Rezoluta e PE, Topalli pret Chountis

Sep 6, 2012 | 10:44

Topalli e Chountis

Kryetarja e Kuvendit takon raporterin e Parlamentit Europian.

Eurodeputeti: Imuniteti të mos shihet si çështje politike.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti dje raporterin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, eurodeputetin Nicholaos Chountis. Eurodeputeti ndodhet në Tiranë në kuadër të përgatitjeve të rezolutës së Parlamentit Europian për integrimin europian të Shqipërisë dhe pritet të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit, institucioneve, si dhe partive politike.
Çështja e imunitetit ishte një ndër temat ku dy politikanët shprehën qëndrimin e tyre. Chountis theksoi se e gjithë klasa politike duhet të dialogojë dhe të bashkëpunojë për heqjen e imunitetit, jo vetëm se është një kërkesë e KE-së, por edhe se është një mënyrë e mirë për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit. “Nuk duhet të ketë dallime për këtë çështje. Nuk duhet të trajtohet si një çështje politike, nga e cila përfiton njëra apo tjetra palë, kjo është një çështje që prek dhe interesat e qytetarëve, ndaj duhet të ketë më shumë bashkëpunim dhe konsensus”, tha eurodeputeti Chountis. Nga ana e saj, Topalli tha se maxhoranca është e vendosur për të përdorur të gjitha mjetet që ofron ligji dhe Kushtetuta, për të realizuar këtë nismë të rëndësishme, kërkesë kyçe në paketën e kërkesave të KE-së. “Presim një reagim pozitiv nga opozita për kufizimin apo heqjen e imunitetit. Maxhoranca pranoi tërësisht draftin me kërkesat e opozitës në lidhje me çështjen e imuniteteve, por opozita sërish refuzoi ta votojë atë. Heqja e imunitetit është shumë e rëndësishme, është një mjet që barazon qytetarët dhe pushtetarët para ligjit, por është gjithashtu një mjet që i jep vetë opozitës më shumë hapësira për të kontrolluar qeverinë, ministrat etj. Mosmiratimi i kësaj nisme nga opozita, sigurisht që do të ketë kosto politike për të. Shqiptarët duan një Shqipëri pa imunitete dhe pa privilegje për pushtetarët”, tha kryetarja e Kuvendit.

© Panorama.al

Te lidhura