Rihapet pas 20 vjetësh Muzeu i Apolonisë

Dec 7, 2011 | 14:00
Dje, gjatë përurimit të Muzeut të Apolonisë

Pas qëndrimit në kryeqytet, statujat e mermerta u kthyen sërish në shtëpi. Pas 20 vitesh i kthehet publikut Muzeu Arkeologjik i Apolonisë. Mbi 750 objekte arkeologjike, të mbyllura për vite me radhë, apo të shpërngulura në të tjera ambiente, panë sërish dritën e ekspozimit. I premtuar të hapej në muajt e verës, më pas shtyrë për në muajin shtator, shiriti i prezantimit u pre dje në mjediset e qendrës muzeale të qytetit antik, ku merrnin pjesë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi; Zineb Benxhelun, përfaqësuese e OKB-së për Shqipërinë; Engelbert Ros, përfaqësues i UNESCO-s; Janete Papadhopulos, përfaqësuese e Zyrës së ndihmës kulturore Itali; drejtori i IMK-së, Apollon Baçe etj. Ministri Aldo Bumçi në fjalën e tij tha se Muzeu i Apolonisë është një nga më të rëndësishmit në Shqipëri dhe gjithashtu një motor zhvillimi kulturor e turistik jo vetëm për zonën, por për gjithë vendin. Sipas Bumçit, rihapja e këtij muzeu është një tregues i qartë i potencialit turistik që ka vendi. Për të vënë në dukje rëndësinë që qeveria i jep këtij sektori, ministri përmendi buxhetin në rritje për vitin 2012. Ndërsa studiuesi dhe arkeologu Neritan Ceka tha se në projektet e qeverisë shqiptare, Apolonia e lashtë pas pesë vitesh do të jetë qendra e Shqipërisë jugperëndimore sa i përket turizmit. Sipas tij, ende nuk ka përfunduar projekti i saponisur. “Ky është vetëm fillimi i një pune të nisur prej disa vitesh në ekspozimin dhe paraqitjen e asaj se çfarë ruan dhe është në të vërtetë Apolonia e lashtë”, tha ai. Projekti i restaurimit të Muzeut të Parkut Arkeologjik të Apolonisë ka nisur disa vite më parë pas një marrëveshjeje të OKB-së, UNESCO-s dhe qeverisë shqiptare për ruajtjen e vlerave arkeologjike. Rreth 750 objekte të periudhave të ndryshme të zhvillimit të qytetit antik të Apolonisë, mes të cilave statuja dhe një thesar monedhash antike, janë ekspozuar në një godinë me një sipërfaqe prej më shumë se 1000 m2, e cila u dëmtua për shkak të rrëshqitjes së dherave në kodrën ku ai ngrihet. Muzeu i Apolonisë daton që prej viteve ’80-të, por u mbyll për shkaqe sigurie pas viteve ’90. Objektet arkeologjike që prej asaj kohe ruheshin në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, iu rikthyen vendit ku u zbuluan.

© Panorama.al

Te lidhura