Riformatimi i Ramës si media

Nov 5, 2011 | 12:34

BELINA BUDINI

Mjedisi mediatik shqiptar ka njohur së fundi një zhvillim të ri, shfaqjen e politikanit-media. Nuk është rastësi që ky zhvillim lidhet me emrin e Edi Ramës, që ka mishëruar në Shqipëri edhe prototipin invers, atë të politikanit produkt të mediave, i cili nuk doli në politikë nga mjedisi partiak, por nga “oxhaku” i mediave. Mirëpo, risinë e përbën lindja e një specieje tjetër nën lëkurën e tij, e cila përkon me një prototip të ri komunikuesi politik, atë të politikanit që bëhet media. Edhe pse kjo nuk është tentativa e tij e parë si politikan për të marrë funksione mediatike, për herë të parë kemi daljen e tij me një media të institucionalizuar si e tillë, siç është faqja në internet www.edirama.al. Nuk është fjala, pra, për një faqe të thjeshtë në një rrjet social apo për shfrytëzim të faqes së institucionit ku është titullar, por për një media të mirëfilltë online me adresë personale.
Në kushtet kur nuk ka ende një “berisha.al”, “basha.al” apo “blushi.al” dhe as ndonjë politikan tjetër shqiptar.al, Rama është i pari politikan-media i këtij formati në qarkullim dhe nuk ka se si të mos dallohet për atë që po bën. Është bërë paralelisht edhe politikani i parë shqiptar që e integron median “Twitter”, “Facebook” dhe opsionin “RSS feed” për mesazhet e tij në blog, në faqen e tij pritëse në internet. Një politikan-media i mirëfilltë, që rifreskon rregullisht informacionet që nxjerr, që publikon me vijim pjesë ekskluzive nga libri i tij ende i padalë në treg, që u përgjigjet herë pas here qytetarëve që i shkruajnë, që replikon aty për aty me cicërima në “Twitter” Berishën e shumicën, që interpreton sipas ëndjes së vet programin e partisë së vet, takimet me të vetët dhe madje edhe mediat tradicionale, si shtypin e shkruar e televizionin, për mënyrën se si i paraqesin ngjarjet dhe aktualitetin.
Për kreativitetin me të cilin po e menaxhon vetveten online dhe për formën e zgjedhur, që është ajo e përdorur fillimisht nga industria hollivudiane për të menaxhuar imazhet e yjeve të saj që po dilnin jashtë kontrollit, ky riformatim mediatik i Ramës duket sikur i rikthen atij shkëlqimin e humbur prej artisti dhe ylli mediatik, si dhe hap shtigjet e dëshiruara prej tij në mënyrën se si të tjerët do ta referojnë, në përpjekje për të disiplinuar ose përmbajtur klimën kritike ndaj tij. Ndoshta mund të konsiderohet edhe si një shans i rikapur për të marrë fjalë të mira prej gazetarëve e opinionistëve, gjë që aq shumë i ka munguar vitet e fundit, kur e ka karakterizuar një komunikim publik nevrastenik dhe fals si politikan. Media-Rama mund të konsiderohet gjithashtu edhe si instrument efikas në duart e opozicionit në Shqipëri, për sa kohë vetëm Rama dhe disa socialistë rreth tij përdorin në një logjikë të ngjashme mediat online. Mund të numërohen edhe efekte të tjera pozitive të daljes së riformatuar të Ramës si një media në hapësirën publike, ndër të cilat, pa dyshim, edhe mbështjellja që i ofron faqja e tij programit të Partisë Socialiste, gjithë duke mëtuar se një i tillë i mirëseardhur ekzistuaka!
Mirëpo kjo dalje e politikanit Rama me një paketë mediatike të veten, që shkon nga mesazhet e shkurtra në Twitter, te shkëmbimet e natyrës dialoguese në blog, e deri te rrëfimet e gjata monologuese në një libër, përmban edhe rreziqet e preokupimet e veta për mjedisin mediatik dhe atë politik në Shqipëri, pa përjashtuar efektet kundërthënëse për vetë Ramën. Duke i vendosur në kontekstin e zhvillimeve shqiptare në lidhje me mediat, politikën dhe së fundi rrugëtimin politik të Edi Ramës, këto taktika dhe axhustime komunikative të një protagonisti të politikës dhe të mediave, paraqesin në radhë të parë vështirësi dhe sfida të reja për mediat në Shqipëri.
