Rovena Agolli: Si e arredova shtëpinë e “Big Brother Albania”

May 8, 2011 | 12:41

Flet ideatorja dhe arreduesja e brendshme e shtëpisë së edicionit të katërt të “Big Brother”, ndërkohë që po përgatitet për të pestin. Por, jo vetëm. Shumë shtëpi të personazheve publikë shqiptarë mbajnë firmën e saj… Rovena Agolli rrëfen për shijet dhe pse jo tekat e tyreArti është fusha ku ajo “prehet” e qetë shpirtërisht. Është një marrëdhënie e ngjashme simbioze mes ideve personale, standardeve të kohës dhe materializimit të gjithfarë gjetjesh në realitet. Arreduesja e brendshme e formateve televizive në “Top Channel”, por edhe e shtëpive të disa personazheve të spikatur publikë tregon për raportin e përditshëm me këtë punë. Kënaqësinë që merr në këmbim, dhe ndonjëherë situata të vështira që ia bien në majë të hundës.
Një lidhje shpirtërore, çështje pasioni apo profesion i jetës? Si do ta etiketonit marrëdhënien me artin pamor dhe arkitekturën në përgjithësi?
Nuk e di se çfarë mund të bëja në jetë, nëse nuk do kisha lidhje me artin ose dizainin. Që kur isha vogël, e kaloja pjesën më të madhe të kohës duke pikturuar dhe nuk lodhesha kurrë. Mendoja vetëm për pikturën dhe nuk kisha dyshim që kur të rritesha, do bëhesha piktore, edhe pse prindërit dëshironin të studioja për mjekësi. Ndoshta qe ky ngacmimi për të shfletuar librat e anatomisë që kisha në shtëpi dhe kurioziteti për trupin e njeriut më bënte të vizatoja e pikturoja me më tepër dëshirë figura njerëzish e portrete, sesa peizazhe apo abstraksione. Mendoja e punoja ditë e natë për të ardhmen time si artiste dhe kjo ndodhi. Fitova konkursin në Liceun Artistik, e më pas në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Më pas m’u krijua mundësia për të studiuar në SHBA për “Interior Design”, që për mua ishte një dashuri e re, e ngjashme me atë të pikturës.
Vendi ku materializoni dukshëm idetë tuaja është “Top Channel”. Si është për ju të qenit ideatore e skenave për formatet televizive?
“Top Channel” për mua është shtëpia e dytë. Kam një dashuri që nuk më shteron kurrë. Sapo mbarova studimet, u bëra pjesë e stafit të këtij televizioni të ri dhe ambicioz, ku më propozuan të punoja si grimiere dhe kostumografe. Isha shumë e lumtur që ma besuan mua imazhin e ekranit, ndaj bëra gjithçka për të krijuar një look totalisht të ri për ekranin shqiptar. Televizioni ishte për mua një fushë e re, një dimension i ri, ku mund të kompozoja shumë elemente njëkohësisht. Së fundi, m’u hap një portë e re në fushën e skenografisë, e cila më jep më tepër mundësi të krijoj e zbuloj dimensione të reja. Edhe këtë herë u gjenda para një përgjegjësie të cilën duhej ta përballoja me sukses, duke pasur parasysh që përfaqësoja një televizion prestigjioz.
Ku e gjeni inspirimin dhe a keni modele të cilave u referoheni?
Jeta ime është frymëzimi im. Inspirimin e gjej në çdo detaj që më rrethon, në çdo grimcë të jetës, në çdo ditë që jetoj, në muzikën që dëgjoj e librat që lexoj. Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj bote kaq të larmishme dhe përpiqem të eksploroj gjithçka të re e ta përkthej më pas në krijim. Udhëtimet janë për mua një tjetër inspirim i madh. Sa herë udhëtoj, ridimensionohem, rilindem. Modele kam gjithnjë në kokë e përpiqem të jem në korrent të asaj çka ndodh në botën e artit e dizainit, dhe jo rrallë shoh krijime që më shijojnë aq shumë e i ndjej aq pranë, saqë më duket sikur i kam bërë vetë, edhe pse mund të jetë një vepër nga ndonjë emër i njohur diku në botë.
Ndalemi pak më gjatë tek fakti që ju keni qenë ideatorja e shtëpisë së famshme “Big Brother Albania”…
Në fakt, shtëpia e “Big Brother” ishte një projekt që më intrigonte prej kohësh, ndaj nuk mund ta fsheh entuziazmin që pata atë moment që m’u besua sfida. Menjëherë pas kësaj, fillova të krijoj në mendje hapësira të reja e dinamike për banorët e rinj. Punova gjatë për detajimin e çdo cepi të shtëpisë, duke krijuar një ambient të këndshëm e komod për të gjithë konkurrentët e reality show-t.
Ku i gjetët idetë dhe si mundët t’i përshtasnit ato me hapësirat në dispozicion?
