Ngritja e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 do të bëhet brenda tri javëve të ardhshme. Sot, në orën 09:00, një orë para nisjes së seancës së radhës kuvendore, do të mbahet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të diskutojë programin e punës për 21 ditët e ardhshme, në periudhën 26 shtator – 14 tetor. Si pikë e fundit e këtij kalendari është përcaktuar “Ngritja e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”. Por nuk është parashikuar se në cilën prej seancave plenare do të votohet ngritja e tij për shkak se ende nuk dihet se kur do të bëhet gati projektvendimi. Drafti, që do t’i paraqitet deputetëve për t’u miratuar, do të përgatitet nga negociatorët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në ditët e ardhshme, kur të kthehet nga SHBA Kryeministri Berisha dhe njëri prej negociatorëve të PD-së, Oerd Bylykbashi, pritet të zhvillohet një takim me dy negociatorët e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi. Negociatorët e të dyja forcave kryesore politike pritet të diskutojnë për kohëzgjatjen e veprimtarisë së Komisionit, mënyrën se si do të drejtohet ai, si dhe përbërjen e Komisionit. Një tjetër pikë e përcaktuar në kalendarin trejavor, që pritet të miratohet në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, është edhe shqyrtimi i kandidaturave për vendet vakante në institucione. Prej gati gjashtë muajsh, institucioni i Avokatit të Popullit drejtohet nga komisioneri më i vjetër në moshë, për shkak se ish-drejtuesit Ermir Dobjani i ka përfunduar mandati. Zgjedhja e kreut të këtij institucioni ka qenë një nga pikat e ftesës së maxhorancës për kompromis me opozitën. Kryeministri Berisha, në seancën e fundit parlamentare, i bëri thirrje Partisë Socialiste që të sjellë emrin e kandidatit dhe ai do të votohet nga shumica, e cila nuk do të paraqesë asnjë emër.
Kodet
Në programin e punës për tri javët e ardhshme janë futur sërish edhe disa ligje që kërkojnë 84 vota. Kështu, në rend për t’u votuar janë Kodi Penal, Kodi Rrugor, Kodi Detar, Kodi Hekurudhor dhe Kodi Ajror, të cilat presin të marrin votën e opozitës. Administrata e Kuvendit ka futur gjithashtu në kalendarin e punës, deri më 14 tetor, edhe ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative, i cili është futur disa herë në seancë plenare dhe më pas është tërhequr për shkak se Partia Socialiste nuk ka qenë e gatshme ta votojë. Pak ditë më parë ishte kreu i PS-së, Edi Rama, që deklaroi se opozita nuk do të votojë draftet që kërkojnë shumicë të cilësuar, të cilat i quajti si arna të kryeparlamentares Topalli. “Në ditët në vijim do të shpallim publikisht vizionin tonë për qasjen ndaj ligjeve që duan 3/5-tat e votave të Kuvendit, ku përsëris se ne s’do ta ngremë kartonin jeshil për arnat që zonja Jozefinë fut në çdo rend dite, po jemi gati të punojmë me palën tjetër për një vizion kombëtar e europian të ndërtimit të shtetit modern shqiptar, që sipas nesh, do të thotë tërheqja e plotë e të gjitha drafteve rromapërtoma të paraqitura në Kuvend për t’i hedhur hi syve Brukselit dhe hapja e disa kantiereve për reforma të mëdha, të thella, të integruara në një vizion të përbashkët e bashkëkohor”, u shpreh Rama. Nga ana e saj, maxhoranca ka deklaruar se ligjet që kërkojnë 3/5-tat e votave janë diskutuar dhe miratuar në komisionet parlamentare, ku është marrë parasysh edhe mendimi i pakicës. Sipas kryeparlamentares Topalli, “kjo më duket se është bllokim. Nuk do doja ta paragjykoja, por nëse kërkohet tërheqja e drafteve mbi të cilat kanë punuar deputetët e maxhorancës dhe të opozitës, atëherë nuk është kurs i ri, por është bllokim, nuk është kurs i ri, por është blof. Ashtu siç ka thënë edhe Kiesevetter pak ditë më parë, bojkoti dhe bllokimi nga opozita kanë dëmtuar vendin dhe integrimin. Nga bllokimi, siç edhe ju vetë e dini, Shqipëria ka humbur dy vite në aspektin e stacioneve të reja drejt integrimit. Koha nuk pret. Koha nuk të fal më për bllokim”.
Buxheti faktik 2010
Parlamenti do të votojë në seancën e 6 tetorit projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2010”. Në këtë seancë pritet të ketë debate mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës për shkak të shifrave të këtij projektbuxheti. Muajin e ardhshëm do të miratohet në Këshillin e Ministrave projektbuxheti për vitin e ardhshëm dhe më pas ai do të kalojë në Parlament.
