Ristani: Po fotokopjojmë materialet

Mar 24, 2011 | 12:13

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha dje se materialet zgjedhore po dërgohen në Arkiv, por shtoi se ka disa dokumente që po fotokopjohen që një kopje ta mbajë institucioni që ai drejton.Ndonëse nuk përcaktoi se cilat janë këto dokumente që po shumëfishohen, ai tha se ky proces nuk po ndodh me listat e votuesve. “Për sa i përket historisë së fotokopjimeve, janë qyfyre që nuk i kanë munguar këto kohë realitetit shqiptar. KQZ zbaton ligjin me korrektesë. Ka fotokopjuar një pjesë të dokumentacionit që ligji kërkon që origjinali të shkojë në Arkivin Qendror të Shtetit, pra që kopja të ngelet në KQZ, por që këto dokumente s’kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve që ndodheshin në kutitë e materialeve zgjedhore. Por, është një dokumentacion ndihmës që u ka shërbyer KZAZ-ve në punën e tyre dhe që ligji thotë se origjinali shkon në arkiv dhe kopja mbetet në KQZ”, u shpreh kreu i KQZ-së. Sipas tij, “Materialet zgjedhore të 2009 janë përpunuar në magazinat dhe në ambientet e KQZ janë ndarë nëpër dosje. Dosjet janë bërë gati për të shkuar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe këto ditë, madje edhe sot ka disa ditë që ka filluar, transportimi i tyre për në Arkivin Qendror të Shtetit nën mbikëqyrjen e punonjësve të Arkivit Qendror të Shtetit”. I pyetur se çfarë do të bëhet me anëtarët e KZAZ-ve të emëruar nga shoqëria civile, Ristani tha se ata do të vazhdojnë punën pavarësisht faktit që PS-ja ka sjellë propozimet e saj. “Anëtarët e KZAZ-ve të emëruar nga KQZ-ja për të plotësuar kuorumin e vendimmarrjes në këto komisione janë në detyrë dhe do të qëndrojnë normalisht në detyrë”, tha Ristani. Kreu i KQZ-së ishte dje në Komisionin e Ligjeve, ku prezantoi raportin për vitin 2010.

Debatet në komision

Damian Gjiknuri: Unë nuk jam dakord që të kufizohet përgjigjja te viti 2010, ndërkohë që pasojat e akteve të 2010 ndihen edhe tani. Nuk është normale që Parlamenti që ushtron kontrollin mbi KQZ të mos dijë efektet e vendimeve që janë respektuar në këtë raport…
Ilir Rusmali: Unë, libër ankesash për punën time nuk kam.
Eduard Halimi: Gjatë 2010, a kanë qenë prezent në mbledhje anëtarët e KQZ? Nëse kanë munguar gjatë mbledhjeve, cilat janë masat që keni marrë, janë paguar edhe kur kanë munguar, apo i keni ndërprerë pagat?
Arben Ristani: Anëtarët e KQZ nuk kanë munguar në mbledhjet e KQZ gjatë 2010, deri në vendimmarrjen e fundit të 2010 kanë qenë. Kanë bërë një lojë tjetër që kanë ardhur dhe pastaj kanë ikur, por gjithsesi kanë ardhur në mbledhjet e KQZ. S’ka qenë ky problem në 2010, ka filluar në 2011.
Pandeli Majko: A ka mundësi të na thuash ç’është ky termi ‘lojë’?
Arben Ristani: Është lojë, sepse detyra e komisionerit në KQZ është të rrijë në KQZ dhe të bëjë detyrën e tij. Të vish e të ikësh, të hysh dhe të dalësh, është lojë për mua.
Sajmir Tahiri: Ju gjithmonë kur keni folur publikisht, keni folur pas Kryeministrit për çështjen e kutive, si ka mundësi që nuk dolët të flisni njëherë para Kryeministrit për këtë çështje?
Tahiri largohet nga mbledhja.
Ilir Rusmali: E prishi pyetjen. Zoti Ristani na e sqaroni këtë, sepse ka lidhje me cilësinë tuaj si kryetar i komisionit.
Mesila Doda: S’mund të vazhdojë të përgjigjet, kur Tahiri iku.
Dashnor Sula: E dëgjon me telefon ai.
Fatos Hoxha: Unë sot prisja që në komision të ishte edhe nënkryetarja e KQZ, sepse KQZ është ngritur në paritet 50 me 50.
Damian Gjiknuri: Nga deklarimet që ka bërë përfaqësuesja e opozitës në KQZ, një nga shkaqet që ajo e përmend shpesh që puna e saj është bërë e padurueshme në KQZ…
Mesila Doda: E ka nga mosha ajo mo, ngaqë ka mbushur 60 vjeç.
Damian Gjiknuri: Të gjithë do shkojmë aq. Do të të pyes ty pas 20 vjetësh çfarë do thuash. Subashi pretendon se i është mohuar e drejta e saj për të qenë në bashkëkryesim.
Arben Ristani: Në KQZ ka pasur një mirëkuptim shumë të mirë mes gjithë trupës. Me konsensus kemi ecur deri nga fundi i 2010. Asnjë vendimmarrje e kryetarit të KQZ nuk ka dalë pa u kundërfirmuar nga kryetari. Kur kemi pasur kontradikta dhe nuk është kundërfirmuar nga nënkryetarja, është thirrur mbledhja e KQZ për të zgjidhur çështjen.
Fatos Hoxha: Edhe kur nuk vjen nënkryetarja, e merr rrogën.
Damian Gjiknuri: Sa i ndjeshëm je te kjo puna e rrogës!

Qeveria jep 650 mijë USD për partitë

Qeveria do të akordojë 65 milionë lekë, ose 650 mijë USD për partitë në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, u miratua vendimi për shumën që do të ofrojë Këshilli i Ministrave. Sipas ligjit për partitë politike, 70% e këtij fondi do të ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare; 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1% të votave në shkallë vendi.

Basha hap fushatën me “Fillon e ardhmja e Tiranës”

Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës për kryeqytetin ditën e premte, në orën 18:00, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Në një njoftim të bërë të ditur në faqen e tij zyrtare në “facebook”, kandidati Basha u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës të marrin pjesë në këtë hapje fushate ku ai do të garojë për të qenë qytetari i parë i Tiranës. Në këtë video të shpërndarë në internet, kandidati Basha zbulon edhe një slogan. “Fillon e ardhmja e Tiranës”. Ky është slogani i përdorur në këtë video që me shumë gjasa do të jetë slogani i fushatës së kandidatit të Partisë Demokratike në Tiranë. Në këtë hapje, Basha do të flasë për programin e tij elektoral për bashkinë më të madhe të vendit.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura