndryshme të jetës së përditshme e kështu do të jetë interesante besoj për publikun të shohë gjëra që nuk i ka parë më parë. E së fundmi arsyeja tjetër shumë e rëndësishme, jo më kot e lashë për në fund, është që unë dua nëpërmjet qëndrimit tim brenda, të komunikoj me kolegët e mi artistë e të tjerë të njohur për publikun, të tregoj që artistët e vërtetë janë ata që kanë një zemër të madhe e nuk i pengon suksesi apo talenti i të tjerëve, nuk merren me kotësira duke u kapur në sende të vogla, se ajo shprehja popullore, “nuk kam ç’ti bëj gomarit e i bie samarit” është tamam me vend në situatat e shëmtuara që na panë sytë vitin e kaluar kur shikoje artistët të ziheshin për nje pjatë makarona. Të tilla skena nuk na bëjnë të krenohemi për kulturën dhe dashamirësinë që duhet të na karakterizojë, kështu që unë nuk dua të bëj shumë politikë e të flas përpara kohe, por ju premtoj që do ta vë në vend opinionin e krijuar gabimisht për artistët. Unë ju premtoj se do të këndoj e do të zbavis publikun me gjëra mjaft pozitive.
Ju brenda do të bashkëjetoni edhe me kolegë të tjerë si Xuxin apo Qetesorin, i cili ka thënë se aq i bën për Vipat. Ai nuk ju sheh ju me atë sy, por thjesht si konkurrentë. A keni diçka për t’i thënë atij?
Heheh, vërtet kështu paska thënë!? Ai po që është një lojtar, por unë dua ta lë të qetë Qetesorin, se e shoh që e paska marrë me zjarr”. Po mirë, kjo është garë dhe unë i kam për zemër garat, sidomos ato me popullaritet dhe le të fitojë më i miri, dmth ai që do të ketë motivet më të sakta dhe të drejta për të fituar dhe jo thjesht një tufë parash, te fitosh është shumë më shumë se kaq.
Ndërkohë ju sapo keni hedhur ne treg videon më të re të titulluar “Mallkuar”, e cila është e kompozuar nga vetë ju dhe është pritur mirë në opinionin e përgjithshëm. A keni mallkuar ndonjë me të vërtetë në jetën tuaj?
Unë nuk mallkoj kurrë, se nuk bëhem kurrë pishman për gjërat që zgjedh dhe prandaj dhe nuk mallkoj për një gjë që e kam zgjedhur vetë. Por si artistë dhe unë krijoj dhe fantazoj ngjarje, çaste, apo ndjenja që nuk janë gjithnjë të miat. Videoja është duke u pritur mjaft mirë dhe shpresoj të jetë edhe kjo këngë e pëlqyeshme, ashtu siç ishte “Malli”.











