Romëve u “merret” toka te treni

Mar 11, 2011 | 13:23

Barakat e tyre janë bërë shkrumb, ndërsa duken vetëm disa copa llamarinash të sajuara si kasolle, që dëshmojnë se në këtë fushë kanë jetuar njerëz. Tashmë ajo është plotësisht e shkretë dhe vende-vende kanë nisur të hidhen mbeturina. Banorët e zonës tregojnë se familjet rome janë dëbuar me dhunë rreth një javë më parë. “Në fillim i rrahën dhe ikën një pjesë e tyre, pastaj u larguan të gjithë ditën kur iu vu flaka barakave, erdhën edhe zjarrfikëset. Kishin vite që jetonin këtu. I kanë kërcënuar edhe me armë”, tha njëri nga banorët që jeton fare pranë fushës. Sipas tij, familjet rome nuk kanë ikur me dëshirën e tyre, por janë detyruar nga persona të armatosur. “E them me siguri që nuk kanë ikur me dëshirën e tyre, pasi edhe pse i rrahën herën e parë, një pjesë ndenjën dhe na e pranuan me gojën e tyre që u kishin bërë presion të largoheshin. Ditën që u dogjën barkat, pastaj ikën vetë”, thotë një tjetër banor që jeton në rrugicën ngjitur. Madje, ai nuk nguron të na paralajmërojë që të bëjmë kujdes, pasi zona është e mbushur nga “të fortë”. “Flitet që pronari i tokës i ka dërguar të fortët që të shpërngulin romët, se do të nisin ndërtimet, por s’e dimë me siguri”, thotë 50-vjeçari, duke u siguruar mirë që s’po e sheh njeri, ndërsa na  sqaron. E para që ka denoncuar në polici për zhvendosjen e 45 familjeve të komunitetit rom ka qenë një organizatë britanike, që përkujdesej për integrimin e tyre. Burime pranë policisë konfirmojnë denoncimin, por nuk jepet asnjë sqarim për arsyen pse nuk është ndërhyrë. Madje, të njëjtat burime pranojnë se familjet rome janë larguar vetë. Por të kundërtën pretendojnë disa prej pjesëtarëve të këtij komuniteti, të shpërngulur tek të afërmit e tyre, tek Bregu i Lumit. “Atë natë ne ishim në gjumë. Ata erdhën dhe u futën në barakë. Unë u çova, kur shoh tropojanë me hekura dhe me armë. Tropojani më gjuajti me shkelma. Lajmëruam edhe policinë. I thamë edhe emra, po ata na thanë: – i dimë, i dimë”. Ne s’kemi pasur asnjë sherr, apo konflikt më parë që prej 11 vjetësh. Ata e dinë pse na hoqën që aty”, tregon një nga banoret e dhunuara. Deklaratat e tyre përputhen me atë të bërë nga dëshmitarët që jetojnë aty pranë.

© Panorama.al

Te lidhura