Akti normativ
Në mbledhjen e Parlamentit të enjten e ardhshme, më 29 shtator, në orën 10:00, është parashikuar si pikë e dytë e rendit të ditës votimi i aktit normativ të miratuar në qeveri “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”. Akti ka si qëllim pastrimin e rrugëve kryesore të vendit nga varrezat e makinave dhe largimin e tyre deri në një km larg rrugëve.
Projektligji
Sipas kalendarit 3-javor, në seancën parlamentare të 13 tetorit është përcaktuar si pikë e 10-të e rendit të ditës, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8653, datë 31.07.2000, ‘Për ndarjen administrative – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. Drafti është dërguar në Kuvend nga Këshilli i Ministrave që më 30 prill 2007, pak pas zgjedhjeve lokale, por asnjëherë nuk ka kaluar në seancë për shkak të qëndrimit të opozitës kundër kësaj nisme.
Programi 3-javor
. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.
. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.
. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 ‘Kodi detar i Republikës së Shqipërisë’”.
. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.253, datë 01.03.2010 ‘Për gjuetinë’”.
. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.171, datë 22.10.2009 ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë’ të ndryshuar”.
. Projektligj “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2010”.
. Akt Normativ nr. 3, datë 7.9.2011 “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”.
. Projektligj “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.
. Ngritja e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Turku: Rregullorja mund të ndryshohet për pagesat e deputetëve
Në një kohë kur Partia Socialiste pritet të depozitojë në Kuvend ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, dalin edhe pikat e para ku mund të arrihet konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës. Nënkryetari demokrat i Parlamentit, Ardian Turku, shprehet në një prononcim për mediat, se amendimi i Rregullores disa muaj më parë u bë për të normalizuar jetën parlamentare për shkak të bojkotit të opozitës. Megjithatë, sipas tij, një nen që mund të ndryshohet është ai i pagesës së deputetëve. “Masat që janë marrë atëherë mund të rishikohen, mund të zbuten, kryesisht në drejtim të pagesës së deputetëve. Gjithsesi, mospjesëmarrja në jetën parlamentare nuk shpërblehet me një pagesë të plotë”, tha Ardian Turku. Në ndryshimet e fundit të Rregullores u amendua mënyra se si paguhen deputetët, duke i dhënë përparësi pjesëmarrjes në komisionet parlamentare dhe më pak pjesëmarrjes në seancat parlamentare. Në atë kohë opozita e kundërshtoi këtë ndryshim të Rregullores. Ndërkohë, teksa PS-ja pritet të depozitojë kërkesën në Kuvend, maxhoranca duket se i ka humbur shpresat për votimin brenda 12 tetorit të ligjeve që kërkojnë 3/5-tat e votave. Sipas Turkut, “në të vërtetë, me deklarimet e djeshme të liderit të opozitës unë nuk kam shumë shpresë për këtë. Përsëri dëshiroj që të ndodhi çudia në momentet e fundit, por tashmë i kam humbur shpresat”, vijoi Turku.
Dy ditë më parë, deputeti tjetër i PD-së, Tritan Shehu, deklaroi se koha prej 60 minutash mund të hiqet fare nga rendi i ditës në seancat plenare. “Për mendimin tim personal, ai 60-minutësh nuk duhet të ekzistojë fare. Ajo është një eksperiencë sui generis e Parlamentit tonë. Unë nuk di të ketë ndonjë parlament të botës ku mund të bëhen diskutime të tilla duke filluar që nga kozmosi e deri te nëndeti në 60 minuta, pra për atë që do deputeti të flasë”.
Jensen: Opozita të votojë për integrimin

Ambasadori danez Karsten Ankjaer Jensen gjatë një takimi në qytetin e Korçës është përqendruar tek situata politike në vend duke e cilësuar atë si një situatë jo të ndritshme. “Janë 12 kritere që duhet të realizohen nga Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat. Mund të them vetëm se situata është jo e ndritshme. Nuk mund të parashikohet dhënia e statusit pasi nuk e përcaktojnë anëtarët e BE-së por komisioni i cili do të shqyrtojë kriteret. Që ai të japë përgjigje pozitive duhet të jenë plotësuar kriteret dhe për këtë duhen veprime konkrete. Progresi drejt integrimit tregohet me vepra, jo fjalë. Futja e opozitës në parlament është diçka pozitive por nga kjo nuk mund të gjykohet se çfarë bëhet. Këto deklarata ambasadori Jensen i ka bërë nga qyteti i Korçës pas një takimi të zhvilluar me kryebashkiakun e këtij qyteti Niko Peleshi.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











