Betejat fitohen dhe me rezultate të ngushta. Disa bashki në rang vendi kanë nxjerrë një përfundim, ku diferencat mes kandidatëve ishin të vogla, çka ka bërë që vetëm fundi i procesit të numërimit të saktësonte se cili ishte fituesi. Pikërisht në fund të procesit në Bashkinë e Libohovës, mbrëmë ka nisur një debat në qendrën e numërimit, menjëherë pas daljes fitues të kandidatit të djathtë. Altin Çomo, me vetëm 10 vota diferencë. Nisur nga ky rezultat, e majta ka reaguar, duke pretenduar se këto vota janë të pavlefshme. Shpallja zyrtare e kandidatit fitues ka ngecur, pasi socialistët, me këtë ndërhyrje duket se kërkojnë bashkinë e pestë në qarkun e Gjirokastër, pas fitores në 4 prej tyre. Por, veç Libohovës bashki të tjera kanë pasur një rezultat të ngushtë në shpalljen e fituesit. Kjo ka ndodhur jo vetëm në bashki të vogla, si Vau i Dejës apo Këlcyra, por dhe në ato më të mëdha, si Himara dhe Bulqiza. Diferencë e vogël është regjistruar në Bashkinë e Vaut të Dejës, në një proces të përfunduar ditën e djeshme. Këtu, kandidati fitues i PD-së, Gjon Marku ka siguruar mandatin e bashkisë me 21 vota diferencë. Mësohet se Marku ka marrë 2227 vota kundrejt 2206 votave të Dedë Dodanit, kandidat i Partisë Socialiste. Një tjetër rezultat i ngushtë, prej vetëm 53 votash është regjistruar në Bashkinë e Pukës, duke i sjellë fitoren kandidatit demokrat, çka solli dhe rrëzimin e fortesës së PS-së në këtë qytet. Kandidati Beqir Arifi i PD-së mori 955 vota kundrejt 902 votave të Enver Sulejmanit të Partisë Socialiste, duke u ndjekur me një tjetër diferencë të vogël me kandidatin e PÇSH-së. Në Këlcyrë, kandidatit Klement Ndoni të PS-së i kanë mjaftuar 57 vota për të dalë fitues për kreun e bashkisë së këtij qyteti. Ai la pas Vasil Çarkën e PD-së. Përballja e fortë ishte në qytetin e Himarës dhe për disa orë dy rivalët kryesorë, Vasil Bollano i PBDNJ-së dhe Gjergji Goro i PS-së kanë pritur në ankth përfundimin. Në fund, 100 votat pro Goros e shpallën atë fitues, duke e mundur Bollanon, ndërsa pretendonte të merrte mandatin e tretë. Po dje përfundoi dhe numërimi i votave për Bashkinë e Përrenjasit, ku kandidati i Partisë Demokratike, Bajazit Karriqi me 103 vota më shumë fitoi ndaj rivalit të tij, Artur Topi i PS-së. Një përballje e fortë ishte dhe Poliçan, mes kryebashkiakut të deritanishëm Adriatik Zotka, i PS-së dhe Çaush Qatos të Partisë Republikane. Zotka ka siguruar 153 vota më tepër se Qato, duke mundur të mbajë sërish postin e kryebashkiakut të Poliçanit. Nga të dhënat e procesit të numërimit gazeta ka zbardhur dhe dy bashki të tjera, ku fituesi është shpallur me një diferencë prej 157 votash. Kjo ka ndodhur në Bashkinë e Bulqizës, ku Roland Keta i PD-së ka fituar ndaj rivalit Myfit Duriçi si dhe në Bashkinë e Maliqit, ku socialisti Gëzim Topçiu fitoi mandatin e radhës, duke mundur demokratin Xhevdet Belishta. Rezultatet e ardhshme të bashkive ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit do të nxjerrin ndoshta dhe surpriza të tjera në votim.
Diferencat e ngushta
• Bashkia e Libohovës
Altin Çomo i PD me 10 vota plus
• Bashkia Vau i Dejës
Gjon Marku PD fiton me 21 vota plus
• Bashkia Pukë
Beqir Arifi PD fiton me 53 vota tepër
• Bashkia Këlcyrë
Klement Ndoni PS merr 57 vota plus
• Bashkia Himarë
Gjergji Goro, PS fiton me 100 vota plus
• Bashkia Përrenjas
Bajazit Karriqi PD fiton me 103 vota plus
• Bashkia Poliçan
Adriatik Zotka fiton me 153 vota tepër











