TIRANË- Data 8 mars shënon afatin e fundit të regjistrimit të partive politike si subjekte në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arben Ristani ka deklaruar sot për mediat se janë 26 parti gjithsej që kërkojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, ndërkohë që janë regjistruar 11 prej tyre.
Ai u bëri thirrje PS dhe PBDNJ-së të respektojnë afatet ligjore sipas kodit zgjedhor. “Në rast se nuk respektojnë ligjin, palët do të ndëshkohen, ashtu si e parashikon ligji. Nuk do të ketë asnjë tolerim dhe askush nuk mund të dalë mbi ligjin”- ka thënë Ristani. Në përgjigje të medias për zëvendësimin e komisionerëve zgjedhore në KZQZ, Ristani ka përsëritur se afati ka mbarur që në 23 janar dhe opozita nuk solli asnjë propozim, ndaj zëvendësimi u bë sipas ligjit.












