Roli i organizatave fetare në politikë

Dec 14, 2011 | 11:40

ILIR KALEMAJ

Mobilizimi i grupeve të veçanta të (vetë) organizuara për t‘i përkthyer si fluks elektoral, është një nga arritjet jo pak të rëndësishme të betejave politike, veçanërisht në zgjedhjet e përgjithshme. Ky fenomen, që sot merret si i mirëqenë në kultura dhe vende të ndryshme, deri pak kohë më parë ishte specifik vetëm për shtete ku ekzistonte një lidhje organike dhe tradicionale mes politikës dhe fesë, kur kjo e fundit përfaqësohej nga një organizëm dominant. Madje, politizimi i fesë është, ka qenë dhe ngelet një nga faktorët kryesorë me impakt në histori duke provokuar edhe ngjarje që kanë marrë rëndësi botërore që nga “Çarja e Madhe” e 1054-s, që solli ndarjen e Kishës në atë ortodokse-lindore dhe atë romake-katolike të Perëndimit, te tezat e Luterit në 1517-n, te krijimi i Kishës Anglikane nga Henri VIII, deri te ngjarje shumë më afër në kohë si ajatollahët e Iranit, ndikimi vahabist në Arabinë Saudite, apo vala e katërt e demokratizimit së fundi që rrezikon që njëkohësisht me hapat parë në demokratizim të sjellë një frymë dukshëm më fetare në politikëbërje në vendet arabe. Nga ana tjetër kemi parimet dhe frymën kryesore të Revolucionit Francez: liberté, egalité, fraternité, por edhe ndryshimet që solli në përgjithësi Iluminizmi për laicitetin dhe ndarjen e fesë nga pushteti politik si një ndarje mes sferës publike dhe private që garanton respektueshmërinë e lirisë së tjetrit.
Gjithsesi, për t‘iu kthyer argumentit kryesor të këtij shkrimi, grupimet e organizuara religjioze kanë filluar të kenë një ndikim përherë e më të madh në sendërtimin e aksionit politik. Në SHBA kjo gjë ka filluar para rreth dy dekadash, ku “kristianët e rilindur” [born-again christians] janë një nga forcat më kompakte politike dhe që përbëjnë ndoshta bllokun më të gjerë dhe solid republikan. Te kujtimet e veta Decision Points, Xhorxh W. Bush, i kushton një numër faqesh të caktuara shpjegimit se si që në kohën e të atit ky grup kishte filluar të faktorizohej dhe ndoshta mosmarrja seriozisht e tij apo vënia në funksion të makinerisë politike republikane i kushtoi rizgjedhjen Bush plakut. W. Bush u sigurua që mos të bënte të njëjtin gabim dhe madje duke përqafuar publikisht kauzën evangjeliste si një “kristian i rilindur” dhe me ndihmën e një pastori karizmatik si Bill Graham, arriti të spostonte një pastor nga gara brendapërbrenda partisë dhe të merrte votën konservatore.
Në Rusi, autorë të ndryshëm (p.sh. Irina Papkova në librin e saj “Kisha Ortodokse dhe politika ruse”, botim i Oxford University Press 2011) kanë argumentuar se e ashtuquajtura “shoqëria ortodokse” (pravoslavnaia obshchestvennost) është një kategori politike e mirëfilltë që dikton zgjidhje politike të caktuara dhe me mjaft peshë në përcaktimin e axhendave publike, veçanërisht në çështje të caktuara. Vetëm dy parti krejt margjinale në skenën politike ruse, si Bashkimi i Forcave të Djathta dhe Partia Gratë e Rusisë nuk kanë bërë asnjëherë referenca spirituale apo të sjellin direkt çështje të besimit në ligjërimin publik. Ndërkohë që gjithë të tjerat, përshirë dhe komunistët (që dolën të dytët në këto zgjedhje) apo partinë liberale Jabloko (që nuk arriti të futej në Parlament falë manipulimit masiv), kanë përdorur referenca eksplicite ndaj besimit fetar dhe janë munduar që në mos mbështetjen, të paktën të marrin një farë aprovimi të heshtur nga Patriarkana e Moskës.
Në vendet të tjera me influencë, si p.sh. grupi i vendeve me rritjen ekonomike më dinamike për momentin dhe superfuqi rajonale (Brazili, India dhe Kina), por dhe vende të tjera të rëndësishme si Japonia apo Kanadaja duket se nuk ndajnë të njëjtën qasje, ndërkohë që në një pjesë të vendeve europiano-perëndimore si Italia, Gjermania, Spanja etj., kristiandemokratët kanë pasur një rol të tradicionalisht të vazhdueshëm në qeverisje dhe binomi kishë-pushtet politik shpesh ka funksionuar më së miri. Parë në këtë qasje të përgjithshme mbi rikonceptualizimin e grupeve të strukturuara të interesit dhe presionit në influencimin e politikave të caktuara, por edhe si pjesëmarrës aktivë politikë, lind natyrshëm pyetja e nivelit të kësaj marrëdhënie simbiotike në Shqipëri, nëse natyrisht ka vend për spekulime të tilla.
Pra, mund të pyetet nëse në Shqipëri ekziston potenciali për mobilizim të votës së strukturuar nga komunitetet fetare? Me fjalë të tjera, nëse anëtarët aktivë të denominacioneve kryesore religjiozë ose sekteve të ndryshëm, të cilët kanë një shkallë më të lartë ndikueshmërie si rezultat i kohezionit social më të madh, do të arrijnë ta kthejnë këtë në forcë politike duke votuar si bllok për një formacion politik të caktuar? Kuptohet, bazuar në hipotezën që kjo gjë nuk ka ndodhur akoma, pra nuk ka pasur orientim vote nga liderë të caktuar të komuniteteve fetare apo sekteve të ndryshëm që operojnë në vend. Natyrisht, kjo votë mund të shkojë drejt forcave të reja politike me profil të qartë dhe spikatur në mbështetje të njërit grup, ose mund të kanalizohet në forcat kryesore politike në varësi edhe të incentivave të ofruara nga kampet respektivë. Për shembull, ndihma në ndërtimin e objekteve të kultit apo premtimi i kthimit të pronave janë përdorur rëndom nga politikanë të të dy krahëve, por këto përçapje kanë ngelur të limituara në këtë drejtim, ndërkohë që së fundmi vëmë re dhe disa tentativa për krijimin e partive me sfond të qartë fetar që synojnë mobilizimin e votës në elektoratin e tyre specifik. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndoshta do të ofrojnë edhe një risi në këtë drejtim, duke qenë se përqafimi i qasjeve populiste dhe përpjekjet për tërheqje të blloqeve natyrale politikë, ka qenë një karakteristikë e hershme e demokracisë infantile shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura