Ditët e fundit, në disa vende të BE, si në Gjermani dhe vende të tjera ka shpërthyer infeksioni i Eneterohemorrhagic E. Coli (EHEC) O157:H7.Vendi më i prekur nga të gjithë është Gjermania, në të cilën deri tani janë vërejtur mbi 1 000 të sëmurë, nga të cilët 300 janë me sindromin e Uremisë hemolitike, ndër të cilët nëntë të vdekur. Ky rast i bashkohet listës së shpërthimeve të tjera në vendet e BE, po nga ky shkaktar që në më të shumtën e rasteve nënvleftësohet. Ky infeksion është zoonotik, pasi burimi kryesor i tij janë gjedhët dhe dhëntë, ku plehu i tyre që shpërndahet si i ujshëm në vendet e kultivimit të produkteve me orgjinë bimore, si sallata, spinaqi, kastravecët, i kontaminon këto produkte ushqimore duke e kaluar infeksionin tek njeriu Escherichia coli (E. coli) është një bakter që gjendet normalisht në zorrët e njeriut dhe të kafshëve të tjera, si gjedhi, dhëntë e derrat. Shumë baktere të këtij lloji (E.coli) nuk janë të rrezikshëm për njeriun, kurse disa të tjerë si bakteri Enterohemorrhagic E. coli (EHEC) shkakton sëmundje të rënda të quajtura sëmundje të transmetuara nëpërmjet ushqimit. Infeksioni transmetohet tek njeriu më së pari nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara të mishit të pa përpunuar, nënproduktet e tij të papërpunuar në mënyrë korrekte si dhe nga qumështi i pa pasterizuar apo i pazier. Ky mikrob nuk shkakton problem në zorrët e kafshëve (të gjedhit sidomos etj), ndërkohë që tek njeriu shkakton patologji të rënda, deri në vdekjen e tyre si pasojë e sindromit të Uremisë hemolitike. Ky infeksion është një problem i shëndetit publik dhe është i njohur për herë të parë në vitin 1982 në Amerikë. Ky mikrob (EHEC) prodhon toksina të njohura si verotoksina ose toksina të ngjashme me toksinat e prodhuara nga Shigela dyzenteriae. Bakteri i EHEC rritet në temperatura që luhaten nga 7°C deri në 50°C, me një temperaturë optimale (të përshtatshme) prej 37°C. Disa baktere të EHEC rriten dhe në toka acide, deri në vende me pH 4.4, dhe në ujë me një aktivitet të tij (Aë) prej 0.95. Kjo gjë e bën atë që të transmetohet dhe me ujin me origjinë të ndryshme me status të panjohur. Ai shkatërrohet plotësisht nëpërmjet zierjes ose pasterizimit, deri në momentin kur secila pjesë e produktit (edhe në brendësi të tij) të konsumueshëm të jetë trajtuar me temperaturën prej 70°C ose dhe më lartë. E. coli O157:H7 është shkaktari (seriotipi) më i rëndësishëm i erotypeve të EHEC-ve në raport me shërbimin publik, megjithëse seriotipe të tjerë janë frekuentë dhe janë në gjendje që të shkaktojnë raste dhe shpërthime sporadike.
