
TIRANE- Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker është takuar sot edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Sipas njoftimit të Presidencës, Reeker ka siguruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në sfidat e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimin evropian në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë.
Po ashtu, Reeker i ka shprehur vlerësim, Presidentit Nishani lidhur me qëndrimet e matura të Shqipërisë ndaj zhvillimeve rajonale dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të saj. Vetë Nishani, ka garantuar se Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe qasjen konstruktive ndaj çështjeve që lidhen me shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Pasi e felenderoi për të gjithë mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë, Nishani siguroi Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan, se zhvillimi i reformave është sfida më e madhe me të cilën përballen institucionet shqiptare, duke nënvizuar se bashkëpunimi i shkëlqyer i institucioneve tona me institucionet dhe agjencitë e SHBA-ve bazuar mbi përvojën e deritashme do të vijojë edhe në të ardhmen.
Presidenti Nishani dhe ambasadori Reeker shkëmbyen mendime në lidhje me pavarësinë e institucioneve demokratike dhe ndanë mendimin se respektimi i institucioneve të pavarura përbën bazën për funksionimin e shtetit ligjor.
© Panorama.al











