
Basha pritet nga homologu roman, Alemanno dhe investitorët italianë
Mbështetje nga Roma për nismat që do të ndërmarrë Bashkia e Tiranës.
Me ftesë të homologut të tij, Gianni Alemanno, kryebashkiaku Basha bëri dje një vizitë zyrtare në kryeqytetin italian. Gjatë takimit, Basha ka mundur të sigurojë angazhimin për ndihmë lidhur me projektet strategjike që do të zbatohen në kryeqytet. Bëhet fjalë për hartimin e planit të ri urbanistik, zgjatimin e bulevardit në drejtim të lumit të Tiranës, rehabilitimin e këtij lumi, ndërtimi i linjave të tramit, si dhe terminalit. Kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno, premtoi ndihmën e Bashkisë së Romës, departamenteve të specializuara, që nga ai i Urbanistik deri te i Infrastrukturës, përjetësimin e këtyre planeve, në përputhje me standardet me të larta europiane, si dhe me vënien e ekspertizës së arkitektëve, planifikuesve, inxhinierëve të Bashkisë së Romës, në dispozicion të Bashkisë së Tiranës.
“Një ofertë shumë bujare, e cila natyrisht do ta ndihmojë Bashkinë e Tiranës për të përshpejtuar procesin e përfundimit të planit urbanistik, si dhe për të forcuar elementet e trashëgimisë kulturore dhe historike të projekteve të tilla, siç është ai i dyfishimit të bulevardit të Tiranës”, tha Basha. Një theks të veçantë në takim pati edhe shkëmbimi ekono-mik mes dy vendeve. Kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno, u angazhua për të identifikuar të gjitha kompanitë që kanë interes për investime në Tiranë dhe së bashku me ta, të vizitojë së shpejti Tiranën. Basha e njohu kryetarin e Bashkisë së Romës me masat që Bashkia e Tiranës ka marrë për një qytet sa më miqësor për biznesin, ku biznesi mund të operojë me procedura më transparente, më të shkurtra dhe të paguajë një taksë më të ulët, në mënyrë që zhvillimi ekonomik i qytetit të njohë vazhdimësi.
Në këtë kuadër, Basha e njohu me masat konkrete të marra nga administrata e tij, si heqjen e 60 tarifave dhe uljen e taksave bashkiake, masat për nxitjen e investimeve vendëse e të huaja dhe punësimin, si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës, ku me vendim të Këshillit Bashkiak do të operojë pa taksë, për një periudhë katër-vjeçare, çdo biznes që punëson mbi 50 punonjës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u takua edhe me investitorë të ndryshëm romanë, të interesuar për investime në Shqipëri, në fushën e infrastrukturës energjetike dhe teknologjisë së informacionit.
“Turizmi dhe kultura mes Romës dhe Tiranës”
“Në Romë Basha ka shpalosur një sërë projektesh që synon të realizojë, nisur edhe nga afërsia gjeografike mes dy vendeve (vetëm një orë larg). Ajo çka paraqet më shumë interes, është fusha e bashkëpunimit ekonomik: “Jam në kontakt me kompani të mëdha, që operojnë në sektorë të ndryshëm: energjetikë, infrastrukturë, telekomunikacion, ndërtim”.
Tashmë është kriza? – “Nuk është hera e parë që bota ndodhet në një moment të vështirë, – arsyeton Basha – dhe ky mund të jetë momenti për të dalë më të fortë, për të vënë në jetë reformat e nevojshme.
Keni folur me Alemannon? – “Më tha se ishte i shqetësuar për ekonominë e qytetit dhe për papunësinë”, – thekson kolegu i tij nga vendi fqinj. Synon që Roma të jetë më konkurruese. Po të ishit ju në vendin e tij?”- “Nuk mund të jap këshilla, – devijon si politikan i stërvitur, tri herë ministër, pavarësisht moshës së re, – por i tregova masat e ndërmarra në pesë muajt e parë të mandatit tim. Kam reduktuar taksat, duke u fokusuar në lehtësimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjet me mbi 50 punonjës, në 4 vitet e para të aktivitetit të tyre, do të përjashtohen nga pagesa e taksave lokale”.
Në tregun e punës, strategjia e tij është: të investosh në arsim me bursat e studimit. Vetëm në Tiranë, të diplomuarit janë 6500. “Ndër të tjera, të rinjtë shqiptarë që frekuentojnë universitetet italiane janë rreth 32 000, 20% e totalit. Në planet tuaja, Roma është një partner strategjik: – “Kam ftuar Alemannon në Tiranë, me një delegacion sipërmarrësish-thotë Basha, për të intensifikuar marrëdhëniet tregtare. Fondet do të përdoren për financimin e ndërhyrjeve ambicioze, ndër të cilat ndërtimi i terminalit të ri të pasagjerëve, rrjetit hekurudhor, një park, rikualifikimi i lumit të Tiranës.