Sëmundja e shkaktuar nga EHEC
Shenjat e sëmundjes së shkaktuar nga EHEC përfshijnë dhembje abdominal dhe diarre të ujshme, e cila përparon vazhdimisht dhe në mjaft raste shkakton diarre hemorragjike (koliti hemorragjik). Gjatë sëmundjes vërehen vjellje dhe ethe. Periudha e inkubacionit (koha nga moment i marrjes së shkaktarit deri në shpërthimin e shenjave të sëmundjes) luhatet nga tre deri në tetë ditë, me një mesatare prej tre-katër ditësh. Shumica e pacientëve shërohen për 10 ditë, por në një numër pacientësh (sidomos në fëmijët dhe të moshuarit) infeksioni shkakton rrezikimin e jetës si pasojë e sindromit (grupin e shenjave) të quajtur Hemolitik urinar (HUS). Ky grup shenjash karakterizohet nga një dëmtim akut i veshkave si dhe nga Anemia hemolitike e trombocitopenia (ulja e trombociteve të gjakut). Nga të dhënat shkencore është parë se deri në 10% e pacientëve të prekur me infeksionin e EHEC mund të zhvillojnë këtë sindrom (HUS) me raste vdekjeje që luhaten nga 3% deri në 5%. Ky sindrom-HUS është shkaku i zakonshëm i mos funksionimit akut të veshkave tek të rinjtë, në 25% të rasteve të këtij infeksioni me UHS, mund të shkaktojë dhe komplikacione neurologjike ( të tilla si ngërçe, goditje të ndryshme dhe koma) si dhe pasoja kronike të veshkave, të cilat në përgjithësi nuk janë të rënda, por arrijnë deri në 50% të të mbijetuarve. Incidenca e këtij infeksioni (EHEC) varion me grup moshat, ku rastet më të larta ndodhin në fëmijët nën moshën 15 vjeç (0.7 raste për 100 000 banorë në Amerikë). Rastet e këtij infeksioni në përgjithësi njihen si shpërthime sporadike, porse në shumë raste shpërthimi ka prekur një numër të konsiderueshëm njerëzish si në rastin e Japonisë në vitin 1996. Problemi për këtë infeksion qëndron në faktin se për të nuk bëhen kërkime për prezencën e tij në kafshët e gjalla për therje, produktet e mishit, qumështit dhe ujit si dhe zarzavateve të ndryshme, si sallata, spinaqi etj, gjë që krijon kushte të favorshme për përhapjen e tij më tej.
Burimet e infeksionit
Rezervuarë të këtij shkaktari patogjen të rrezikshëm për njeriun janë kryesisht gjedhët dhe dhëntë e derri. Ai transmetohet tek njeriu kryesisht nëpërmjet konsumimit apo përdorimit të pakujdesshëm të këtyre produkteve të papërpunuara si dhe nga kontaminimi nëpërmjet feçeve i ujitdhe ushqimeve të tjera (mishit apo produkteve të tij, sipërfaqeve dhe mjeteve të kontaminuara të kuzhinës etj). Shpërthimi i infeksionit të E. coli O157:H7 ka ardhur nga hamburgerat e pa pjekur mirë, sallami i thatë ku mishi i tyre ka qënë i kontaminuar, pije mollësh e freskët e pa pasterizuar, kosi, djathi dhe qumështi. Në shtimin e numurit të të prekurve kontribuojnë dukshëm dhe konsumimi i zarzavateve apo frutave të kontaminuara si lakra, sallatë marule, lule lakre, spinaqi, kastravecët, të cilat kanë qenë në kontakt me feçet e kafshëve bujqësore apo kafshëve të egra, gjatë periudhës së kultivimit apo grumbullimit dhe përpunimit të produkteve për treg. EHEC është parë dhe tek uji i pellgjeve, ujit rrjedhës, uji nga burimet, uji i govatave etj. Në pleh dhe në sendimentet e ujit të govatave ai jeton për muaj me radhë. Transmetimi nëpërmjet ujit është parë jo vetëm nga uji i pijshëm, por dhe nga uji që përdoret për shplodhje (not në kohë pushimi i patrajtuar). Transmetimi nga njeriu tek njeriu është një mënyrë e rëndësishme e transmetimit të sëmundjes nëpërmjet rrugës gojë-feçe. Bakteri qëndron tek njerëzit për një kohë të gjatë, të cilët nuk shfaqin shenja klinike, por janë të aftë që të infektojnë të tjerët. Zgjatja e eliminimit të shkaktarit ,nga personat e prekur, është rreth një javë ose më pak tek të rriturit, por kjo kohë është më e gjatë tek fëmijët. Vizitat në fermat apo vende të tjera me rrezik, ku publiku e sidomos fëmijët bien në kontakt me kafshët e fermës si dhe me shkaktarin, përbë një faktor mjaft të rëndësishëm të rrezikut
