Riker: Evropa, jo pa Ballkanin Perëndimor

Dec 2, 2011 | 9:36

“Është e pamundur të flitet për kontinentin evropian si një njësi e tërë, e lirë, demokratike dhe në paqe, pa zgjidhur sfidat me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet parë edhe politika amerikane ndaj këtij rajoni”. Kështu shprehet Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Filip Riker gjatë një bisede me një grup gazetarësh lidhur me politikat që ndjek Amerika ndaj Ballkanit Perëndimor.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker thekson se Shtetet e Bashkuara ndajnë me Bashkimin Evropian një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e rajonit është në radhët e BE.

“Ky është angazhimi i Shteteve të Bashkuara – qoftë për Serbinë, Kosovën, Bosnjen apo vende të tjera: synimi është të forcojmë paqen, të forcojmë demokracinë dhe stabilitetin. Këtë po e realizojmë me partnerët tanë evropianë”.

Për arritjen e kësaj perspektive, zyrtari amerikan thekson se rruga e vetme mbeten reformat dhe dialogu. Zoti Riker ndalet tek zhvillimet e fundit në Kosovë, ku thekson shqetësimin e përbashkët të anëtarëve të NATO-s lidhur me trazirat në veri të vendit:

“Ritheksoj se përdorimi i dhunës kundër KFOR-it është krejtësisht i papranueshëm. Ne dënojmë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it”.

Ai përshëndeti deklaratën e Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, që bëri thirrje për largimin e barrikadave në kufirin e Kosovës me Serbinë:

“Kishin kërkuar prej muajsh që Beogradi të bënte një deklaratë sa më të drejtpërdrejt kundër dhunës dhe e përshëndesim këtë deklaratë dhe ashtu siç u shpreh Këshilli i Atlantikut Verior, tani presim veprime konkrete nga autoritetet serbe”.

Riker shprehet gjithashtu optimist që palët janë rikthyer në bisedime, si i vetmi forum funksional për të zgjidhur mosmarrëveshjet:

“Aktualisht Kosova dhe Serbia kanë një mundësi konkrete për të diskutuar me mbështetjen e ndërmjetësit të BE dhe për të gjetur mënyra për të përmirësuar jetët e popullatës së tyre, sidomos të serbëve në veri. Janë arritur një numër marrëveshjes në këtë proces, por zbatimi i marrëveshjeve është një pjesë kritike e këtyre marrëveshjeve. Këtë e theksoi edhe presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rumpuy. Jemi optimistë që palët janë ulur në dialog, kjo është rruga përpara, jo dhuna”.

Zoti Riker vlerëson qëndrimin e deritanishëm të Prishtinës zyrtare, por u bën thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë të bëjnë më shumë për të integruar pakicën serbe në veri:

“Ata duhet të përqendrohen edhe në politika për t’i zgjatur dorën e bashkëpunimit serbëve në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se çfarë ofron qeveria e Prishtinës dhe në këtë mënyrë të eliminojë disa prej shqetësimeve të popullatës në veri. Për momentin jemi të përqendruar në përpjekjet e dialogut dhe për konkluzionet e Këshillit Evropian, që do të pasqyrojë në një masë të madhe edhe përpjekjet në dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë”.

(VOA/INA)

© Panorama.al

Te lidhura