
Aktorë të njohur interpretojnë 15 poezi të zgjedhura
Fjala poetike erdhi në Teatrin e Metropolit nën tingujt e violinës së Lorenc Radovanit
Në fillim është një dritë e pakët qiriri, pastaj ajo rritet e ndriçon gjithë sallën. Një dritë e ngrohtë, që duket sikur shkrin shpirtrat në një mbrëmje të ftohtë dimri. Janë “Fjalët e qiririt”, që i japin udhë jo vetëm një mbrëmjeje kushtuar Naim Frashërit, por një cikli të tërë poetik, që do të vijë çdo muaj në skenën e Teatrit të Metropolit. Kumbari i këtij cikli u bë pikërisht mbrëmë njëri prej arkitektëve të Rilindjes Kombëtare. Zërat e ngrohtë të aktorëve Margarita Xhepa, Yllka Mujo, Fatos Sela, Rozi Kostani dhe Kastriot Ramollari sollën në skenën “Shekspir” vargjet e dashura nga “Fjalët e qiririt”, “Gjuha shqipe”, “Falja”, “Dashuria”, “E zonj’ e fatit”, “Fjal’ e përjetshme”, “Shpirti”, “Shkëndijë e diellit ndaj manushaqes”, “Zogu dhe djali”, “Dëshira”, “I varfri dhe pëllumbi”, “Plaku dhe vdekja”, “Zemëra”, “Lamtumirë”, “Gjuha jonë”. Jo vetëm sepse janë vargje të pakohshme dhe të ndjera, por edhe për shkak të mënyrës së konceptimit, publiku nuk e ndjeu distancën nga skena. Nën tingujt e violinës së Lorenc Radovanit, herë me të qarë e herë me hakërrimë, vargjet naimjane rindezën edhe një herë dëshirën për të tjera net si kjo, ku poezia ndihet dhe shijohet, ku aktorët nuk rrinë statikë e recitojnë, por përcjellin gjithë atmosferën dhe botën e derdhur brenda saj. Gjithçka është menduar si një miniteatër nën regjinë e Arjeta Dhimës, ku fjala ka peshë, por ka edhe skenografi e kostumografi të realizuara nga Enisa Arapi dhe një lojë dritash që krijon gjithë atmosferën e kërkuar. Ky ishte edhe qëllimi nistor i ideuesve të ciklit poetik. “Duke qenë se poezisë kohëve të fundit nuk i është kushtuar vëmendja e duhur, për të mos thënë është lënë në harresë, mendoj që qendra kulturore “Tirana” t’i rikthejë vëmendjen natës poetike. Do të kemi çdo muaj “Mbrëmje poetike” me autorë të zgjedhur shqiptarë, të cilat nuk do të mbeten thjesht në kuadratin statik të leximit të poezive, apo mbrëmjeve të zakonshme poetike, por do të vijnë të ndërthurura, si një tip performance ose miniteatri, shoqëruar me muzikë, lëvizje, skenografi, kostumografi”, thotë drejtoresha e qendrës kulturore “Tirana”, Suela Konjari, e cila dje doli në komunikimin e parë me mediat. Pasi njoftoi hapjen e siparit me Naimin, Konjari u bëri me dije gjithë adhuruesve të poezisë lirike, se shkurti do të jetë muaji i Lasgush Poradecit.
© Panorama.al











