Restaurohen tri banesa monument kulture

Jun 4, 2012 | 17:36

GJIROKASTER- Vazhdojnë punimet në tre nga ndërtesat monument kulture në zonën historike të Gjirokastrës. Prej disa muajve, tre nga banesat karakteristike gjirokastrite nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe nën mbikqyrjen e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, i janë nënshtruar restaurimeve në pjesë të ndryshme. Banesat të cilat kanë përfituar nga investimet e radhës, figurojnë ato të shtëpisë së Ficove, Cuberajve dhe Kokobobot. Të trija banesat, ndodhen në lagjet “Palorto” dhe “Hazmurat” dhe përbëjnë trion e banesave që kanë patur më shumë se kurrë ndonjëherë vizita nga të interesuarit pasionantë të kulturës së hershme vendase.

Sipas Spartak Drasas, drejtori i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër në muajin gusht, do të shihen rezultatet konkrete të investimeve në këto banesa të cila konsiderohen monument kulture i kategorisë së parë.

Punimet në këto shtëpi që datojnë nga fundshekulli i 19, do të vazhdojnë, duke u kujdesur për ruajtjen e vlerave origjinale si në arkitekturë, po ashtu dhe në afreske e piktura duke punuar në mënyrë të kujdesshme për kthimin e tyre në identitet të plotë. Vlera që është përdorur për rehabilitimin e tyre, shkon në 20 milionë lek, fonde këto të akorduara nga qeveria shqiptare.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura