Vetëm një ditë pas vizitës në Tiranë të ministrave të Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, partitë politike dëshmojnë sërish se janë larg arritjes së një kompromisi.Në seancën e djeshme parlamentare, kur po diskutoheshin disa ndryshime në ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, PD-ja dhe PS-ja folën në gjuhë të ndryshme për mënyrën se si mund të afrohen me njëra-tjetrën pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Fillimisht ishte Kryeministri Sali Berisha, i cili i propozoi opozitës hartimin dhe miratimin e një rezolute për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Unë jam sot këtu për t’i bërë thirrje opozitës që së bashku të hartojmë një rezolutë, në të cilën të shprehim zotimet dhe axhendën tonë për procesin e integrimit. Unë, sigurisht, pavarësisht nga skepticizmat, besoj se qëndrimet e veta opozita nuk i merr dhe nuk i përcakton për hir të qeverisë. Qëndrimet e veta opozita i bazon dhe duhet t’i bazojë në programin e saj si forcë politike, i bazon dhe duhet t’i bazojë në funksion të realizimit të qëllimeve të saj, dhe kjo është normale”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “tani është momenti që të faktojmë se deklaratat tuaja, se do t’i votoni të gjitha çështjet që lidhen me integrimin, janë të vërteta dhe reale, apo janë një blof i radhës, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të blihet kohë, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të mund t’u hidhet hi syve shqiptarëve se ‘ne po themi se do të votojmë, por nuk do të votojmë dhe ne nuk po pengojmë’. Unë besoj se në rrafshin politik ky qëndrim do të ndëshkonte çdo shqiptar, por do të ndëshkonte në mënyrë të parikthyeshme autorët e tij”.
Nga ana tjetër, në përgjigje të propozimit të maxhorancës, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, foli për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit, në mënyrë që, sipas tij, ky institucion të zhbllokohet nga uzurpimi që i ka bërë shumica. “Le t’i fillojmë nga pika e parë, nga vota e lirë në Parlament, nga fjala e lirë në Parlament, nga ndryshimi i Rregullores së Parlamentit, nga kthimi i parlamentarizmit në Shqipëri. Bëni një hap ju dhe ne shumë shpejt, siç u tha nga kryetari dje në mbledhje të Grupit Parlamentar, do të depozitojmë kthimin e Rregullores së Kuvendit në binarët e atij konsensusi që ka miratuar pozita dhe opozita këtu, për të kthyer vërtet parlamentarizmin”, u shpreh Ruçi. Ndërsa për propozimin e Kryeministrit për hartimin e rezolutës për integrimin në BE, zyrtari i lartë socialist theksoi se një draft ndodhet në zyrat e Kuvendit që nga dhjetori i vitit të kaluar. “Opozita shqiptare, qysh në datën 23 dhjetor të vitit të kaluar ua ka sjellë këtu në sallën e Parlamentit. Është bërë dhe një debat këtu në Parlament z. Kryeministër, pikërisht për 12 rekomandimet. Opozita ua ka ofruar kontributin e vet, vullnetin e vet politik. Atëherë ja ku e keni opozitën, ja ku e keni rezolutën e opozitës, ja ku e keni implementimin e 12 pikave që trajton Brukseli për Shqipërinë”, u shpreh Ruçi.
Propozimet e PD
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha i kërkoi gjithashtu opozitës të sjellë javën e ardhshme emrin e kandidatit për Avokat të Popullit, duke i premtuar se do ta votojë atë menjëherë. Gjithashtu, Kryeministri pranoi kërkesën e PS-së për rishikimin e strategjisë për integrimin, si dhe i bëri thirrje asaj të nisë sa më shpejt bisedimet për reformën zgjedhore. “Ju keni kërkuar mbledhjen e Komitetit të Integrimit për të shqyrtuar strategjinë. Ju përgëzoj. Strategjia është gati, shqyrtojeni dhe sugjeroni të gjitha problemet që doni. Kryetari juaj ka ngarkuar dy deputetë nga ju për të eksploruar Komitetin ad hock. Ejani ta eksplorojmë bashkërisht, të ngarkojmë edhe ne dy deputetë e të eksplorojmë modalitetet e ngritjes dhe funksionimit të Komitetit ad hoc”, tha Kryeministri. Në përgjigje të kësaj deklarate, Ruçi tha se “nuk erdhën miqtë në Tiranë për të zgjedhur Avokatin e Popullit, sipas asaj që thoni ju këtu, erdhën për probleme më thelbësore, z. Kryeministër. Ky është angazhimi opozitës dhe për këtë arsye është sot ajo në Parlament, dhe jo të bëjë arnime. Nuk është garniturë e pushtetit opozita. Nuk është opozita që t’i hedhë hi syve Brukselit. Nuk është opozita as të bëjë shurdhin dhe as memecin, se kështu do të ndëshkonte në radhë të parë vendin e vet dhe do të komprometonte funksionin e vet”.
Berisha: Unë nuk ju vë kushte
“Unë ju siguroj se sa të jem në qeveri, nuk do të keni kurrë kushte nga kjo qeveri, por përpjekjet për të vendosur kushte ndaj saj nuk janë gjë tjetër veçse atavizma që janë faktuar në qindra raste të pasuksesshme, të çdo forme që ato janë ndërmarrë”, u shpreh Kryeministri Berisha dje gjatë seancës parlamentare.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











