Arrestohet ditën e zgjedhjeve Emiljano Shullazi bashkë me grupin e tij prej 11 personash të armatosur.Ngjarja ka ndodhur dje vetëm disa minuta para se të mbyllej procesi i votimi në komunën Farkë të Tiranës. Policia tha se një aksion i forcave të rendit u finalizua me arrestimin e 32-vjeçarit, në afërsi të Liqenit të Thatë, pa kaluar ende një muaj nga arrestimi i tij i fundit për një incident tjetër elektoral. Burime nga Policia thanë se Emiljano Shullazi u arrestua teksa u bënte presion banorëve që të votonin kandidatin e Partisë Socialiste, duke kërcënuar edhe me armë. Në momentin e arrestimit, policia sekuestroi dy makinat e blinduara me të cilat ai lëvizte prej disa ditësh, antiplumb, tre pistoleta, tre thika dhe disa doza bimë narkotike. Ndryshe nga arrestimi i parë, për prishjen e takimit elektoral të PS, në Njësinë Nr.7, kur Gjykata e la të lirë me “detyrim paraqitje”, duket se këtë herë Shullazi nuk i shpëtoi dot qelisë. Policia tha mbrëmë zyrtarisht se Emiljano Shullazi u ndalua teksa lëvizte me një makinë tip “Benz”, me targë TR 4018 J, të blinduar, i veshur me jelek antiplumb dhe me 3 radio policie. Në mjetin që drejtohej nga Shullazi, u gjetën edhe 3 pistoleta, dy thika dhe një sasi bime narkotike, kanabis sativa. Emiljano Shullazi, 32 vjeç, personazh i njohur në Tiranë, i dënuar për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe i liruar në dhjetor 2010, pas llogaritjes së vuajtjes së dënimit u arrestua pas disa denoncimeve se po ushtronte presion në Farkë.
INCIDENTI I FUSHATES TE PARKU
Një tjetër incident elektoral, ku u përfshi Emiljano Shullazi, ndodhi më 21 prill 2011, në zonën e ish-Parkut në Tiranë, ku ai u ndalua si i akuzuar për prishjen e takimit elektoral të Partisë Socialiste. Në gjykatë janë paraqitur dy versione të ngjarjes së 21 prillit. E para ka qenë ajo sipas kallëzueses, deputetes Vasilika Hysi. “Më datën 21.04.2011 rreth orës 18:30, në një lokal të ndodhur në rrugën “Ylbere Bylykbashi” në kryeqytet, është zhvilluar një takim elektoral, nga përfaqësues të Partisë Socialiste me simpatizantë të saj, takim në të cilin merrnin pjese, midis të ftuarve të tjerë, edhe Vasilika Hysi, deputete e Partisë Socialiste si edhe kryetari i Minibashkisë Nr.7 në kryeqytet. Sipas pohimeve të Hysit, rezulton se në kohën që në këtë takim kishte marrë fjalën dhe po prezantonte programin e tij kandidati i kësaj Njësie, në ambientet ku zhvillohej ky takim hyn një djalë rreth 35 vjeç. Ky person u është drejtuar të pranishmeve me shprehjet “hiqeni këtë foni, se kemi njerëz të sëmurë”. Sipas Hysit, personi, që më pas është identifikuar si Emiljano Shullazi, në kohën që dilte nga lokali ka fyer të pranishmit dhe ka rrezuar me shkelma dy tavolina dhe më pas ai është larguar me disa persona të tjerë”, thuhej në vendimin e gjykatës. Ndërkohë, në seancën gjyqësore Emiljano Shullazi është shfajësuar nga të gjithë pretendimet e ngritura nga Prokuroria në drejtim të tij. Sipas tij, gjithçka ka qenë vetëm një kërkesë drejtuar drejtuesve të takimit, në lidhje me volumin e lartë të zhurmës, pasi kishte njerëz të sëmurë.
