Referendumi, miratohet kërkesa

Dec 23, 2011 | 11:43

Firmëtarëve do t’u mbahet kopje e kartës së identitetit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hap rrugë referendumit të kërkuar nga shoqëria civile për shfuqizimin e dy neneve që lejojnë importin e plehrave në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së u miratua me pesë vota pro dhe asnjë kundër propozimi për t’i dhënë formularin tip Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve për të nisur mbledhjen e 50 mijë firmat e nevojshme. Megjithatë, në udhëzuesin që do t’i bashkëngjitet formularit janë përcaktuar disa pika se si duhet të plotësohet ai. Pika më e debatuar është detyrimi që çdo person që firmos për të zhvilluar referendumin duhet të lejojë të fotokopjohet edhe karta e tij e identitetit dhe t’i bashkëngjitet formularit që do të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo pikë u kundërshtua si nga Partia Socialiste, ashtu dhe nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, tha se në këtë mënyrë nuk ruhen të dhënat personale të shtetasve. “Sa u përket kërkesave të para, është normale dhe duhet të jetë e pranueshme nga palët. Por, t’u kërkosh kërkuesve që çdo person të lërë një kopje të dokumentit të identifikimit do të thotë se u vë një barrierë shumë të madhe si këtyre që nisin procesin, ashtu dhe atyre që do të nënshkruajnë. Të japësh një fotokopje të kartës së identitetit do të thotë të japësh të dhënat e tua personale. Për sa kohë jepet numri, firma dhe ditëlindja, janë të dhëna më se të mjaftueshme të këtyre zgjedhësve që të nënshkruajnë në këtë listë”, tha Salianji. Në të njëjtën kohë, edhe Blendi Kajsiu nga Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve u shpreh se kjo kërkesë e KQZ-së ka një kosto të madhe financiare, por edhe logjistike. “Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve, si nga ana logjistike, dhe nga ana financiare dhe nga ajo organizative, e bën shumë të vështirë procesin e mbledhjes së firmave. Imagjinoni se do të jenë mbi 50 mijë fotokopje. Ne duam të mbledhim firma jo vetëm në zonat urbane, por edhe në ato rurale. Gjetja e një fotokopjeje atje është e vështirë”, u shpreh Kajsiu. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve të PS-së dhe të shoqërisë civile, të gjithë anëtarët e pranishëm në mbledhjen e KQZ-së (edhe Artan Laze i opozitës) votuan pro duke i dhënë mundësinë shoqërisë civile të mbledhë firmat e nevojshme.

50 mijë firma
Sipas ligjit themeltar të shtetit, referendumi mund të organizohet pasi të jenë mbledhur 50 mijë firma. “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”, thuhet në pikën 1 të nenit 150 të Kushtetutës. Ligji themeltar përcakton se parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

Kërkesat për referendumin
. Në kokën e formularit tip të vendoset qarku, rrethi, bashkia ose komuna.

. Fletës nga mbrapa do t’i bashkëngjitet një udhëzues: Emri, atësia dhe mbiemri i zgjedhësit të jetë sipas dokumentit të identifikimit dhe të shkruhet me germa kapitale lehtësisht të dallueshme.

. Numrat e dokumentit të identifikimit të shkruhen qartë dhe në mënyrë lehtësisht të dallueshme.

. Personat që nënshkruajnë në fletën tip të jenë zgjedhës në momentin e paraqitjes së kërkesës.

. Çdo nënshkrues t’i plotësojë individualisht me shkrim dore të dhënat në rreshtin përkatës dhe pa korrigjime.

. Fletës tip t’i bashkëngjitet fotokopje e dokumentit të identitetit ose e pasaportës, të renditura sipas nënshkruesve.

Nenet që lejojnë importin e plehrave
Në kërkesën e tyre për të organizuar një referendum, Aleanca Kundër Importit të Plehrave propozon shfuqizimin e dy neneve të ligjit të miratuar në Parlament që lejojnë importin e mbetjeve. “AKIP ka paraqitur në KQZ kërkesën për referendum kombëtar dhe për këtë ne kemi depozituar kërkesën tonë me 16 firma të grupit nismëtar, për t’u pajisur me fletën tip dhe më pas me mbledhjen e firmave të 50 mijë qytetarëve për shfuqizimin e neneve 22 dhe 49 të ligjit ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’”, deklaroi përfaqësuesi i Aleancës, Lavdosh Feruni.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura