Rënia e Presidentit konsensual

Jan 10, 2012 | 9:32

SAMI NEZA

Për herë të parë në verën e këtij viti do të testohen ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, ndryshime që lejojnë që maxhoranca të thjeshta të ndërtuara në Parlament të jenë në gjendje të nxjerrin me votim kreun e shtetit. Pra, një gjë është e sigurt, ndryshimet kushtetuese të 2008-s shmangin plotësisht krizën e zgjedhjes së Presidentit.  Ky ndryshim kushtetues është ndër më të pranuarit dhe ngjan të jetë dhe ndër më afatgjatët nga të gjitha ndryshimet e tjera që iu bënë Kushtetutës me procedura të shpejta dhe pa një densitet diskutimi që meritojnë ndryshimet në këtë dokument. Përmirësimi mbi zgjedhjen e Presidentit lejon Kuvendin të respektojë më në fund Kushtetutën dhe ta sjellë në kufijtë e ligjit zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Pra,  Presidenti do të zgjidhet nga Parlamenti, ashtu si edhe e parashikon ligji themeltar dhe jo jashtë Parlamentit, ashtu siç është dashur të veprohet në vitin 2002, siç u veprua deri në çastet e fundit në vitin 2007 dhe si do të ishte dashur të veprohej edhe më ‘97-n edhe më ’92-shin, nëse nuk do të kishte maxhoranca cilësore nga njëri krah politik.
Kjo shmang njëherë e mirë zgjedhjen në rrugë joformale të Presidentit të vendit, nëpërmjet tryezash politike dhe marrëveshjesh që për shkak të emrit të Presidentit mund të rëndojë edhe mbi parime politike të palëve në konsensus.
Megjithatë, ndonëse gjykohet se shmangia e krizës parlamentare dhe zgjedhjeve të parakohshme janë arritje e këtyre ndryshimeve, sërish zërat për një President konsensual dëgjohen anembanë. Këta zëra e lidhin konsensusin me faktin se një President që vjen prej kësaj rruge ka shanse që të jetë mes palëve. Të tjerë e lidhin këtë domosdoshmëri me mundësinë e zgjedhjes së një Presidenti që nuk del nga mazhoranca aktuale, se nëse do të dilte nga maxhoranca aktuale, bën qe pesha e pushtetit të rëndojë në njërën anë. Të tjerë pak më të moderuar ose më pak të vjetër se të parët thonë le të zgjidhet në Parlament, pa konsensus, por maxhoranca të gjejë një të majtë për të kandiduar për President.
E përbashkëta për të gjitha rastet e mësipërme, është se kapërcehet mbi ligjin dhe operohet përmes mekanizmit të odave. Ndërsa nëse këqyren me vëmendje rast pas rasti, kupton se përvoja e presidentëve tanë që kanë drejtuar shtetit pas Kushtetutës së 1998-s, ka thyer secilën nga pritshmëritë e rreshtuara më lart, duke treguar se konsensusi është mjeti i fundit përmes të cilit duhet shkuar te Presidenti.
1.Presidenti i zgjedhur me konsensus, siç është rasti i Moisiut, nuk është rasti i Presidentit mes palëve e aq më pak mbi palët. Moisiu është akuzuar nga opozita e atëhershme se është kapur prej qeverisë së majtë të drejtuar nga Nano dhe marrëdhëniet e asaj opozite me Presidentin e propozuar nga Berisha kanë qenë të acaruara vitet e fundit të Presidencës së tij.
2. Presidenti Topi që u zgjodh me një konsensus teknik dhe jo politik, por ama buroi prej maxhorancës në Parlament, nuk rëndoi në peshoren e pushtetit, pra djathtas. Që prej ndryshimeve kushtetuese dhe fillimit të emërimeve të reja në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, marrëdhëniet e tij me maxhorancën duken qartë se nuk kanë reflektuar partneritet dhe aq më pak vlerë të shtuar pushteti tek maxhoranca.
3. Presidenti Meidani i zgjedhur me vetëm votat e maxhorancës në vitin ‘97 ka reflektuar integritet në raport me kryeministrin Nano gjatë trazirave të shtatorit të vitit 1998 dhe pas vitit 1999 ai ka pasur marrëdhënie të tensionuara me maxhorancën, prej së cilës kishte dalë. Kujtojmë këtu betejën e fortë pas skene për rikandimimin e tij President dhe rezistencën e madhe të Nanos e Metës që ai të mos rikandidonte.