Dhunohet vëzhguesi shqiptaro-amerikan
TIRANE – Një vëzhgues i shoqatës “Vatra” është dhunuar mesditën e djeshme teksa mbikëqyrte procesin e votimit në shkollën “Naim Frashëri”, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, për Minibashkinë Nr.7. Burime zyrtare nga Policia thanë se i dëmtuari është një shtetas shqiptaro-amerikan, me banim të përkohshëm në Tiranë, i cili kishte mbërritur vetëm për të vëzhguar procesin zgjedhor. Forcat e policisë së Komisariatit Nr.2 janë njoftuar për ngjarjen nga i dëmtuari Isat Nuhi Billali, 38 vjeç, i cili pretendon se është sulmuar pa asnjë shkak nga disa persona ende të paidentifikuar, të cilët ndodheshin mes personave të tjerë që prisnin në radhë për të votuar. Ai ka treguar në polici, se rreth orës 13:30, teksa tentonte të futej në qendrën e votimit për të parë se si po ecte procesi zgjedhor, disa persona kanë tentuar ta pengojnë duke e ndaluar në mes të radhës me njerëz. Autorët e kanë shtyrë duke e larguar disi nga personat që prisnin për të votuar dhe e kanë goditur me grushte në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas janë larguar. Policia ka marrë edhe përshkrimet e të dëmtuarit për autorët e sulmit ndaj tij dhe po punon për identifikimin e tyre.
Incidentet ore pas ore
Ora 12:35, KAMZË
Një anëtar i PBDNJ në komisionin e qendrës Nr. 1578, ka denoncuar një person që e ka kërcënuar me jetë. Kërcënimet sipas tij kanë ardhur pasi situata është tensionuar mes personave që prisnin për të votuar në derën pritëse të qendrës, pas ndalimit të një votimi familjar që po tentohej të kryhej aty.
Ora 13:25, Njësia Nr.7
Përfaqësuesi i PS, Gjovalin Guraj, në qendrën e votimit në shkollën “Naim Frashëri”, për Minibashkinë Nr. 7, denoncon në polici se është dhunuar nga persona të paidentifikuar, për shkaqe fare banale. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen. Personat e denoncuar nga Guraj nuk janë identifikuar ende.
Ora 13:30, Tiranë
Në ambientet e jashtme të shkollës “Naim Frashëri”, ku votohej për Njësinë Nr.7, pas një debati është goditur vëzhguesi i shoqatës “Vatra”, shtetasi shqiptaro-amerikan, Isat Billali, 38 vjeç. Shërbimet e Komisariatit Nr.2, pas denoncimit që ai ka bërë në polici, kanë nisur punën për identifikimin e autorëve.
Ora 13:41, Qyteti Studenti
Kameramani dhe gazetari i televizionit “Top Channel”, janë rrahur nga disa persona, të cilët u kanë rrëmbyer kamerën dhe me pas e kanë thyer, në Njësinë Nr.2, në Qytetin Studenti. Gazetari Marin Mema dhe operatori Eno Çuçllari po verifikonin deklaratat se aty po votohej me karta false. Policia ndaloi dy persona.
Ora 13:50, Kombinat
Dy persona që prisnin në radhë për të votuar në oborrin e shkollës “Myslym Keta”, në Kombinat të Tiranës, kanë dhunuar, duke goditur me grushte e shqelma kryeplakun e Njësisë Nr.6, Vladimir Hysi. Policia ka shoqëruar dy të dyshuarit, Gildian Koraqin dhe Bujar Karajn.
Ora 15:30, “Irfan Tomini”
Në oborrin e kopshtit Nr.45, ku ndodhet qendra e votimit Nr. 1849, te “Irfan Tomini”, janë goditur me grushte dhe sende të forta djemtë e komisionarit të PD, Përparim Hysaj. Të dëmtuarit, Erald dhe Energis Hasaj, 18 dhe 19 vjeç, janë rrahur nga Fatmir Meta dhe Viktor Agolli, tashmë të ndaluar nga forcat e policisë së Komisariatit Nr.2.
TE ARRESTUAR
1. Emiljano Hajdar Shullazi, 32 vjeç
2. Altin Agim Masha, 33 vjeç
3. Arbër Ndriçim Cara, 21 vjeç
4. Elton Sadik Cara, 25 vjeç
5. Albert Qazim Laci, 26 vjeç
6. Julian Idriz Kallaku, 21 vjeç
7. Aleksandër Gjergj Algeri, 23 vjeç
8. Klajdi Ndue Gjeci, 24 vjeç
9. Dorian Osman Kalaja, 32 vjeç
10. Luciano Ali Idrizi, 21 vjeç
11. Ilir Nexip Shullazi, 35 vjeç
12. Franc Përparim Hasalliu, 20 vjeç
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











