Revolucion grash në zgjedhjet e 8 majit. Tre bashki në vend janë fituar prej kandidateve femra, të zgjedhura nga Partia Socialiste. Pas kandidates së Burrelit, Adelina Farrici u përzgjodhën dy kryetare të tjera, Mimoza Arapi në Konispol dhe Rajmonda Balilaj në Patos. Bashkia kufitare e Shqipërisë në Jug të vendit është fituar nga kandidatja e Partisë Socialiste, Mimoza Arapi, e cila fitoi me një diferencë prej 270 votash kundrejt Petrit Mullait, ish-kryetar i kësaj bashkie në mandatin e kaluar. Mësuesja e historisë në shkollën e mesme “Bido Sejko”, Mimoza Arapi, ka kandiduar në këto zgjedhje përballë Mullait, i kandiduar nga PDIU. Bashkëqytetarët e saj dhe të zonave përreth i besuan votat për herë të parë një gruaje. Mimoza Arapi u shpreh dje se do të bëjë realitet ato që u ka premtuar bashkëqytetarëve të saj gjatë fushatës elektorale: rehabilitimin e kanalit të Janjarit dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes, shndërrimin e aksit Qafë Botë-Shkallë në një zonë ekonomiko-industriale me veprimtari prodhuese, si dhe projekte të tjera në shërbim të komunitetit. Jo surprizë, pasi kishte avantazh gjatë gjithë kohës, ka qenë dhe fitorja e kryetares së sapozgjedhur të Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj. Me rreth 965 vota diferencë ajo u shpall fituese kundrejt rivalit në këtë garë, Dilaver Kamberaj, i Aleancës për Qytetarin. Pas shpalljes së rezultatit nga numërimi i votave në Bashkinë e Patosit, që ka nxjerrë fitues Balilajn, anëtarë dhe simpatizantë të kësaj forcë politike kanë festuar në sheshin në qendër të qytetit në shtabin elektoral të PS-së, shumë pranë Pallatit të Kulturës, atje ku ndodhej edhe qendra e numërimit të votave. Një ditë më parë, në qytetin e Burrelit u shpall fitorja e kandidates së PS-së, Adelina Farrici, e cila mundi kandidatin e PD-së. Deri tani rezulton se ato janë të parat dhe të vetmet kandidate femra që kanë fituar në krye të bashkive të vendit në zgjedhjet e 8 majit.
Lazarat, Mundet Bika me 1 mijë vota diferencë
LAZARAT – Kandidati demokrat për komunën e Lazaratit, Dasho Aliko ka rifituar mandatin e radhës, duke mundur kandidaten socialiste, Republika Kasmahu. E njohur për pjesëmarrjen në “Big Brother 1”, Bika u shpreh gjatë fushatës elektorale se kishte besim për një kthim rozë të komunës Lazarat. Por, procesi i numërimit, të përfunduar mbrëmë në këtë komunë nxori sërish fitues Alikon, me një diferencë prej rreth 1 mijë votash më shumë. Partia Demokratike fiton prej vitesh në komunën Lazarat dhe deri tani, Aliko nuk është mundur në zgjedhjet
vendore. p.n











