Një i burgosur shqiptar dhe një rumun janë arratisur sot në mëngjes nga burgu i Regina Coeli, në Romë. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga policia, por pa dhënë shumë detaje lidhur me identitetin e dy të arratisurve. Ikja e dy të burgosurve u vu re nga autoritetet e burgut rreth orës 8:30 të mëgjesit të sotëm.
Policia tha se pas sharrimit të hekurave të qelisë, dy të burgosurit kanë përdorur një litar për të dalë jashtë mureve rrethuese të burgut.
Policia italiane ka nisur një aksion të mirëorganizuar në shumë drejtime për të bërë lokalizimin e dy të burgosurve dhe më pas arrestimin e tyre.
Sipas mediave italiane, burgu i Regina Coeli është i mbingarkuar duke tejkaluar me 25% kapacitetin. Sipas tyre, në burg janë rreth 1180 njerëz që vuajnë dënimin, nga 724 persona që pranojnë qelitë e burgut.
© Panorama.al











