RENEA vret të kërkuarin për grabitje

Dec 20, 2011 | 13:42

Nuk i është bindur urdhrit të RENEA-s për t’u dorëzuar, ekzekutohet i kërkuari. Tre plumba në kokë i kanë shkaktuar vdekjen 40- vjeçarit nga Puka, Elidon Prendi. Ai fshihej prej kohësh në fshatin Gurëz të rrethit të Matit, ku dhe policia mori informacion, duke organizuar operacionin për arrestimin e të akuzuarit për rreth 10 grabitje. Mësohet se Prendi jo vetëm nuk ka pranuar të dorëzohet, por ka dalë me një granatë në dorë, duke kërcënuar se do e hidhte në drejtim të forcave të Policisë në operacionin. Qëllimi ishte të çante rrethimin, por nuk ka mundur dot. Forcat e RENEAs i kanë bërë thirrje disa herë të dorëzohej, por veprimet e 40- vjeçarit sipas Policisë së Lezhës kanë rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të tij, fillimisht për ta trembur, e më pas janë detyruar të qëllojnë direkt mbi të. Sipas tyre, ky veprim u ndërmor menjëherë pasi i kërkuari tentoi t’i hiqte siguresën granatës për ta hedhur drejt Forcave Speciale. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 12:30. Ndërsa Elidon Prendi prej tre muajsh kishte marrë një banesë me qira në këtë fshat, duke u strehuar me një identitet të rremë, me emrin Alfred Seferi. Prej këtej kishte rinisur veprimtarinë e dikurshme të tij, duke vijuar të vidhte edhe në këtë zonë. Kjo ka bërë që policia të vihej në lëvizje, duke arritur të zbulonte personin që fshihej me identitet të rremë. Ata nxorën përfundimin se Alfred Seferi ishte pikërisht Elidon Prendi, i dënuar me katër vite burg për veprën penale të “grabitjes me dhunë”. Policia e Lezhës, me të marrë informacionin e plotë nga homologët e saj në Pukë, ka nisur të ndjekë lëvizjet e 40- vjeçarit. Nga verifikimet është konstatuar se ai ishte autori i dyshuar për një sërë grabitjesh në akset rrugore të Pukës dhe Mirditës, për të cilët policia kishte nisur hetimet. Të dhënat operative kanë bërë që policia të kërkonte edhe ndihmën e Forcave Speciale, pasi Prendi i kishte shpëtuar disa herë rrethimit në fshatin e tij të lindjes dhe i druheshin përplasjes me të, pasi lëvizte i armatosur. Prendi është rrethuar rreth orës 11:00 nga forcat e Policisë së Kurbinit dhe Lezhës, ndërsa më pas mbërritën Specialët që kanë kërkuar të negociojnë me 40- vjeçarin që ndodhej i vetëm në banesë. Por, përgjigjes së Policisë dhe Forcave Speciale i kërkuari i është kundërpërgjigjur me kërcënime se do u hidhte një granatë që mbante në dorë. Rreth orës 12:30, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se Prendi ka tentuar të heqë siguresën e granatës për ta hedhur në drejtim të RENEA-s, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Specialëve, të cilat kanë qëlluar tri herë mbi Prendin. Plumbat e dalë prej tyre i kanë rënë në kokë dhe qafë, duke e lënë të plagosur rëndë. Menjëherë policia e ka nisur për në spitalin e Lezhës të plagosurin, por gjatë transportit ai ka ndërruar jetë. Policia gjatë kontrollit në banesën ku ishte strehuar Prendi ka gjetur dy automatikë, dy granata mbrojtëse, si dhe një sasi e konsiderushme fishekësh, ushqime dhe veshmbathje të vjedhura nëpër dyqane nga ana e viktimës. Policia e Lezhës bëri të ditur mbrëmë se arrestoi tre persona, shtetasit Marjan Kala nga Puka, Mentor Vuka nga Vau i Dejës dhe Alfred Marku nga Mirdita. Ata kanë qenë në banesën ku strehohej i kërkuari dhe dyshohet se janë bashkëpunëtorë duke e ndihmuar 40-vjeçarin ti fshihej policisë.

Kush ishte Elidon Prendi
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se viktima ishte person me precedentë penalë. Prendi ishte nga fshati Luf i Pukës dhe ishte baba i një fëmije të mitur. Një vit më parë, ai ishte dënuar nga ana e Gjykatës për veprën penale të “grabitjes me dhunë”, të ndodhur në Pukë. Dënimi ishte me 4 vjet heqje lirie, por faktit që ai nuk ishte vënë në pranga, ndonëse i kërkuar nga Drejtësia, iu shtuan grabitjet e shumta nëpër rrugët nacionale dhe rurale të zonave veriore. Sipas Policisë, vazhdimisht ai ushtronte grabitje në akset rrugore dhe nëpër banesa të ndryshme, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga ana e Policisë si një njeri tepër i rrezikshëm, pasi qarkullonte i armatosur.

VRASJET NGA SPECIALËT
15 qershor 2010

LAZËR VUKSANI, i dënuar për dy vrasje, u qëllua për vdekje nga Forcat Speciale më 15 qershor të vitit të shkuar. Ngjarja ndodhi në fshatin Vilë të komunës Temal në Shkodër. Forcat RENEA hynë në fshatin e largët për të kapur 67-vjeçarin e dënuar me 23 vjet burg, i cili shkëmbeu zjarr, por mbeti vetë i vdekur.
17 prill 2006
PËLLUMB NDREVATAJ mbeti i vrarë gjatë operacionit për kapjen e tij në një fshat të komunës Lekbibaj në Tropojë. I kërkuari ishte dënuar me burg të përjetshëm nga gjykatat shqiptare, për dy ngjarje të rënda. Ai hapi zjarr nga shtëpia ku fshihej, por RENEA i është përgjigjur me breshëri.

KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura