TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka mbështetur regjistrimin e popullsisë, duke pranuar se censusi do të nisë në vjeshtën e këtij viti dhe shtyrja lidhej vetëm me fushatën për zgjedhjet vendore.
Me tone të ashpra në mbledhjen e qeverisë, Berisha ka reaguar ndaj kundërshtuesve të këtij ligji, duke i etiketuar ateistë, që kanë frikë nga zoti dhe njerëz pa flamur dhe identitet.
“Ata që derdhin lot krokodili, këta janë me deficencë kongelitale identiteti, të pashpresë për t’u shëruar por shoqëria i pranon. Këta që na thonë ne në mesazhin më të shkëlqyer që kemi, se po shkruajtëm fenë, këta janë ateistë që kanë frikë zotin. Pse ata s’kanë zot, të tjerët nuk kanë pse ndryhen për fenë e tyre dhe të të afërmve. Nuk mundet që ateistë që kanë tmerr zotin të diktojnë shqiptarët”- tha ai.
Sipas Berishës, ata që shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige, kushtetutën, postet dhe janë më të mjerë se cakejtë e tyre, sepse ata së paku lehin, kurse fshehin fytyrën dhe shndërrojnë institucionet kushtetuese në strofulla konceptesh dhe qëndrimesh primitive.
“Vetëm flamur nuk kanë ata. Të njëjtën gjë bënë një pjesë e tyre për kartat e identitetit dhe tani na thonë se nëse shqiptarët do kenë mundësi të shprehen për besimin dhe etninë do shpërbëhet qenia jonë, janë të shpërbërë ata, nuk kanë përmbajtje asgjë me identitetin e kësaj shoqërie”-tha Berisha.
Berisha ka theksuar se akti i regjistrimit është akt madhor i qytetarëve shqiptarë. “Shqiptarët do regjistrohen si qytetarë të lirë, të tregojnë ata që kanë, besimin që kanë, etninë që kanë pa asnjë detyrim. Ai që i konsideron këto si cështje private është i ftuar të mos shënojë asnjërën prej tyre. Unë do t’i shënoj personalisht, jam krenar me besimin dhe identitetin tim dhe me tërsinë. Koha është e ngutshme”- tha ai.
© Panorama.al











