Remzi Hoxha, gjyqi vazhdon aty ku e la Xhevat Hana

Jan 12, 2012 | 12:04
Xhevat Hana

Prokuroria për Krimet e Rënda do të përfaqësohet nga prokurorja Elizabeta Imeraj në procesin gjyqësor në ngarkim të tre të ish-drejtuesve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në vitin 1995. Prokurorja Imeraj do të përfaqësojë organin e akuzës duke vijuar punën e nisur për këtë proces nga prokurori Xhevat Hana, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë. Në nisje të seancës së djeshme te Krimet e Rënda, trupa gjykuese relatoi ndryshimin në përfaqësuesin e akuzës. Në vijim gjykata nuk mundi të nxjerrë nga “ngërçi” ku ka mbetur prej disa seancash ky gjykim. Trupi gjykues bëri të ditur se letër-porosia me dëshminë e të pandehurit Ilir Kumbaro ende nuk ka mbërritur te Krimet e Rënda. I njëjti iu arratis Drejtësisë britanike në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Në seancën e djeshme përfaqësuesja e akuzës i kërkoi gjykatës shtyrjen e seancës në pritje të letër-porosisë. Mosardhja e kësaj letër-porosie po mban “në vendnumëro” procesin gjyqësor në ngarkim të tre ish-sekretëve të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e Hoxhës. Kjo letër-porosi iu ridërgua Drejtësisë britanike pas një përgjigjeje të parë ku i pandehuri Ilir Kumbaro refuzonte pyetjet e dërguara nga Gjykata për Krimet e Rënda. Letër-porosia me përgjigjen negative të Kumbaros u administrua nga gjykata në seancën e 28 shtatorit 2011. Teksa paraqitej në polici në Angli, në zbatim të masës së sigurisë që kishte, Kumbaros i ishte vënë në dijeni kërkesa e autoriteteve shqiptare. “Nuk jam unë ai. Jam Shaqa Shatri”, mësohet të jetë shprehur ai, pa pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të letër-porosisë. Në anën tjetër, gjasat që dëshmia e Kumbaros të mbërrijë te Krimet e Rënda nuk janë të pritshme. Kjo për shkak se më 1 dhjetor 2011 autoritetet lëshuan një urdhër të ri arresti ndaj Kumbaros, për shkak se ai nuk u paraqit në polici, ku duhet të paraqitej, në bazë të kushteve të lirisë së tij. Në një kohë që në Shqipëri, Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri, ai u arratis pa gjurmë.                    ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura