Kryeqytetit i rikthehet sërish tradita e varietesë. Me rastin e festave të fundvitit, qendra kulturore “Tirana” sjell për publikun kryeqytetas shfaqjen “Variete”. Një spektakël prej dy orësh në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, në të cilin do të përfshihen elemente artistike nga të gjitha formacionet e QKT-së, si Teatri i Metropolit, Cirku i Tiranës, Ansambli Tirana, Banda e Qytetit, por edhe aktorë humori, që dikur kanë qenë pjesë e Estradës së Tiranës, si Skënder Sallaku, Sejfulla Myftari, Vilson Gjoçaj, Marjana Kondi, Veli Rada, Xhevahir Zeneli etj. Ky brez artistësh “veteranë” do të gërshetohet me artistë të rinj, të sapodiplomuar, që aspirojnë t’i futen rrugës së humorit. Një program variete nuk mund të kuptohet pa muzikë. Nga fondi i pasur i teatrit të varietesë janë shkëputur disa nga krijimet më të mira, që vijnë përmes interpretimit të këngëtarëve Luan Zhegu, Kozma Dushi, Anita Take, Arif Vladi, Aleksandër Gjoka, Çlirim Denaj etj. Këtij programi do t’i bashkëngjiten performanca të artistëve të Cirkut të Tiranës, grimca humori dhe anekdota, skeçe e monologë humoristikë të penave të njohura të humorit kombëtar e atij botëror. Nuk do të mungojnë edhe elementet koreografike. Kjo shfaqje, e cila do të vijë për publikun në datën 30 dhjetor, mban regjinë e Milto Kutalit dhe skenografinë e Beqo Nanajt.
Kinema, bilanc romantik për Vit të Ri
Dashuria, shpresa, falja, shanset e dyta dhe fillimet e reja shpalosen nëpërmjet historive të ndryshme të ndërthurura mes tyre, të vendosura në qytetin e New Jorkut, në natën më festive të vitit. Të gjitha këto mund të përmblidhen me një titull të vetëm, siç është “New Year’s Eve”, komedia romantike që ka nisur të shfaqet në kinema “Millennium” prej datës 24 dhjetor.
Yje mjaft të njohur të kinemasë, si Sarah Jessica Parker, Ashton Kutcher, Michelle Pfeiffer, Zac Efron, Josh Duhamel, Katherine Heigl, Hilary Swank, Robert de Niro, Halle Berry, Jessica Biel, Seth Meyers rrëfejnë për 118 minuta histori të mbushura me dashuri dhe pasion. Nuk mungon në këtë film edhe pjesëmarrja e këngëtarit të njohur, Jon Bon Jovi. Kjo romancë vjen nën drejtimin e regjisorit Gary Marshall, të njohur për filmat e tij “Pretty Woman” dhe “Valentine’s Day” dhe për trajtimin e dashurisë në aspekte të ndryshme zbavitëse dhe pasionante. Regjisori e përkufizon natën e ndërrimit të viteve si “rastin e përsosur për të bërë një bilanc, për të menduar për gabimet e vitit që është duke mbaruar dhe për të kuptuar se çfarë duhet përmirësuar në vitin e ardhshëm. Është mundësia për të qenë mirënjohës për atë që kemi.