Bashkëpunimi dhe partneriteti me qytetin e përjetshëm do të shtrihet edhe në aspektin kulturor. – “I propozova Alemanos t’i vërë emrin “Nënë Tereza” një sheshi në Romë dhe m’u duk se ishte dakord. – Në restorantet tona mund të hash makaronat më të mira, vetëm ju mund të na e kaloni, natyrisht”.
Marrë nga “Corriere della Sera”
Gazetare: Maria Egizia Fiaschetti
Basha takim me studentët në UET
“Të mos abuzohet me çmimin e biletave, s’ka studim nga ekspertët”
Një ditë pas kërkesës së Shoqatës së Transportit Qytetas për rritjen e çmimit të biletës, përgjigjet Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Basha tha dje se deri tani deri tani në tavolinën e tij nuk ka një propozim zyrtar, e, nga ana tjetër, nëse do të ketë, ai duhet të jetë i argumentuar në detaje përse çmimi i biletës duhet të rritet. Kryebashkiaku u shpreh se do të bëhet një studim nga ana e Bashkisë me ekspertë të pavarur në lidhje me shërbimin urban në Tiranë. “Duhet parë se çfarë baze ka kjo kërkesë, që të mos e bëjmë lojë kungulleshkash: 70. Po pse 70? Po sa? Askush nuk ka të drejtën të propozojë një shifër hamendësive mbi asgjë dhe aq më pak për diçka kaq të ndjeshme, siç është bileta e transportit publik. Ka një vizion të përbashkët për të ecur përpara, që ka të bëjë me shërbim më cilësor, në kuptimin e cilësisë së autobusëve, frekuenca, respektimi i orarit dhe, natyrisht, këtu edhe kostoja e operimit të transportit publik ka vend për analizë”, Basha. Këto deklarata ai i bëri gjatë një bashkëbisedimi që pati me studentët e Universitetit Europian të Tiranës. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës mbron dhe do të mbrojë vetëm interesin publik. “Përfshijmë këtu edhe objektivin e Bashkisë së Tiranës për t’u ofruar studentëve dhe pensionistëve mbi 65 vjeç transport publik me tarifa të reduktuara, që shkojnë drejt tarifës zero”, tha Basha. Sipas tij, Karta Universitare Bashkiake do të shpërndahet shumë shpejt jo vetëm për universitetet publike, por edhe për ato private. “Infrastruktura që do të mbështesë Kartën Studentore është gati. Kemi përmbyllur design-in dhe konceptin e prodhimit të kësaj karte, ndërkohë që hapi i fundit kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin e rektorëve, të administrative publike dhe jopublike, popullimin e data-base dhe përditësimin e kësaj data-base me të dhënat personale të studentëve, sipas regjistrimit që ata e rinovojnë çdo vit, sepse kjo kartë do të mbetet privilegj dhe instrument për studentët dhe ne duhet të marrim të gjithë masat që t’u shërbejë studentëve dhe vetëm studentëve”, tha kryebashkiaku. Ai u ndal gjithashtu te zhvillimi i infrastrukturës në universitete, e cila do të jetë pjesë tepër e rëndësishme në hartimin e planit urbanistik. “Në këtë pikëpamje është mjaft e rëndësishme që, përveç angazhimit të grupit strategjik, në përcaktimin e zonave të mundshme për kampuset e reja universitare, publike dhe jopublike, ne të thithim mendimin e studentëve për infrastrukturën parësore, pra vetë ndërtesat dhe infrastrukturën sekondare që do t’u shërbejë këtyre kampuseve”, tha Basha. Një tjetër çështje që ai preku ishte angazhimi i Bashkisë në punësimin e të rinjve. “Duke filluar që nga ky vit, me mjetet tona buxhetore ne do të hapim një praktikë të re, ku së bashku me fondet e qeverisjes qendrore dhe fondet e institucioneve jopublike, do të garantojmë që çdo i sapodiplomuar i universiteteve të Tiranës metropolitane të ketë një vend stazhi të garantuar në institucionet publike apo sektorin privat dhe të financuar në një masë prej jo më pak se 10 mijë lekësh të rinj për muaj, për tre deri në gjashtë muaj”, tha Basha.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











