Rikthehen masat tregtare autonome me Kosovën

Jan 4, 2012 | 17:21

PRISHTINE- Prodhuesit e Kosovës do të mund të eksportojnë mallrat e tyre në cilindo vend të Evropës, pasi tashmë janë kthyer masat tregtare autonome apo preferencat tregtare, të cilat ishin pezulluar një vit më parë.

Ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sinno deklaroi se ky rikthim u siguron eksportuesve nga Kosova qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së.

“Ky është vendim i rëndësishëm për bizneset kosovare të cilat eksportojnë në BE. Ripërtëritja e preferencave tregtare do t’ju mundësojë bizneseve një qasje shumë më të lehtë në tregjet e BE-së dhe pritet që të çojnë përpara eksportin e Kosovës në BE.”

Masat tregtare autonome aplikohen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe sigurojnë qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat me origjinë nga rajoni.

Synim kryesor i preferencave tregtare, të cilat janë vendosur për të gjitha shtetet që janë pjesë e procesit të Stabilizim-Asocimit, është që përmes një qasjeje të privilegjuar në tregun e BE-së të revitalizohen ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto preferenca tregtare i ishin dhënë edhe Kosovës në të kaluarën, mirëpo regjimi përfundoi më 31 dhjetor 2010.

Masat tregtare sigurojnë një kornizë të favorshme për zhvillimin e tregtisë mes BE-së dhe rajonit. Gjithashtu, ato nxisin investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe zhvillimin ekonomik. Meqë shtetet e BE-së tashmë janë partneri më i madh tregtar i Kosovës, zbatimi i masave tregtare autonome vetëm se do ta çojë përpara tregtinë dhe eksportin e Kosovës në BE. Në vitin 2010, vlera totale e eksportit të Kosovës në BE kishte arritur shumën prej 147 milionë euro.

Në vitin 2000, Bashkimi Evropian për herë të parë krijoi një qasje të veçantë të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova), përmes Rregullores (KE) nr. 2007/2000.(kosovapress)

© Panorama.al

Te lidhura