Rikonfirmimi i fitores

May 17, 2011 | 10:06

AGIM NEZA

Fjala magjike” për Bashkimin Europian ka qenë “procesi i zgjedhjeve si një test i rëndësishëm për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”. Zhurmnaja e madhe e opozitës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, me pretendimin e kryetarit të PS-së, zotit Rama, “për të nxjerrë në pah gjithçka që ka të bëjë me maskaradën zgjedhore”, bëri që opozita, për gjashtë muaj, të bojkotojë Parlamentin, madje në prag të zgjedhjeve lokale, përfaqësuesit e PS-së bojkotuan edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo situatë, me sa duket, vuri në dilemë edhe ndonjë ambasador të akredituar në vendin tonë nëse koalicioni qeverisës e kishte të merituar votën e 2009-s! Pra, këto zgjedhje ishin një test jo vetëm për të bindur ndonjë shkëlqesi ambasador të huaj, por, mbi të gjitha, për t’i bindur edhe vetë socialistët me të vërtetën e votës popullore dhe procesin zgjedhor.
Pavarësisht nga rezultatet përfundimtare që nënkupton verdiktin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ndonjë apelim që mund të bëhet në Kolegjin Zgjedhor, fakti është se koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për qytetarin”, fitoi “votën popullore”, pra 140 mijë vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga PS, “Aleanca për të ardhmen”, duke fituar më shumë  mandate për njësitë vendore në rang vendi, por edhe tri mandate më shumë në kryeqytet, ku kandidoi kryetari i opozitës, zoti Edi Rama.
Madje, përveç venitjes së shpresës së socialistëve se Edi Rama do të fitonte në kryeqytet një mandat të katërt me një diferencë prej mijëra votash, duket se kryetari i opozitës është “në ethe” për një rezultat edhe më të keq, gjer në mbylljen përfundimtare të procesit. Kjo, referuar deklaratës së djeshme të zotit Rama në lidhje me “përmbysje të rezultatit në tavolinë…”, ku të habit fakti që në këto momente, zoti Rama nuk ka durimin të presë përfundimin transparent të procesit dhe vendimin e rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tërësisht në kontradiktë me “rraskapitjen” e tij dyvjeçare, duke mos reshtur së kërkuari për të hapur kutitë! Edhe unë personalisht, ashtu si çdo shqiptar, do të dëshiroja që procesi të përfundonte sa më shpejt, por është në të mirë të të gjithë shqiptarëve që të kuptojnë se çdo votë është numëruar dhe vota e tyre i është nënshtruar një procesi transparent. Me të drejtë ambasadori i SHBA, shkëlqesia e tij, zoti Arvizu, ka theksuar se “duhet të vlerësohet me kujdes çdo votë, në mënyrë që qytetarët të respektohen për verdiktin e tyre të hedhur në kutitë e votimit”. Kjo edhe për faktin se shqiptarët, të çfarëdo partie qofshin, nuk kanë kohë për të humbur duke dëgjuar retorikat e “hapjes së kutive”, apo “vjedhjes së votës” për dy vitet e ardhshme, që përkon me kohën e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013!
Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se këto zgjedhje treguan jo vetëm për shqiptarët, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë, se ky ishte një proces transparent, bazuar në standardet më bashkëkohore, duke rikonfirmuar se liria e votës është e garantuar në vendin tonë dhe për këtë çdo shqiptar ndjehet krenar.
Gjithashtu, të gjithë ne duhet të vlerësojmë rolin e paçmuar të medias, e cila ishte e pranishme në çdo moment të këtij procesi zgjedhor, duke kontribuuar që publiku të njohë të vërtetën dhe ta ndiqte procesin hap pas hapi, madje nëpërmjet medias, diplomatët e huaj përcollën mesazhe jo vetëm në përgjithësi për opinionin publik, por edhe për politikanët shqiptarë.
Sot, besoj se Edi Rama e ka kuptuar se vota nuk mbrohet me të “fortët”, por mbrohet dhe merret nga gjithëpërfshirja e socialistëve të vërtetë që presin vizion konkret për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe jo “bunkerizim” të Tiranës apo premtime boshe si gjashtë tramvaje, 300 mijë vende pune, 3 parqe kombëtare e të tjera e të tjera. Besoj se Edi Rama, sot më mirë se kurrë, e ka kuptuar se kryeqytetasit i kanë dhënë me “shumicë” votën kur ai ka qenë i përkushtuar dhe ka kontribuuar për të mirën e tyre dhe të kryeqytetit.
Këto zgjedhje treguan se nëse populli të jep besimin për politikat qeverisëse, duhet kuptuar se fuqia e popullit është detyrim edhe më i madh për të gjithë, në veçanti për ata që ushtrojnë pushtetin në bashki, komuna, apo në qeveri, të cilët duhet të bëjnë më shumë për qytetarin, për përmirësimin e jetës së tyre.
Mendoj se ky proces zgjedhor është “rikonfirmim i fitores” për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s, për shqiptarët që jo thjesht pse lëvizin pa viza në Europë, por se votuan dhe treguan qytetërim europian gjatë procesit zgjedhor.
Këtë e rikonfirmoi edhe përfaqësuesi i tempullit të demokracisë, Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Tiranë, në deklaratën e saj pas ditës së zgjedhjeve, theksoi: “Ka qenë një fitore për demokracinë dhe popullin shqiptar. Pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë”.
Shpresoj dhe besoj se “Fjala magjike” për Bashkimin Europian, që theksonte se “suksesi i procesit të zgjedhjeve do të ishte një test i rëndësishëm për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, është bërë realitet pas këtyre zgjedhjeve, duke e kaluar këtë test me sukses.
Pavarësisht se maxhoranca rikonfirmoi fitoren me votën popullore, të gjithë, pa përjashtim, kryetarë bashkish apo komunash, këshilltarë bashkish e komunash, duhet të angazhohen më shumë në përsosmërinë e modelit të demokracisë perëndimore, që thotë se “demokracia është premtim dhe sfidë”. Ajo është premtim se duke punuar bashkërisht, qeniet njerëzore mund të vetëqeverisen në mënyrë të atillë që u shërben aspiratave për liri personale, zhvillim ekonomik dhe drejtësi shoqërore. Ajo është sfidë, sepse suksesi i demokracisë varet nga vetë shtetasit dhe nga askush tjetër.

© Panorama.al

Te lidhura