Mënyrat e kontrollit dhe të parandalimit
Kontrolli i infeksionit kërkon marrjen e masave të kontrollit në të gjitha stadet e zinxhirit të ushqimit, që nga prodhimi bujqësor në fermë, tek përpunimi, tregtimi dhe përgatitja e ushqimit si në stabilimentet tregtare dhe në ambientet shtëpiake. Fatkeqësisht, duke qenë se ky moment nuk vlerësohet sa dhe si duhet, ende nuk kemi nga shkenca të dhëna të plota edhe për metodat e ndërhyrjes dhe rekomandime të plota specifike për të reduktuar në maksimum incidentet e EHEC sidomos në gjedhë, të cilët janë burimi kryesor i këtij infeksioni. Megjithatë, vlerësimi i rrezikut për këtë infeksion duhet bërë në nivel nacional, më qëllim që numëri i rasteve të kësaj sëmundjeje të reduktohet. Ky vlerësim do të ndihmojë dukshëm në hartimin e strategjive nacionale, sidomos të atyre që janë të lidhur me cilësinë e mishit dhe produkteve të tij dhe që kanë karakter kombëtar konsumi. Kështu p.sh., kontrolli i kafshëve para therjes për të reduktuar në mënyrë të dukshme futjen në thertore të kafshëve bartëse të këtij shkaktari, higjienë në therjen dhe kujdesin për mos kontaminimin e mishit nga përmbajtja e organeve të brendshme si dhe feçet. Në thertoret që janë për lloje të ndryshme kafshësh në fillim të theren kafshët që nuk janë bartës të theksuar të këtij shkaktari si p.sh., derrat, mandej gjedhi që dallohet për nivel të lartë të pranisë së tij në zorrë. Edukimi i trajtimit higjienik të mishit, nga punonjësit e thertoreve (kasapët etj), pasi roli i tyre është i pazëvendësueshëm në marrjen e një mishi cilësisht pa ngarkesë të theksuar mikrobiologjike domosdoshmërish e rëndësishme. Kontrolli i vazhdueshëm dhe periodik i ujit që përdoret në thertore si dhe mos lejimi i përdorimit të ujit të puseve në to i ujit të pa kontrolluar. Dezinfektimet e herëpashershëm dhe të përgjithshme, mbas therjes dhe jo vetëm mbas saj, janë gjithashtu masë e rëndësishme për mos kontaminimin e mishit. Metoda e vetme dhe efikase për eliminimin e EHEC nga ushqimi është aplikimi i trajtimit bactericidal (vrasja e bakterieve) realizohet nëpërmjet zierjes ose pasterizimit ose dhe rezatimeve të produkteve të përmendura. Disa vende zbatojnë ligje që në rast se mishi përmban E. coli O157:H7, ai nuk duhet të lejohet për konsum. Masat parandaluese për infeksionin e E. coli O157:H7 janë të njëjta me ato që rekomandohen për sëmundjet që kalojnë gjithashtu nëpërmjet ushqimit nga kafshët tek njeriu. Masa kryesore është përgatitja e ushqimeve të sigurta nëpërmjet zierjes së produkteve që konsumohen për ushqim. Kjo vdes jo vetëm shkaktarin por edhe toksinat e prodhuara prej tij. Temperatura minimale prej 70°C duhet që të vazhdojë për 10 minuta për të siguruar një produkt të sigurt. E njëta mënyrë duhet të aplikohet edhe për qumështin dhe vezët në kuzhinë. Ushqimi i përgatitur për konsum nuk duhet të bjerë në kontakt me ushqimet e papërpunuara si p.sh me mishin apo qumështin, me sallatat, kastravecat, lakrat e lulelakrat si dhe spinaqin. Larja e mirë me ujë të ngrohte dhe të bollshëm e zarzavateve apo frutave është një mjet për të pasur ushqime të sigurta, pasi kjo mënyrë eliminon dukshëm shkaktarin e infeksionit. Larja e vendit të lënies së produkteve të palara apo mjeteve që përdoren për përpunimin e tyre duhet të jetë e vazhdueshme. Larja e duarve mbas kthimit nga pazari apo gjatë përgatitjes së ushqimeve duhet të zbatohet rreptësisht. .
*Fakulteti i Mjekësisë Veterinare
Departamenti i Shëndetit Publik VETERINAR