Është e qartë se media-Rama nuk përbën thjesht një media më shumë, në shërbim të pluralitetit të zërave mediatikë në këtë vend. Madje do të ishte qesharake po të shihej thjesht nga kjo perspektivë, pasi zëri i tij është ai i pothuajse gjysmës së shqiptarëve dhe dëgjohet ngado lirisht në këtë vend, sipas cilësisë së performancës së tij, sigurisht. Pra, në mos qoftë e tepërt si media, është së paku jo domosdoshmëri për demokracinë, fjalën e lirë dhe komunikimin politik në Shqipëri. Një arsye tjetër për ta konsideruar me shqetësim median-Rama është anashkalimi dhe sfida e qëllimshme që u bën mediave tradicionale si shtypit të shkruar dhe televizionit tani që nuk arrin t’i përballojë më ato me optikat e tyre të lira. Gjetja për t’i penetruar gazetat dhe ekranin e vogël në mënyrë indirekte, përmes joshjes virtuale, cicërimave në Twitter dhe fragmenteve të nxjerra nga libri i vet, është një hile ose taktikë që aktualisht po funksionon, por që duhet lexuar qartë si një përpjekje për të nxjerrë jashtë loje aparatin përzgjedhës dhe interpretues të vetë mediave, duke marrë vetë rolin e tyre si “gate-keep-ers”, si dhe duke e përcaktuar vetë axhendën e tyre.
Edhe pse mund të duket e dëshiruar si formë e komunikimit politik nga vetë politikanët, një media virtuale si ajo e Edi Ramës nuk ka asnjë lidhje me pjesën dërrmuese të elektoratit të një subjekti partiak në Shqipëri dhe, si e tillë, është një ushtrim snobizmi dhe ekstravagance politike. Është gjithashtu një ushtrim personalizimi i skajshëm, që përbën një sfidë të hapur ndaj partisë politike si forum dhe kolektivitet. Është fiks në stilin e yjeve të Hollivudit dhe nuk është çudi që edhe politikanët botërorë që e përdorin më me zell, kanë ose statusin e yjeve nacionalë, ose atë të ekstremistëve politikë, duke filluar që nga Obama, të cilit nuk i mungon një www.barackobama.com e deri tek Hugo Çavez me www.chavez.org.ve. Mirëpo, në Shqipëri Rama është ende politikani i vetëm që e merr seriozisht veten si media online, edhe pse brenda opozitës disa politikanë përdorin me një lloj efikasiteti facebook-in si media për të komunikuar mesazhet e tyre. Si e tillë, dalja e politikanit Rama si media krijon pabarazi brenda llojit të vet, ashtu si edhe në raport me kundërshtarët politikë, që duket qartë se i ka lënë pak mbrapa në përdorimin më të ri teknologjik. Efekti më afatgjatë i medias-Rama do të jetë, sigurisht, edhe përfshirja e politikanëve të tjerë në garën virtuale me “Twitter” e blogje, gjë që nuk mund të themi se do ta bëjë politikën më të mirë, në mos e bëftë më të keqe.
Së fundi, ky riformatim ekstravagant dhe virtual i Ramës e konfirmon edhe një herë atë si takticien të aftë, por nuk flet për ndonjë vijueshmëri strategjike të tij si politikan as në pikën e tij më të fortë, atë të komunikimit. Aftësia e tij për t’u përshtatur e ribërë vazhdimisht është e admirueshme, por e ka rritur dozën e mosbesimit ndaj performancave të tij. A do të jetë ai i besueshëm në këtë performancë të radhës me libra, cicërima pas zërit të protestave dhe të bojkotit që e ka shoqëruar deri më tash? Çfarë ka ndodhur ndërkaq që të justifikojë kthimin e faqes prej tij? Mos kemi nevojë për më tepër arsyetime, sesa cicërima prej tij? Le të shpresojmë se nga Asambleja e sotme do të dalin më tepër arsyetime për mediat tradicionale, sesa cicërima për faqen e tij në web.

© Panorama.al

Te lidhura