Pra, argumentet që kërkojnë konsensusin për zgjedhjen e Presidentit janë të tilla, që më mirë plotësohen kur Presidenti buron nga maxhorancat, sesa kur ai buron prej marrëveshjeve.
Por konsensusi ka dështuar edhe në faktin se nuk ia ka dalë të matë produktin e tij. Konsensusi në Shqipëri na ka sjellë të paktën dy emra të tjerë për President, në 2002-shin dhe 2007-n, një diplomat dhe një oficer karriere. I pari dha dorëheqjen pa u shpallur, ndërsa i dyti nuk ia doli të hynte në garë. Secili prej tyre nuk ka bërë ndonjë hap përpara në profesionin e vet që prej atëherë. I pari sërish është diplomat, ndërsa i dyti pak javë më parë u lirua nga detyra prej Presidentit Topi.
Ndërkaq, teza që mazhoranca të këmbëngulë për të gjetur një emër të majtë për ta kandiduar atë si President, merr më tepër diskutim për shkak se fut në lojë skemat politike, jo më për zgjedhjen e Presidentit, por ato të zgjedhjeve parlamentare. Thuhet se në kushtet kur e djathta është në pushtet, një President i ardhur nga e majta zbut pamjen e pushtetit të sunduar gjithandej nga e djathta dhe krijohet një premisë shtesë që maxhoranca aktuale të ruajë pushtetin për së treti, në 2013-n. Kjo hap diskutim, mund të jetë e vërtetë, por veçse rast pas rasti. Pra, po propozohet diçka që nuk mund të kthehet në rregull. Nuk mund të kthehet në rregull sepse ai përmbyset nëse në 2013-n, pavarësisht Presidentit të majtë, e majta i fiton zgjedhjet parlamentare. Pra, në këtë rast Presidenti luan rolin në të kundërt, për të cilin ishte zgjedhur. Në vend të zbehë pushtetin e së djathtës, tashmë përforcon gjithandej pushtetin e së majtës. Por edhe nëse kthehet në rregull, a mund të ruhet ai? Përvoja e marrëveshjes për kryetarin e KLSH-së tregon se politika në Shqipëri nuk jeton me marrëveshje afatgjata, madje kryesisht jeton pa marrëveshje. Kryetar i KLSH-së pas Blerim Çelës së PD-së u zgjodh Mustafa Kërçuku i Ballit Kombëtar vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa pesë vjet më pas u zgjodh Robert Çeku i PR-së, sërish pa votat e opozitës së asaj kohe dhe vetëm me votat e maxhorancës së majtë. Marrëveshja u prish vetëm ne testin e parë të saj, tre vjet pas ujdisë Berisha-Nano për zgjedhjen e kreut të KLSH-së me propozimin e opozitës, për të mos i rikthyer më.
Por ndërkaq, kush është në gjendje të pranojë deri në fund se propozimet e emrave të majtë prej maxhorancës vërtet krijojnë premisa që të forcohet edhe më shumë mazhoranca në zgjedhjet e radhës? Ta zëmë do t’i shtojë mundësitë e fitores së PD-së në 2013-n emri i Fatos Nanos për President. Natyrisht që jo, megjithëse vetëm kjo mungesë nuk e përjashton atë për të qenë kandidat. Por a do të prishte punë në fitoren e PD-së një emër i dalë po prej PD-së në krye të shtetit? Ka një vit kohë për test. Është kohë e mjaftueshme për të marrë një përgjigje në formë fakti, sesa përgjigjen që kemi tani në formë hipoteze. Një President nga PD që respekton ligjin, mund të sjellë efekte pozitive për PD-në në zgjedhjet parlamentare, ose do të zbresë shanset për fitoren nëse ai nuk zgjidhet me një koeficient të fortë të besimit se do të respektojë statusin neutral të Presidentit.
Në fund jemi në gjendje të kuptojmë se të gjitha rrugët joligjore si konsensusi apo të gjitha mjetet ligjore për të arritur në një përfitim ekstra prej zgjedhjes së Presidentit, mund të çojnë në përfundime të gabuara ose parashikime të përmbysura. Prandaj, që zhgënjimi të mos na  mbërthejë, t’i falemi rrugës së ligjit që çon te Presidenti, duke pranuar një konsensus të cilin të mos e përdorim për të anashkaluar ligjin.

© Panorama.al

Te lidhura