SHKUP- Prokuroria për krim të organizuar pritet të nisë hetimet për shkeljet ligjore dhe dështimin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.
Prokurori publik Jovan Ilieski deklaroi se kanë bërë kërkesë në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të bërë verifikime, pas aktpadisë së ngritur nga ana e opozitës për hetimin e dështimit të procesit të regjistrimit në Maqedoni.
Opozita kërkoi që Qeveria si organizatore e regjistrimit të marrë përgjegjësi lidhur me dështimin e procesit. Sipas aktpadisë së ngritur, përgjegjësia do të kërkohet tek anëtarë të Qeverisë dhe Komisionin Shtetëror të Regjistrimit. Lidhja Socialdemokrate, si një nga partitë më të mëdha opozitare akuzoi se qëllimisht është dështuar regjistrimi dhe se janë dëmtuar 14 milion të buxhetit të shtetit. (INA)











