“Remzi Hoxha”, vjen letër-porosia e Kumbaros

Sep 22, 2011 | 11:28
Ilir Kumbaro

TIRANE – Mbërrin në Gjykatën për Krimet e Rënda një letër-porosi e nga Anglia në lidhje me pyetjen e të pandehurit Ilir Kumbaro, për llogari të procesit gjyqësor “Remzi Hoxha” në këtë gjykatë. Në seancën e djeshme në ngarkim të tre ish-agjentëve të Shërbimit Informativ, mes të cilëve edhe Kumbaro, të akuzuar për rrëmbimin me pasojë zhdukjen shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, gjykata u shpreh para palëve për mbërritjen e një letër-porosie nga autoritetet britanike. Shkresa zyrtare u mësua të jetë në përgjigje të kërkesës për pyetjen me anë të letër-porosive të të pandehurit Ilir Kumbaro. I pranishëm në seancë dje ishte edhe një përkthyes i licencuar i Ministrisë së Drejtësisë, të cilit iu kërkua të përkthente shkresën e ardhur nga Anglia në seancë. Por, në vijim, gjykata vendosi t’i lërë përkthyesit një javë kohë për përkthimin, duke e shtyre seancën për në datën 28 shtator. Në seancë nuk u bë e ditur përmbajtja e letër-porosisë. Ajo nuk iu vu në dispozicion as palëve, por vetëm përkthyesit, i cili u betua më parë për ruajtjen e sekretit. Ilir Kumbaro u arrestua në shtator të vitit 2008 në Londër, ku jetonte me identitet të rremë. Gjatë kohës që Drejtësia britanike po shqyrtonte ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, për llogari të procesit gjyqësor ndaj tij te Krimet e Rënda, Gjykata e Lartë në Shqipëri pushoi masën e sigurisë “arrest me burg” marrë për Kumbaron në mungesë.

© Panorama.al

Te lidhura