Rezultate surprizë në qarkun e Kukësit, PS fiton terren në Tropojë

May 11, 2011 | 10:57

KUKES – Të papritura dhe befasi ka sjellë për qarkun e Kukësit konkurrimi i hartës së re elektorale, pas shpalljes së rezultateve për 3 bashki dhe 10 komuna. Por ende nuk ka mbaruar numërimi i votave për 12 komuna të tjera. Ajo që nuk pritej ishte ngjyrimi me rozë për të parën herë i Bashkisë Krumë, ku Liman Morina, i cili më parë kishte fituar dy herë radhazi në një komunë të djathtë në Gjinaj të Hasit, ka mundur me 502 vota më shumë kandidatin e PD-së Bradhyl Peka. Ky i fundit kandidonte për mandatin e katërt radhazi. Ndërkohë, demokratët kanë rimarrë komunën Golaj, më të madhen në Has, duke mundur Adem Lalën e PS-së, që e drejtonte këtë komunë për dy mandate. Surprizat vijnë edhe nga Tropoja, pasi komunat Lekbibaj dhe Llugaj do të drejtohen për herë të parë nga socialistët, Gëzim Meshi dhe Vuksan Çardaku. Ndonëse ngushtësisht, ata arritën t’u marrin fitoren kandidatëve të “Aleancës për qytetarin”. Komunat e tjera dhe Bashkia Bajram Curri, kanë ruajtur drejtimin nga demokratët. Rezultati më i thellë është shënuar në Margegaj, ku Rexhë Biberaj ka marrë mandatin e tij të tretë radhazi, duke mundur kandidatin e opozitës me 82 për qind të votave. Kjo komunë përfshin Luginën e famshme të Valbonës. Duket që paratë e investuara nga qeveria dhe mirëmenaxhimi i tyre ka dhënë dhe këtë rezultat të lartë. Ndërsa në Kukës rezultatet kanë dalë dy ditë më parë, ku Hasan Halilaj i PD-së mundi thellësisht Alfred Cengun e PS-së me afro 2500 vota më shumë, duke marrë mandatin e dytë radhazi. Në orët e drekës është numëruar edhe komuna më e madhe, ajo e Bicajve, ku Arben Korbi i PD-së mundi Xhemali Onuzin e PS-së. Sakaq, Dilejman Nela i PD-së ka marrë mandatin e tij të pestë në komunën e Shishtavecit, duke mundur me mbi 80 për qind Xheladin Memishin e PS-së. Në Kukës mbeten pa u numëruar edhe 12 komuna ku me interes priten Tërthoraj, pasi ka një rivalitet të madh dhe Shtiqni. Në orët e mbrëmjes përfundoi dhe numërimi në komunën Malzi, ku socialisti Astrit Dobrusha fitoi ndaj demokratit Bajram Qoti.   j.h

© Panorama.al

Te lidhura