Roberto Baxho, hije e pankinës së Interit

Sep 20, 2011 | 12:26

Zero fitoret, pas katër ndeshjeve të para zyrtare të sezonit, dhe vështirësia e madhe që ka skuadra për të përthithur dhe zbatuar në fushë skemat e Gasperinit, e kanë bindur Masimo Moratin që të vihet në kërkim të një zëvendësuesi të mundshëm për trajnerin aktual. Nëse Interi nuk do fitonte në Novara, shkarkimi i piemontezit do të ishte i sigurt. Ideja e çmendur e numrit një të klubit zikaltër për zëvendësuesin është as më pak e as më shumë se Roberto Baxho. Kjo zgjedhje do të bëhej për një sërë arsyesh jo shumë teknike, por gjithsesi interesante. “Bishtaleci” është një mik i vjetër i Moratit, i cili, sipas thashethemeve që qarkullojnë kohët e fundit, po bën gjithçka është e mundur për ta sjellë tek Interi. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton se ai e do me çdo kusht ish-lojtarin, ndërkohë që stafi teknik e këshillon të tregohet më i matur dhe i duruar. Kjo për arsye se, pavarësisht aftësisë së tij të padiskutueshme për të interpretuar ndeshjet, Baxho nuk ka asnjë eksperiencë si trajner.

© Panorama.al

Te lidhura