Roberto Mançini u rebelohet drejtuesve

Jan 16, 2012 | 13:32

Mançester Siti nuk e ka lëshuar në asnjë moment vendin e parë pas 20 javëve të para, por ecuria e milionerëve në Premier Ligë nuk i ka fshehur problemet në shtëpinë e “qytetarëve”. Roberto Mançini dhe sheiku Mansur kanë një marrëdhënie që po tensionohet dita-ditës, për shkak të këmbënguljes së trajnerit për të hyrë urgjentisht në merkato. Italiani i ka kërkuar presidentit se në rast se nuk i blen 3 lojtarë, nga një për çdo repart, atëherë ai nuk ka të drejtë morale t’u kërkojë llogari nëse nuk shpallen kampionë. Por sipas një burimi brenda klubit, Mansur i ka bërë të ditur se nuk ka aspak ndër mend të shpenzojë miliona të tjerë në janar, sepse nuk mund të tolerojë thellimin e deficitit financiar në prag të hyrjes në fuqi të “fair-play”-t. Ish-tekniku 47-vjeçar i Interit ka si objektiv të parë De Rosin. Edhe pse mesfushori i Romës ka vendosur të rinovojë në “Olimpiko”, Mançini sheh te ai mesfushorin perfekt për të balancuar repartin dhe rikthimin te titulli kampion për herë të parë pas 44 vitesh. Përveç De Rosit, Manço ka kërkuar edhe sulmuesin e Fiorentinës, Stevan Jovetiç. Por 22-vjeçari malazez kushton 30 milionë euro. Të gjitha debatet trajner-president nuk u kanë shpëtuar as lojtarëve në qendrën stërvitore “Kerrington”. “Mançini është shumë i zemëruar për faktin që klubi këmbëngul se nuk mundet të shpenzojë në janar. Trajneri e kupton se sa e vështirë është për drejtuesit që të mos thellojnë bilancet negative, por ai ndien se i duhen përforcime të tjera për të luftuar bashkë me rivalët në garën për titull”, – tha burimi për “Mirror”. Ajo që e ka trembur Mançinin, është largimi i vëllezërve Ture në Kupën e Afrikës. Eliminimi nga rivalët e Junajtid në “FA Cup”, por dhe disfata në gjysmënfinalen e parë të “Carling Cup” 0-1 nga Liverpuli në “Etihad”, kanë qenë shuplakat e para të Sitit në këtë sezon. Italiani është ankuar se në 3 ndeshjet e fundit ai ka luajtur me një kontingjent prej 19 lojtarësh, përfshirë dhe portierët, duke u detyruar të thërrasë në ekip lojtarë të akademisë.

Ferguson: Runi është ende i dobët
Aleks Ferguson konfirmon se marrëdhënia e tij me yllin e skuadrës, Uejn Runin, nuk është aspak në rregull. Runi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në ndeshjen e ditës së shtunë kundër Boltonit dhe tekniku i Mançester Junajtid nuk i ka kursyer kritikat. “Nuk arriti të shënojë gol me penallti dhe unë mendoj se është mërzitur për këtë fakt. Gjithsesi, e meriton mërzitjen si një ndëshkim. Ai nuk po jep maksimumin e tij dhe duhet të përmirësohet. Uejn është ende i dobët dhe nuk po jep atë që të gjithë presin prej tij”, shtoi trajneri i “djajve të kuq”.

“Topçinjtë”/ Suonsi përmbys e fiton me Arsenalin
Arsenali ra 3-2 në “Liberty Stadium” ndaj debutuesve të Suonsit, që pas 21 javëve të para e shohin veten në mesin e artë të renditjes. U duk se do të ishte një fitore e lehtë e “topçinjve”, që me të përhershmin Van Persi zhbllokuan rezultatin pas vetëm 5 minutash. Por uellsianët do tregoheshin të rrezikshëm dhe do barazonin me 11-metërsh. Më pas, ata do shënonin edhe dy herë të tjera me anë të Dajer dhe Graham (ky i fundit në pjesën e dytë). Ndërsa për Arsenalin, golin e barazimit të përkohshëm e shënoi Teo Ualkot. Me këtë rezultat Arsenali iu largua edhe më shumë kreut.

© Panorama.al

Te lidhura