TIRANË- “53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma jonë zgjedhore”. Kështu është shprehur sot Kryetarja e Kuvendit në takimin me ekspertët e OSBE/ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të cilët janë në Shqipëri për t’i dhënë asistencë teknike Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Topalli vlerësoi përfundimet e Raportit e ODIHR, që i cilësoi zgjedhjet e fundit “kompetitive dhe transparente”
Sipas saj, këto zgjedhje ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga PS e të miratuar me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Parlament.
“Opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake”- tha ajo.
Nga ana e tij, Pilgrim, vleresoi progresin e bere nga Shqiperia, përsa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve zgjedhore.
“Jemi maksimalisht të gatshëm për të asistuar në reformën zgjedhore në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur”- thane ekspertet.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ekspertët e ODIHR-it u shprehën optimistë për një reformë zgjedhore cilësore, e cila do të jetë materializim i rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it, e do të miratohet brenda afatit të duhur kohor.
© Panorama.al











