Rëndohet gjendja e policit, dërgohet në Janinë

Dec 27, 2011 | 17:45
Makina e policit pas atentatit

TIRANE- Efektivi i Policisë Rrugore të Tiranës,  Naim Hyska i plagosur pak ditë më parë me një plumb në kokë vazhdon të jetë në gjendje të rënduar për jetën.

Pas qëndrimit për 3 ditë në Reanimacionin e Spitalit Ushtarak në Tiranës, Hyska është dërguar sot me urgjencë me një “Charter” drejt spitalit të Janinës për mjekim më të specializuar.

Sipas mjekut, Fatos Olldashi, Hyska ka pësuar dëmtime të rënda në tru nga plumbi, ndaj mjekimi më i specializuar ishte i domosdoshëm.

Policia vazhdon hetimet per ngjarjen, ndersa ende nuk ka identifikuar autorin e atentatit ndaj policit.

HETIMI I NGJARJES
Naim Hyska, efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës, u qëllua mbrëmjen e së shtunës me plumb në kokë, në afërsi të banesës së tij, te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë, kur po kthehej në shtëpi bashkë me djalin e tij 12-vjeçar. Autori i dyshuar i ngjarjes i kishte zënë pritë pranë banesës, në rrugicën që të çon te Njësia Bashkiake Nr.7 dhe e ka qëlluar 45-vjeçarin me një plumb të vetëm në kokë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se përveç pistës që lidhet me detyrën e tij si efektiv i Forcave Speciale në Vlorë gjatë viteve 1996-1998, është shtuar edhe një pistë tjetër, që lidhet me çështjet personale. Hetimet për ngjarjen janë përqendruar kryesisht në pistën e parë, por duke mos lënë pa marrë në konsideratë edhe ndonjë incident të mundshëm që ai mund të ketë pasur në Tiranë. Personat që janë marrë në pyetje tri ditët e fundit, janë kolegët e 45-vjeçarit Hyska, me të cilët ai ka qenë në aksion 13 vjet më parë, kur mbeti i vrarë një person me precedentë penalë. Gjithashtu dëshmitarë, banorë të pallateve rreth vendit të ngjarjes në Tiranë. Ndërsa personat e shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga Policia e Vlorës, janë miq dhe të afërm të personit që u vra në vitin 1998 gjatë aksionit të Policisë. Kolegët e Hyskës kanë deklaruar se gjatë kohës kur po kryhej aksioni në terren, mes viktimës dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Për këtë arsye, edhe policia është detyruar të qëllojë, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për një person të armatosur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, një prej tyre ka mbetur i vrarë.

© Panorama.al

Te lidhura