TIRANE – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, zv. Kryetarja, Dëshira Subashi dhe pesë anëtarët e tjetër të KQZ, janë marrë në mbrojtje nga policia prej tri ditësh. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, ka vendosur masa mbrojtjeje fizike për 7 anëtarët e KQZ. Masat janë marrë pas situatës së krijuar prej disa ditësh, ku para zyrave të KQZ ka pasur incidente mes deputetëve të PS e qytetarëve dhe policisë. Marrja në mbrojtje e anëtarëve të KQZ është bërë edhe mbi bazën e kërkesës që ata vetë kanë bërë për shoqërim me efektiva policie. Tensioni para KQZ prej ditësh, nga mbështetës të Partisë Socialiste dhe deputetë të këtij institucioni, që protestojnë për vendimin e komisionit që vazhdon numërimin e fletëve të kontestuara, ka sjellë përplasje mes policisë dhe militantëve, madje edhe deputetëve. Për këtë arsye, policia tha se anëtarët e KQZ janë ndier të kërcënuar verbalisht, por edhe në rrugë të tjera, gjë që ka sjellë vendimin e dy ditëve më para për mbrojtjen e tyre. Burime nga Policia e Shtetit thanë se kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, për vetë pozicionin e tij dhe riskun, mbrohet nga forcat RENEA dhe nga oficerë të “Briskut”. Ndërsa zv.kryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, dhe anëtarët e tjerë, Klement Zguri, Pandeli Varfi, Vera Shtjefni, Hysen Osmanaj dhe Artan Lazaj, mbrohen vetëm nga forcat e repartit “Brisku”. Mbrojtja është marrë pa ndonjë afat të përcaktuar dhe do të vazhdojë deri me një vendim të dytë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. e.d
Vëzhguesit, kritika Ristanit
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë konstaton se veprime joligjore të ndërmarra nga KQZ, që çuan në një situatë të tensionuar pranë KQZ-së apo edhe protestat e ndërmarra nga opozita, po vënë në pikëpyetje plotësimin e standardeve të procesit zgjedhor, si dhe vetë sistemin zgjedhor. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh shqetësimin se KQZ, nën autoritetin dhe protagonizmin e kryetarit të tij, jo vetëm që është duke ndërmarrë veprime antiligjore, po konstaton fakte serioze që ngrenë dyshime mbi sigurinë dhe paprekshmërinë e kutive të votimit.











