Reforma Zgjedhore, PD-PS, negociata me OSBE-në për KQZ dhe Kodin

Sep 29, 2011 | 9:38
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, ka thirrur në një drekë pune dy negociatorët e PS dhe PD, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Në mesditë, në restorantin “Padam”, përballë Ministrisë së Integrimit, tre figurat publike kanë rënë në sy me prezencën e tyre, ndërsa gjatë gjithë drekës nuk ka munguar bashkëbisedimi mes tyre. Sipas të pranishmëve, sa Bylykbashi, aq dhe Gjiknuri parashtronin me dokumente qëndrimet e tyre, ndërsa ambasadori i OSBE-së pohonte vazhdimisht qëndrimet e tyre. Nga asnjë palë nuk bëhen publike pozicionet e mbajtura rreth modaliteteve që ata ndajnë për ngritjen e Komisionit të

Bylykbashi dhe Gjiknuri

posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. OSBE është ftuar nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike të jetë pjesë e reformës zgjedhore, madje ata kanë rënë dakord në parim dhe për prezencën e një përfaqësuesi nga Komisioni i Venecias të Këshillit të Europës. Pak ditë më parë, negociatorët e Partisë Socialiste u kanë paraqitur homologëve të tyre demokratë disa propozime që kanë të bëjnë me modalitetet se si mund të ngrihet dhe funksionojë Komisioni për Reformën Zgjedhore, përbërja por dhe vendimmarrja në të. Duket se palët kanë ende disa çështje të pazgjidhura, ndërsa aktivizimi i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Volfarth, ka shërbyer në këtë drejtim. Kreu i prezencës së OSBE-së nuk ka reshtur së takuari si kreun e PS, Edi Rama, ashtu dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, për qëndrimet e tyre lidhur me reformën zgjedhore. Duket se në këtë reformë, OSBE do të jetë një monitoruese e rreptë, e cila ka dhënë garanci për hartimin e një kodi të pranueshëm dhe të pakontestueshëm nga palët.
Deklarata
Gjatë paradites së djeshme, në një prononcim për “Albanian Screen”, negociatori i mandatuar nga Partia Socialiste për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, u shpreh për një rikompozim të KQZ-së. Mund të konsultohen shumë modele për rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por një gjë ai e thotë me siguri, që ky institucion duhet të ndahet nga politika. “Ka modele të ndryshme, shtete të tjera kanë eksperienca nga më të ndryshmet. Shqipëria ka një eksperiencë. Duhen parë të gjitha këto dhe duhen diskutuar kur të vijë momenti i duhur. Nuk mund të them paraprakisht kush është modeli më i mirë, por një gjë është e rëndësishme: KQZ duhet të dalë jashtë kthetrave të politikës, ndryshe ai do të jetë një kërcënim i mjaftueshëm”, u shpreh Gjiknuri. Sipas tij, Partia Socialiste, si më e dëmtuara nga proceset e fundit zgjedhore, kërkon garanci që propozimet e saj do të merren në konsideratë. “Presim që të bëjmë një dokument të përbashkët, modalitete të përbashkëta për mënyrën se si do të funksionojë KQZ dhe për të respektuar disa nga të drejtat që duhet të ketë opozita me këtë mjedis të ri, të ndryshuar politik, aq më tepër që kemi dy palë zgjedhje, ku qeveria ka qenë ajo që është identifikuar si me probleme me sjelljen e saj për zgjedhjet”, tha Gjiknuri.

Takimi me zyrtarin e SHBA
Një javë më parë, zv.drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Raffi Gregorian, priti në një takim përfaqësues të dy partive kryesore në vend, PS dhe PD. Nga PD ishte kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, një ndër ekspertët më të mirë të ligjeve, Viktor Gumi, si dhe kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Leonard Demi. Nga ana tjetër, kanë qenë të pranishëm eksperti për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, propozuesi për reformën parlamentare, Ditmir Bushati, si dhe ish-kryeministri dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Pandeli Majko. Në qendër të kësaj dreke pune ishte vendosja e një klime bashkëpunimi dhe nisja e punës për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera që kërkon integrimi i vendit.

Negociatorët
Dy partitë kryesore, PD dhe PS, kanë bërë një hap drejt nisjes së punës për reformën zgjedhore në vend. Partia Socialiste mandatoi deputetët Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri që të nisin kontaktet me palën tjetër për të gjetur sa më shpejt modalitet mbi të cilat do të ngrihet dhe funksionojë Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Edhe Partia Demokratike iu përgjigj menjëherë këtij vullneti, duke mandatuar Oerd Bylykbashin dhe deputetin Viktor Gumi që të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e PS për nisjen e reformës. Deri tani janë zhvilluar disa takime, të cilat nuk kanë dhënë ende një dokument të përbashkët.

odihr
Drejtuesi i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Tiranë në zgjedhjet e 8 majit, Jonatan Stonstreet, u kërkoi palëve politike të nisin sa më shpejt reformën zgjedhore. “Ne shpresojmë që kjo reformë zgjedhore të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, por sigurisht, nuk ka nevojë të nxitohet dhe shpresojmë që ajo të përfundojë në kohë të mjaftueshme, para zgjedhjeve të ardhshme. Në fakt, ne shpresojmë që kjo reformë zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse – ashtu sikurse tha z. Haxhinasto, – që të përfshijë kontributet e dhëna nga partitë politike nga ato parlamentare dhe joparlamentare”, tha pak ditë më parë përfaqësuesi i OSBE-së, Stonestreet.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura