
Vritet roja i gurores në fshatin Gajtan të komunës Gur i Zi, në Shkodër. Lazër Jaku, 55 vjeç, u gjet i pajetë mëngjesin e djeshëm, pak orë pas krimit. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për vetëvrasje, pasi pranë trupit të viktimës u gjet dhe një armë zjarri, çifte. Por, hetimet e kryera nga policia zbuluan se ai ishte vrarë. Dy persona u vunë në pranga, pasi sipas Policisë ekzekutuan Jakun, në shenjë hakmarrjeje, pasi ai refuzoi fejesën e së bijës. Autorët sipas Policisë janë: Eduard Kola, 25 vjeç, banor i së njëjtës zonë si dhe Renato Isufi, 30 vjeç, banor në lagjen Perash në Shkodër. Nga hetimet e bëra rezultoi se përgjigjja negative për t’i dhënë dorën e vajzës Kolës ka qenë motivi i ngjarjes kriminale. Sipas Policisë, Isufi ishte shok me Kolën dhe të dy bashkë kanë organizuar krimin. Vrasja ndodhi në orët e vona të së shtunës, pikërisht në vendrojën e një pike guroreje, ku punonte Lazër Jaku, 55 vjeç. Pranë trupit të viktimës ndodhej edhe arma me të cilën ishte kryer krimi, një armë gjahu çifte. Dëshmitarët e parë të kësaj ngjarjeje janë munduar që t’i japin ndihmën e parë, por gjithçka ka qenë e kotë. Nisur nga prania e armës, Policia ka dyshuar se bëhej fjalë për vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes shkuan ekspertë të policisë së Shkodrës, duke kryer veprimet hetimore. Dyshimet e para të ngritura zbardhën dhe krimin e rëndë. Pikërisht historia e konfliktit me të riun ka zbuluar dhe planin e autorëve, duke çuar në prangosjen e tyre në kohë rekord. Sipas Policisë, autorët e krimit ishin menduar mirë që vrasja të ngjante me një vetëvrasje, çka do të bënte që ata të lëviznin të lirë dhe pa u ndëshkuar për vrasjen. Nga verifikimet në vendngjarje rezultoi se arma e krimit ishte një çifte dhe jo arma e punës së rojës së gurores. Menjëherë policia ka nisur marrjen e dëshmive të familjarëve të viktimës, duke zbardhur dhe konfliktin e fundit. Duke u zbardhur dita e diel, policia ka mundur të ndalojë dy të rinjtë, i pari si organizator dhe tjetri si bashkëpunëtor në krim. Eduard Kola dhe Renato Isufi, sipas burimeve zyrtare të Policisë, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, kanë vrarë me armë gjahu, për motive të dobëta 55-vjeçarin Jaku. Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara në vendin e ngjarjes dhe në banesat e shtetasve të arrestuar, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë e tipit “Beretë”, me 1 fishek në folenë e armës, 1 armë gjahu teke, gjysmë automatike, si dhe 1 armë gjahu teke. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e “vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje te armëve dhe municioneve të armëve të gjahut”.
1 plumb
i vetëm ka qëlluar për vdekje 55-vjeçarin Lazër Jaku, pasi autorët donin ta fshihnin krimin si vetëvrasje nga ana e rojes së gurores
2 persona
janë arrestuar nga policia e Shkodrës, të akuzuar për vrasjen e Lazër Jakut, pas hetimeve intensive që zbardhën se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











