Ndërsa lufta në Sirte vazhdon të ashpërsohet, në qytetet ku duket se ka rënë qetësia, të paktën nga plumbat, qytetarët vazhdojnë të tmerrohen nga zbulimet masive të kufomave. Një varr masiv me rreth 1200 kufoma është gjetur në Tripoli, pranë burgut Abu Salim. Sipas televizionit arab “Al Jazeera”, të gjithë personat besohet të kenë qenë të burgosur në Abu Salim. Ky burg ka pasur famë të keqe si një nga më të ashprit të regjimit të kolonel Muamar Gedafit. Aty qëndronin të burgosurit e dënuar për krime lufte dhe kundërshtarët politikë të Gedafit. Sipas raportimeve, në vitin 1996 në këtë burg janë ekzekutuar mbi 2 mijë persona, një akt që mori në atë kohë thirrje alarmi nga grupet e të drejtave të njeriut.











