Redon Makashi: Befasitë dhe zhgënjimet nga kolegët

Dec 3, 2011 | 14:05

Ai tashmë ka arsye të forta për të bërë një rikthim të fuqishëm në botën e muzikës, të cilën këto vitet e fundit e ka frekuentuar me hope. Ka marrë një çmim të parë më se të merituar dhe këto ditë nxjerr në treg albumin e ri muzikor me 9 kënga të reja, të titulluar “Botën time”. Ndërkaq ne jemi kuriozë të dimë më shumë mbi botën e tij jashtë muzikës dhe ai na rrëfen disa detaje mjaft interesante, mbas disa ditësh euforie, por edhe reflektimi.

“A kam fituar apo kam parë ëndërr”
Zgjimi i së dielës në mëngjës ka qenë paksa i çuditshëm për Redonin. Pasi ka festuar me djemtë e grupit “Arb” çmimin e parë në një nga pub-et e Tiranës, ka rënë në një gjumë euforik, për t’u zgjuar diku nga dreka e së dielës. Dhe pyetja e parë që i ka bërë vetes, ka qenë: “A kam fituar gjë festivalin, apo kam parë ëndërr?”. Idetë ia kanë kthjelluar më pas dy kupat që kishte lënë disi çrregullt në një komodinë, si për të vertetuar se gjithçka ka qenë e vërtetë. “Më pas u kujtova se nata finale është ritransmetim dhe, kur hapa televizorin, festivali ishte diku nga fundi. Kam parë veten nga ekrani dhe mendova: Bobo sa budallallëqe paskam thënë nga emocionet. Përfundimisht edhe një jetë po pate në skenë, nga emocionet nuk shpëton dot” – na rrëfen Makashi. “Unë nuk e kisha as idenë më të vogël që mund të isha fituesi, sepse nuk dija si do më votonin kolegët. Nuk kam komunikuar asnjëherë me asnjërin për pikët, dhe në mendjen time ekzistonte ideja se po nuk bëre lobing, nuk arrin të fitosh e unë për atë punë nuk ia them fare” – pohon ai.

Prindërit nuk kanë guxim të jenë prezent në sallë
Duke qenë djalë i vetëm dhe fëmijë artistësh, natyrisht që tensioni në familjen Makashi ka qenë në nivele shumë të larta. Kur filluan të jepen pikët dhe Redoni nuk ishte në vendet e para, mamaja e Redonit vendosi të ikë nga dhoma e të mos e ndjekë, ndërkohë që i ati i thotë: “Po prit se është shpejt, nuk i dihet. Më pas ka qenë e pamundur për ta të menaxhonin lumturinë teksa shihnin të birin fitues. “Di që mamanë e kanë marrë në telefon për ta uruar, mirëpo ajo nuk ka mundur të thotë as edhe një fjalë, aq e emocionuar ka qenë” – rrëfen Redoni. “Prindërit e mi gjithmonë preferojmë të më shohin nga shtëpia, sepse në sallë nuk e përballojnë dot”.

Gjebrea ky “supermen”
“Ky festival, krahas çmimit, më bëri të njoh më mirë Ardit Gjebrenë në të gjitha dimensionet e tij. Po të mos kisha qenë pjesëmarrës te “Kënga Magjike”, zor se mund ta besoja se ai njeri merret me gjithçka, që nga skenari, skenografia, ndriçimi, insertet, gjetja e reklamave, ftesat e deri tek biletat. Unë nuk e di se ku e gjen forcën, pa llogaritur dhe stresin e jashtëzakonshëm që kanë këngëtarët, të cilët nuk e kursejnë as Arditin për ta ndarë vazhdimisht mërzinë me të. Ai ka energji dhe vullnet të jashtëzakonshëm. E adhuroj për mënyrën se si punon”, – na rrëfen Redoni.

“Çfarë mendoj për kolegët”
“Nuk ua kam vënë shumë veshin pikëve, sidomos kur fillova të shkëputem nga vendi i dytë shumë ndjeshëm, megjithëse nuk doja ta besoja se isha duke fituar që të mos mërzitesha më pas. Kam vënë re që unë mora pothuajse nga të gjithë pikë mesatare dhe ata më ngritën shumë. U gëzova shumë nga disa grupe rroku të reja në moshë që më votuan, nuk e prisja të isha në shijet e tyre. Gjithashtu më bëri përshtypje vlerësimi i mirë që më dha Dr. Flori, po të kemi parasysh se jemi në rryma të ndryshme. Albërie Hadërgjonaj më zgënjeu, sepse më vlerësoi me zero pikë”, –rrëfen Makashi.

I fundmit i romantikëve paralajmëron shpërthimin
Nëse moda dhe tendencat e reja të sjelljes njerëzore na propozojnë ca stereotipe meshkujsh të etiketuar si “New stile”, ai nuk heq dorë nga çdo gjë romantike që mund të veshë botën e artistit dhe të njeriut. Njerëzit sot kanë frikë ta përshfaqin romanticitetin e tyre, ndërkohë që ai e ka kthyer atë në stil jete. I ëmbël në këngë dhe shume i thjeshtë e i dashur në jetë, Redoni premton se do tregojë edhe disa doza “agresiviteti” në këtë periudhë, që është si një rilindje për të. Do të jetë më i kujdesshëm për të menaxhuar karrierën e tij dhe do shtojë repertorin me melankoli, por edhe gëzim. “Kam bërë lëvizje të kujdesshme, por edhe dembele këto dhjetë vitet e fundit në karrierë, sepse po prisja të filtrohet tregu nga lloj-lloj zhurmash, që disa i quajnë këngë, por tani do rikthehem fuqishëm për publikun tim. Mbas albumit, do ketë promovime në Shqipëri dhe jashtë saj, ndërkohë që kam tri koncerte së shpejti, në Greqi, Itali dhe Zvicër. Në janar rikthehen “Tre musketierët” me një koncert në “Pallatin e Kongreseve”. Së bashku me Aleksandër Gjokën dhe Elton Dedën po përgatitemi seriozisht për të sjellë diçka të bukur”. Ndërsa këto ditë do të shfaqet klipi i ri i Makashit, një këngë me temë sociale që i kushtohet Tiranës.

© Panorama.al

Te lidhura