Ajo që më shkoi në mend menjëherë, ishte të krijoja një shtëpi futuriste, me ambiente moderne, të sofistikuara, dinamike dhe plot dritë e ngjyra potente. Ideja ishte të krijoja një shtëpi të së ardhmes që do të prezantonte art dhe dizain, por pa harruar komoditetin. Duke pasur parasysh që banorët janë kryesisht të rinj, shtëpia duhej të prezantonte një ambient të gëzueshëm, të larmishëm dhe aspak të mërzitshëm. Për këtë arsye, zgjodha mobilie e materiale të dizenjuara nga emra të mëdhenj të dizainit ndërkombëtar. Frymëzim për mua u bë çdo detaj i përfytyruar për të krijuar një ambient frymëzues, si dhe tendencat e fundit të dizainit të brendshëm, të cilat sollën më pas një ambient të pëlqyeshëm për syrin e shumë teleshikuesve.
Shtëpia e katërt e reality show-t shqiptar mban firmën tuaj të ideimit dhe projektimit, ndërsa po punoni për të pestën. Ju jep kënaqësi ky besim që ju është thënë?
Absolutisht po. Nga hera në herë, ndryshimet janë të dukshme dhe vizualisht hapësirat nuk duhet të jenë të ngjashme me njëra-tjetrën. Pas edicionit të katërt, po afrohet edhe ai i radhës, ku jam duke menduar shumë seriozisht për “dorën e ndryshimit” që do të përfshij në të.
A ka ndonjë kusht në materializmin e hapësirave, objekteve, ngjyrave me individët protagonistë të shtëpive të njëpasnjëshme?
Është e gjitha çështje përshtatje stili, gjetje idesh dhe materializim me hapësirat në dispozicion. Banorët janë ata që duhet ta përqafojnë ndryshimin, ta jetojnë sipas mënyrës së tyre… është krejt e thjeshtë… kushte të përcaktuara dhe strikte për kësi gjetjesh, besoj se nuk ka.
Ndërkohë, ju keni krijuar një studio projektimi të quajtur “Fabrika”, e që bashkë me stafin tuaj keni dizenjuar shtëpi e lokale të disa personazheve publikë. Mund të na zbuloni diçka mbi shijet e VIP-ave shqiptarë? A ka “tekanjozë” mes tyre, apo më së shumti u besojnë gustove të tua?
Të them të drejtën, thuajse të gjithë “VIP-at” për të cilët kam punuar, janë edhe miq e të njohur, me të cilët punoj prej vitesh në televizion, ndaj nuk e kam pasur të vështirë konceptimin e hapësirave të përshtatshme për secilin prej tyre. Puna bëhet më e lehtë kur klienti ka besim tek ti. Duke i njohur edhe nga afër, e kam pasur më të lehtë të krijoj ambiente që u shkojnë karakteristikave të personalitetit të tyre. Gjithsesi, tekat janë gjithnjë të pranishme si tek VIP-at, ashtu edhe në njerëz të tjerë jo të njohur, por kjo është pjesë e kësaj pune me të cilën jam mësuar tashmë. Çdokush përfshihet emocionalisht kur bëhet fjalë për të krijuar një ambient cilësor për jetesën ose punën e tyre, e natyrisht që puna ime përveç këshillimit, është edhe dëgjimi. Duhet të dëgjoj e kuptoj se çfarë ka në mendje a dëshirë klienti dhe më pas të sugjeroj e orientoj drejt stilit, ndriçimit dhe materialeve të duhura për të krijuar një ambient unik e në harmoni me kërkesat e tyre.
Në punën tuaj të përditshme krijuese e artistike, a ka pasur momente “dështimi”?
Suksesi dhe dështimi, dhimbja dhe kënaqësia, fama dhe poshtërimi, janë të gjitha të rastësishme. Esenciale është vetëm vetëdija dëshmuese”, ka thënë Osho, një profesor filozofie dhe spiritualist indian. Mendoj se janë të gjitha pjesë e pashmangshme e jetës, ndaj i shoh si një dëshmitare e ndërgjegjshme, duke u përpjekur të mos përfshihem totalisht as në sukses as në dështim, por të jem sa më pranë me esencën dhe vetëdijen time e për të mos humbur ekuilibrin.
Në një kohë që arredoni shtëpitë e shumëkujt, çfarë stili ka juaja? Ju pëlqen shpesh që të ndërroni stil, apo jeni besnike e një stili të vetëm?
Shtëpia ime ka një stil pak a shumë minimalist, që përputhet shumë me shijet e mia. Herë pas here tundohem të bëj ndryshime më inovative, por gjithnjë i qëndroj së njëjtës paletë ngjyrash e të njëjtit stil. Sa herë përpiqem ta përfytyroj ndryshe, e kam të pamundur. Vizatoj në mendje sërish të njëjtën situatë dhe është pak e çuditshme, pasi kjo nuk më ndodh me veshjet, të cilat më mërziten shpejt e dua t’i ndryshoj.

 

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura