Rikthehen luftimet, Irani sulmoi Izraelin me raketa, kundërpërgjigjet IDF! Prishet armëpushimi

Jun 8, 2026 | 9:41

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pas valës së tretë të sulmeve raketore iraniane ndaj Izraelit, ndërsa Teherani paralajmëron zgjerimin e konfliktit në të gjithë rajonin.

teheran

Sipas ushtrisë izraelite, Irani lëshoi disa breshëri raketash drejt territorit izraelit gjatë mëngjesit të së hënës. Një nga raketat goditi një objektiv ushtarak pranë Nablusit, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në disa zona të vendit.

Si kundërpërgjigje, Izraeli kreu sulme ndaj objektivave ushtarake brenda territorit iranian. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se në shënjestër ishin instalime dhe infrastrukturë të Gardës Revolucionare Iraniane. Shpërthime u raportuan në Teheran, Isfahan dhe Tabriz.

Konflikti u zgjerua edhe në një front tjetër, pasi një raketë balistike e lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit u interceptua nga mbrojtja ajrore izraelite. Ndërkohë, rebelët Houthi paralajmëruan përshkallëzim të mëtejshëm dhe kërcënuan me bllokimin e lundrimit izraelit në Detin e Kuq.

Garda Revolucionare Iraniane njoftoi gjithashtu se ka goditur seli të grupeve që i cilëson si “terroriste” në Kurdistanin irakian. Teherani akuzon grupet e armatosura kurde se veprojnë në interes të Perëndimit dhe Izraelit.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira në sulmet izraelite kundër Iranit. Megjithatë, autoritetet iraniane pretendojnë se komandat ushtarake amerikane në rajon bashkëpunojnë ngushtë me Izraelin në operacionet mbrojtëse dhe sulmuese.

Presidenti i Parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf, deklaroi se Izraeli “kupton vetëm gjuhën e forcës”, ndërsa Garda Revolucionare paralajmëroi se çdo sulm i ri do të përballet me një përgjigje edhe më të ashpër.

Në arenën ndërkombëtare, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin dhe të rikthehen në tryezën e negociatave.

Përplasjet e reja po ndikojnë edhe në tregjet globale. Çmimi i naftës Brent u rrit me afro 5%, ndërsa bursat aziatike regjistruan rënie për shkak të shqetësimeve për zgjerimin e konfliktit.

Situata mbetet shumë e tensionuar, me zhvillime të vazhdueshme në disa fronte dhe me rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale që vazhdon të mbetet i hapur.

© Panorama.al

Te lidhura