Dy shokë që i këndojnë një vajze poshtë dritares, ashtu siç ndodh në serenatat korçare. Janë dy miq të vjetër, që vitet e Akademisë së Arteve të Bukura i kishin përjetësuar më një duet shumë të veçantë. Bëhet fjalë për kantautorët Devis Xherahu dhe Redon Makashi, që jo pak, por 16 vite më parë planifikuan një duet bashkë që nuk u realizua atëherë. Devisi shkroi një serenatë në atë kohë kur ishte student në Tiranë, por që mbeti partiturë në letër, pas largimit të tij në Greqi. Dhe tani, pas 16 vitesh, kur Devisi është shumë i pranishëm në jetën artistike të Tiranës dhe Korçës, qytetin të tij të lindjes, së bashku me Redonin dhe orkestruesin e këngës, Gent Muftaraj, kanë vendosur të ribashkohen për ta sjellë si klip më në fund këngën e tyre me titull “Në errësirën e natës”. Kënga tashmë ka përfunduar si regjistrim, ndërsa ata kanë planifikuar të xhirojnë klipin më datë 23 maj. “Është një këngë që e kam shkruar unë tekstin dhe muzikën para 16 vitesh e, meqë Redoni, shoku im i vjetër, e dëgjoi qysh atëherë këtë këngë dhe e pëlqeu, vendosëm ta bënim duhet, një plan që mbeti i parealizuar pas largimit tim nga Shqipëria. Tani erdhi momenti ta realizojmë dhe jam shumë i lumtur për këtë, pasi është një baladë, serenatë shumë e bukur”, thotë Xherahu. Ky klip do i paraprijë daljes së albumit të tij me 11 këngë, që do ta publikojë më 15 qershor. Ndërkohë që dhe Redoni është duke përfunduar një album të ri, që do ta publikojë së shpejti.











