Reforma zgjedhore, nisin përplasjet mes PD-PS e LSI

Dec 1, 2011 | 15:20

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore është konstituar dje, teksa ka zhvilluar edhe mbledhjen e parë. Ky takim mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës është drejtuar nga Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, si dhe përfaqësues nga Komisioni Europian. DEBATI Në këtë mbledhje është regjistruar edhe përplasja e parë mes partive të mëdha dhe atyre të vogla. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se gjatë diskutimit për rreth 90 minuta të çështjeve të reformës zgjedhore, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë refuzuar dy kërkesa të partive të vogla. Lëvizja Socialiste për Integrim, së bashku me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të përfaqësuara në komision nga Vangjel Tavo dhe Shpëtim Idrizi, kanë kërkuar që të kenë ekspertët e tyre teknikë në grupin e punës që do të punojë për amendimin e Kodit. Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e dy partive të mëdha, me argumentin se ekspertët do të punojnë vetëm në nivel teknik dhe më pas në komision deputetët do të njihen me materialin dhe aty mund të shprehin qëndrimin e tyre. Në këtë pikë të diskutimit, Partia Demokratike ka propozuar drejtorin e kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi dhe Partia Socialiste ka propozuar ekspertin Bledi Çuçi, të cilët do të punojnë së bashku për të hartuar një draft që do t’i paraqitet komisionit. Kërkesa e dytë e partive të vogla, që është hedhur poshtë nga dy partitë e mëdha, ka qenë prania e mediave në mbledhjet e komisionit. Tavo dhe Idrizi kanë këmbëngulur shumë në këtë pikë, duke argumentuar se në këtë mënyrë edhe puna e komisionit bëhet më transparente. Por PD dhe PS nuk e kanë pranuar këtë kërkesë, duke u shprehur se deputetët mund t’i shprehin qëndrimet e tyre përmes konferencave për shtyp. Në këtë takim të parë nuk ishte i pranishëm kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule. DEKLARATAT Në nisjen e punës së komisionit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se suksesi i reformës do të jetë një gur prove për partitë politike. “Unë jam dakord, nuk mund të ketë një reformë të re zgjedhore, pasi është bërë një reformë zgjedhore. Në parim jam tërësisht dakord dhe kjo është arsyeja pse secili prej përfaqësuesve të ndryshëm politikë janë në provë. Reforma Zgjedhore duhet të jetë një reformë e gjithanshme, duhet të jetë një reformë e thellë, e standardeve për interesa të përgjithshëm, të vendit, të së ardhmes dhe për interesa të asnjërës parti politike në mënyrë të veçantë. Unë besoj se ju do t’i qëndroni interesit të vendit mbi interesin partiak”, u shpreh Kryeparlamentarja në fjalën e saj. Ndërsa bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, u shpreh optimist se komisioni do të arrijë të prodhojë një produkt brenda tre muajve të afatit të caktuar nga Kuvendi. I pyetur nëse në rendin e ditës do të jetë edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, ai tha se: “Për të gjitha çështjet do të informoheni në ditët në vijim. E kemi thënë, sistemi zgjedhor është një çështje që do të diskutohet në vazhdim dhe presim propozimet e partive të vogla, kur do të vijë momenti ato do të jenë në tavolinë dhe diskutimi do të hapet”.

TAKIMI I EKSPERTËVE

Pas mbledhjes së parë të komisionit të reformës zgjedhore, puna e tij tashmë do të varet nga takimi i dy ekspertëve, të propozuar nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Oerd Bylykbashi nga PDja dhe Bledi Çuçi nga PS-ja do të takohen në ditët e ardhshme për të hedhur në letër amendamentet e para të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të bëra nga misioni i OSBE/ODIHR-it në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe atyre lokale të 8 majit. Pasi të përgatiten propozimet e para, komisioni do të mblidhet sërish për të diskutuar mbi paketën dhe për të marrë vendimet, për të cilat dy forcat e mëdha politike kanë të drejtën e vetos.

TOPI: KODI, JO NË MOMENTET E FUNDIT

Presidenti Bamir Topi ka vlerësuar dje nisjen e punës për reformën zgjedhore. “Unë shpresoj që ndryshe nga herët e tjera, ky komision t’i përfundojë punët në kohë, sepse janë eksperienca jo fort të këndshme nga e kaluara, që Kodi Zgjedhor miratohet përgjithësisht ditën e fundit. Duke e miratuar në kohë, pastaj palët do ta kenë më të thjeshtë për t’u njohur edhe me infrastrukturën zgjedhore. U uroj që të kenë në themel të punës së tyre, jo emocione politike dhe pozicione partiake. Por të dalin me një Kod që do të jetë në standardet europiane”, tha kreu i shtetit.

