Roshi në provë tek Këlni, Vajushin e kërkon AEK

May 19, 2011 | 11:25

Odise Roshi, mesfushori i talentuar fierak, prej dy ditësh është në provë te skuadra gjermane e Këlnit. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë lojtarit, ndërkohë që edhe vetë drejtuesit e klubit gjerman nuk i kanë kursyer komentet për 20-vjeçarin. Në këtë mënyrë, futbollisti i Flamurtarit ka dribluar Anderlehtin e Besnik Hasit, për t’iu bashkuar klubit gjerman që militon në Bundesligën 1. Mesfushori i djathtë me tipare sulmuese kishte njoftuar publikisht se kishte një problem në gju dhe për këtë arsye ai nuk ishte stërvitur me skuadrën e Flamurtarit ditët e fundit. Madje, jo vetëm kaq, por ai kishte deklaruar se po kryente stërvitje veçmas ekipit, me qëllim që të riaftësohej sa më shpejt. Media e këtij vendi ka raportuar se futbollisti prej dy ditësh kishte nisur provat me skuadrën e Këlnit, që u renditen në vendin e dhjetë në fund të këtij sezoni. Për mesfushorin e talentuar ka pasur interesim edhe nga dy klube zvicerane. Ndërsa mesfushori i talentuar i Vllaznisë, Armando Vajushi, është kërkuar së fundmi nga klubi grek i AEK-ut. Mesfushori i përfaqësueses U-21, zhvilloi një sezon mbresëlënës me skuadrën shkodrane dhe ka qenë vazhdimisht nën monitorimin e të huajve. Shkes për ta bindur Vajushin që të marrë seriozisht në konsideratë interesimin e AEK-së është futur Bledar Kola. Media greke bën të ditur se ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, aktualisht drejtor i Akademisë së AEK-së, ka nisur kontaktet me të afërmit e futbollistit, për t’i bindur ata që ta lejojnë mesfushorin me tipare sulmuese, të testohet për disa ditë te klubi grek.

Renditja

Renditja e FIFA-s për muajin maj, e publikuar paraditen e djeshme nga organizmi drejtues i futbollit botëror, ka pësuar shumë pak ndryshime nga ajo e muajit prill. Shqipëria është një nga përfaqësueset e shumta që nuk kanë asnjë ndryshim në renditje, duke vazhduar të pozicionohet në vendin e 50-të.
Spanja, Holanda, Brazili, Gjermania dhe Argjentina janë 5 vendet që vazhdojnë të kryesojnë renditjen e FIFA-s.

Blof i Bogdanit, s’ka rinovuar

Erjon Bogdani nuk ka rinovuar ende kontratën e tij me Çezenën. Sipas mediave italiane sulmuesi shqiptar, edhe pse pati deklaruar se do të qëndronte tek kjo skuadër në rast se do të arrinte të mbijetonte në Serinë A, përsëri nuk ka hedhur firmën në kontratën e re edhe për sezonin tjetër. Arsyeja qëndron tek disa oferta që gjigandi i sulmit kuqezi ka marrë nga skuadra nga jashtë Italisë, të cilat i kanë dhënë rrogë shumë herë më të lartë nga sa merr tek Çezena. Kujtojmë se Bogdani merr 280 mijë euro rrogë në sezon tek Çezena, ndërkohë që tek Kievo paguhej gati dyfishin, rreth 550 mijë euro.

© Panorama.al

Te lidhura