MCILWHAM: FOTOT E RASTIT NUK MJAFTOJNË

Në përfundim të mbledhjes së komisionit për reformën zgjedhore, ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, u shpreh se: “Deputetët e përfshirë në këto grupe, si edhe kryetarët e partive të tyre, kanë tani një mundësi të rëndësishme për të provuar që skeptikët e kanë gabim; dhe për t’u treguar partnerëve ndërkombëtarë e publikut shqiptar se ata janë të angazhuar për reformat demokratike. Fotot e rastit, shtrëngimet e duarve apo fjalët nuk do të mjaftojnë. Nëse Shqipëria do të arrijë statusin kandidat, ne, partnerët dhe miqtë nga BE – kemi nevojë të shohim progres urgjent dhe të besueshëm në këto reforma kyçe”.

VOLFARTH: REZULTATET E PARA NË 2012

“Në fakt, orientimet më kryesore, më të rëndësishme tashmë janë shprehur qartë në dy raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe zgjidhjet vendore të këtij viti, 2011. Kështu që tashmë ka orientime të mira për të punuar së bashku, duke shpresuar se do t’i shohim rezultatet e para në fillim të vitit të ardhshëm. Personalisht dëshiroj të shtoj se ndjeva sot në sallë një frymë të madhe gatishmërie për të bashkëpunuar dhe për të ecur përpara për të mirën e vendit”, u shpreh ambasadori i OSBE-së në përfundim të mbledhjes së parë të komisionit të reformës.

Përgjegjësit e shërbimit, debat mes deputetëve të PD

Ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë kanë shkaktuar debate brenda maxhorancës. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti Fatos Hoxha ka replikuar me Tritan Shehun, lidhur me një ndryshim në kriteret që duhet të përmbushin përgjegjësit e shërbimit në qendrat spitalore universitare. Duke iu referuar ndryshimeve të propozuara nga nismëtari i ligjit, Vangjel Tavo, deputeti Hoxha tha se ndryshimi i ligjit po lë jashtë brezin e ri të shkolluar në Perëndim. Pas tij, fjalën e mori deputeti Shehu, i cili duke mbështetur amendamentin tha se “ne kemi hequr dorë nga shprehja ‘me gradën shkencore dhe akademike’. Ne kemi vënë fjalën ‘me përvojë’ dhe jo ‘me përvojën më të gjatë’. Shefi drejtues duhet të ketë një përvojë klinike akademike”. I menjëhershëm ishte reagimi i Hoxhës, i cili akuzoi deputetin Shehu se po pengohet brezi i ri të bëjë karrierë në këtë fushë. “Po lëre çfarë përgjigje do më japësh mua ti, ju i keni mbyllur derën brezit të ri”, iu drejtua Fatos Hoxha deputetit demokrat.

Kukan e Zvoboda, letër Berishës e Ramës: Epokë e re bashkëpunimi

Nisja punës për reformën zgjedhore dhe marrëveshja parlamentare e arritur nga partitë politike, është cilësuar si një epokë e re bashkëpunimi nga eurodeputetët Eduard Kukan dhe Hannes Svoboda. Dy krerët e lartë i kanë dërguar një letër të hapur Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama, në të cilën inkurajojnë palët politike të vazhdojnë rrugën e reformave. “Ne i mirëpresim këto zhvillime sepse ato sinjalizojnë gatishmërinë për të kaluar në një epokë të re bashkëpunimi. Kjo përcakton bazat drejt normalizimit të jetës politike dhe adresimit të shqetësimeve të qytetarëve shqiptarë. Ne i konsiderojmë këto marrëveshje të konfirmuara nga Parlamenti, si një përgjigje politike për sfidat e mëdha përpara. Ky përparim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për vendin dhe rajonin”. Krerët e lartë të Parlamentit Europian shprehen se Shqipëria nuk duhet të humbasë këtë mundësi dhe të vazhdojë të çojë përpara reformat në lidhje me sundimin e ligjit, reformën e Gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Tani, momenti duhet shfrytëzuar për të ndërmarrë masa politike që të jenë largpamëse, vendimtare dhe konstruktive për të siguruar një perspektivë të qartë për qytetarët. Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”, thuhet në letrën e dy diplomatëve. Me tej, në letër, Kukan dhe Svoboda pohojnë se e ardhmja e Shqipërisë, si dhe ajo e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimin Europian. “Zhvillimet e reja në Shqipëri mund dhe shpresojmë se do të çojnë në krijimin e një platforme parlamentare për Europën, që do të bashkojë të gjitha forcat politike në vend rreth qëllimit të përbashkët të integrimit në BE. Ne do të kemi një rast të parë për të shkëmbyer mendime me homologët tanë shqiptarë gjatë takimit të ardhshëm të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit në Tiranë më 9 dhjetor. Ne kemi besim se ky rast do të shënojë një fazë të re në marrëdhëniet tona”, përfundon letra e diplomatëve të Bashkimit Europian.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura